E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sfidë Rusisë, BE dhe Turqia nënshkruajnë “Nabuko”-n

 

Bashkimi Evropian dhe Turqia kanë nënshkruar dje marrëveshjen energjetike “Nabuko”, e cila pritet të zvogëlojë varësinë e BE-së nga gazi rus. Gazsjellësi parashikohet të bëhet funksional në vitin 2014, me një projekt që kushton 7.9 miliardë euro dhe është i gjatë 3300 kilometra. Marrëveshja është nënshkruar nga katër shtete të Bashkimit Evropian dhe Turqia. Marrëveshja u nënshkrua nga kryeministri turk, Rexhep Taip Erdogan, ai bullgar, Sergej Stanishev, kryeministri i Rumanisë, Emil Bok, ai i Hungarisë, Gordon Bajani dhe kancelari i Austrisë, Verner Fajman. Tubacioni do të marrë parasysh kapacitetin për pompimin e 31 miliardë metra kub gazi nga Deti Kaspik nëpërmjet Turqisë në Austri dhe në Ballkan, duke anashkaluar Rusinë. Në ceremoninë e inaugurimit kanë marrë pjesë edhe komisioneri i BE-së, Hose Manuel Barroso, emisari special i Shteteve të Bashkuara për energji në Euroazi, Riçard Morningstar, dhe kryeministri i Irakut, Nuri Al Maliki. “Tubacioni i Nabukos ka rëndësi themelore për sigurinë e energjisë së Evropës dhe të Turqisë. Ai siguron shumëllojshmërinë e burimeve dhe të rrugëve dhe bashkon një treg të konsumatorëve me furnizues të besueshëm dhe rrugë tranzite të besueshme”, tha Barroso. Kryeministri Erdogan sqaroi se korniza legale për konstruktimin e tubacionit do të përfundojë kur Nabuko t’i ketë nënshkruar marrëveshjet veç e veç me të gjitha shtetet pjesëmarrëse brenda periudhës gjashtëmujore. Ndërsa një e katërta e gazit natyror që përdoret aktualisht në Evropë vjen nga Rusia, çdo “tekë” e Moskës lë disa shtete të Evropës Jugore pa rezerva gazi. Me këtë projekt ky rajon e ka të zgjidhur problemin.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›