Shtohen masat, 10 mostra në javë do analizohen në ISHP
zirina llambro
Çdo javë në Institutin e Shëndetit Publik do analizohen 10 mostra gjaku të personave të dyshuar për grip derrash. Pas urdhrit të lëshuar nga Ministria e Shëndetësisë, drejtoresha e departamentit të sëmundjeve infektive në ISHP sqaroi mënyrën si do monitorohet vendi. ”Rritja e numrit të analizave të gjakut për personat që kanë shenja të gripit është një nga direktivat kryesore të OBSH, me qëllim mbajtjen nën kontroll të situatës, në një kohë kur vendi ynë nga momenti në moment mund të shënojë rastin e parë”, nënvizoi Bino. Ajo shtoi se ditën e premte është marrë mostra e një studenti të dyshuar nga Gjirokastra, për të cilin është vërtetuar që është virus A, por sipas specialistëve nuk ka lidhje epidemiologjike me virusin A/H1N1. Por kjo analizë do të konfirmohet në laboratorët e Rumanisë. “Kemi vetëm një rast të ekzaminuar që ka dalë A, por që mendohet se është grip i zakonshëm. Nesër pjesën tjetër të mostrave do ta dërgojmë në Rumani. Duhet kontrolluar se mos përhapet në ndonjë komunitet të caktuar. Deri tani nuk ka pasur raste, por mund të kenë qenë një rast sporadik dhe të ketë kaluar”, deklaron specialistja Silva Bino. Deri më tani Instituti i Shëndetit Publik u ka bërë analizat e gjakut 71 personave në Fier, Durrës e Gjirokastër, duke përfshirë këtu edhe ditët e fundjavës. Të gjitha mostrat e marra pasi analizohen fillimisht pranë ISHP, më pas dërgohen në qendrën e referencës për Evropën Juglindore në Rumani, por edhe në laboratorët e Londrës, nëse është nevoja. “Brenda dy orësh nxjerrim rezultatin dhe kemi gjithë aparaturat për të bërë kontrollin molekular, por kemi analiza të tjera që nuk i bëjmë dot. Shpresojmë që në gusht të përfundojë laboratori i ri. Ky laborator do të na mundësojë një gamë më të gjerë analizash”, shtoi Silva Bino. Ajo theksoi se nuk ka vend as për panik as për alarm. ”Gjëja më e rëndësishme tani është të jemi të përgatitur për të kapur në kohë mbërritjen e virusit. Mos harroni se jemi ndër të paktat shtete në botë, ku virusi të paktën me komplikacione nuk është regjistruar”, tha Drejtoresha e departamentit të sëmundjeve infektive në ISHP. Në urdhrin e lëshuar nga Ministria e Shëndetësisë dy ditë më parë, mjekët e familjes, ndonëse jo të gjithë janë të trajnuar, duhet t’i marrin vetë mostrat e rasteve me grip. Pasi të kenë kryer këtë proces, këto kampionë duhet t’i dërgojnë pranë Institutit të Shëndetit Publik. Ndërkohë këto ditë në të gjithë spitalet rajonale të vendit është shpërndarë një sasi e konsiderueshme Tamiflu. Specialistët pohojnë se vaksina kundër gripit të derrave në vendin tonë mund të mbërrijë vetëm në muajin nëntor. Por ne mund të sigurojmë vetëm një sasi të vogël. Të parët që do të përfitojnë janë fëmijët deri në dy vjeç, të sëmurët kronikë, por edhe qeveritarët e bluzat e bardha. Konfirmimi i gripit të derrave tashmë është çështje ditësh.
Epidemiologët: Maskat të panevojshme
“Evitoni vendet publike të mbyllura dhe lani shpesh duart”. Kjo është këshilla kryesore që japin epidemiologët për të evituar një prekje të mundshme nga gripi i derrave. Sipas tyre, nuk është i domosdoshëm përdorimi i solucioneve antibakteriale e për momentin as mbajtja e maskave. ”Përmes kontaktit me duar është një prej mënyrave më të shpeshta të transmetimit të çfarëdo lloj forme virusi gripal. Sidomos kur shpenzohet kohë në vende publike me shumë njerëz apo përdoren mënyrat e transportit publik. Ndaj është domosdoshmëri larja e duarve, jo vetëm para vakteve ushqimore”, thonë epidemologët.
Kakavijë, asnjë alarm për gripin
KAKAVIJE - Të gjithë shtetasit shqiptarë apo dhe të huaj, që përdorin Kakavijën për të hyrë në territorin shqiptar, nuk hasin ndonjë pengesë nga autoritetet shëndetësore në këtë nyjë kufitare. Ndonëse shërbimi 24 orësh i specialistëve të shëndetësisë funksionon në Kakavijë për të parë nga afër gjendjen e të ardhurve në Shqipëri, por kjo vetëm në planin aparencial, pasi kontrolli fizik i personave është i “harruar”. Vetë emigrantët e ardhur nga Greqia shprehen të habitur se si nuk merren qoftë edhe në pyetje nga personat e autorizuar për këtë punë. Idriz Levonja nga Kavaja, emigrant prej vitesh në Patra të Greqisë, shprehet se në Kakavijë gripi i derrave mund të hyjë pa problem fare, në kushtet e një mungese të plotë të aparaturave që identifikojnë virusin. Në prani të mediave, mjeku reagon duke marrë në pyetje udhëtarët: Nga cila zonë e Greqisë po vini? Keni pasur gjë simptoma të ngjashme me gripin?, etj. Më pas të ardhurit pajisen me një fletëpalosje për rrezikun nga gripi i derrave, apo dhe kujdesin që duhet të tregojnë për shëndetin, duke u alarmuar për simptomat fillestare gripale. p.n