Solana takon Ban Ki Mun për Kosovën
Shefi i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Havier Solana pritet të takojë të premten në Nju Jork, Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki Moon për të diskutuar mbi planin e tij për vendosjen e misionit evropian.
Takimi ndërmjet zotit Ban dhe zoti Solana mund të sqarojë nëse EULEX-i do të mund të fillojë punën në muajin dhjetor, siç kanë paralajmëruar zyrtarët evropianë.
Sipas një marrëveshjeje të arritur ndërmjet OKB-së dhe Serbisë, misioni i BE-së do të jetë i paanshëm ndaj statusit të Kosovës dhe do të veprojë jashtë kornizave të planit të Ahtisarit, gjë që po kundërshtohet fuqishëm nga Prishtina zyrtare.
Qëndrimet e ndërkombëtarëve
Diplomatët perëndimorë i kanë bërë thirrje lidershipit kosovar që të angazhohet për një zgjidhje që do të mundësonte vendosjen e EULEX-it.
Pak ditë më parë në Prishtinë ishte Nënsekretari amerikan i Shtetit Daniel Fried, i cili tha se plani i OKB-së është një zgjidhje e përkohshme për funksionalizimin e misionit evropian, që sipas tij duhet të vendoset sa më shpejtë të jetë e mundur.
Në Londër krerët e institucioneve të Kosovës u pritën në takim nga kryeministri britanik Gordon Brown dhe ministri i Jashtëm, David Miliband, të cilët kanë kërkuar nga udhëheqja e Prishtinës që të angazhohet me BE-në për të garantuar një zgjidhje të shpejt të negociatave.
Ndërkohë Rusia, përmes ambasadorit të saj në Beograd, Aleksander Konuzin i ka dhënë mbështetje qëndrimit të Serbisë lidhur me sistemin e misionit evropian.
Serbia është pajtuar që misioni i BE-së për sundim të ligjit të vendoset në Kosovë me kusht që të jetë neutral ndaj statusit dhe për këtë të marrë bekimin e Këshillit të Sigurimit.
Autoritetet kosovare vazhdojnë të mbajnë qëndrimin se misioni i BE-së duhet të respektojë Kushtetutën e Kosovës dhe planin Ahtisari, mbi bazën e të cilit është shpallur pavarësia.