Obama: Hetim vrasjes së 2000 afganëve
Presidenti amerikan, Barak Obama, ka urdhëruar rishikimin e raporteve, sipas të cilave aleatët afganë të Shteteve të Bashkuara mund të kenë qenë përgjegjës për vdekjen e rreth 2000 talebanëve të burgosur gjatë fillimit të luftës në Afganistan në fund të vitit 2001. Gjatë një interviste për televizionin CNN, Obama tha se i ka kërkuar stafit për siguri kombëtare të mbledhë faktet e njohura për raportet në fjalë, për të vendosur pastaj rrugën që do të ndiqet. Gazeta “New York Times” njoftoi se FBI-ja, Departamenti i Shtetit dhe Kryqi i Kuq kishin bërë thirrje për hetime në lidhje me vrasjet, por administrata e ish-presidentit Xhorxh Bush nuk kishte ndërmarrë masa, meqenëse gjenerali Abdul Rashid Dostum paguhej nga CIA në atë kohë. Ishte kjo gazetë që botoi për herë të parë skandalin e vdekjeve masive të të burgosurve. Gjenerali Dostum, i cili akuzohet nga grupet për të drejtat e njeriut t’i ketë drejtuar torturat dhe vrasjet, ka hedhur poshtë të gjitha akuzat. Rreth dy mijë të burgosur talebanë u dorëzuan pak pas ndërhyrjes amerikane në Afganistan në vitin 2001.