E Shtunë, 31 Tetor 2026

Solidariteti opozitar, Papandreu në Tiranë, të ngushëllojë Ramën për humbjen

Në prag të zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare të 28 qershorit, pritet që të zbarkojë në Tiranë një “vëzhgues” jo dhe aq i zakontë i këtij procesi zgjedhor, vetë kreu i opozitës greke dhe kryetari i PASOK-ut Jorgos Papandreu. Përballë mbështetjes së gjithanshme të ndërkombëtarëve të djathtë ndaj PD-ës, i vetmi mbështetës i tillë për Edi Ramën, ngelet kreu i opozitës greke, Kryetari i PASOK-ut, Jorgos Papandreu. Sipas përfaqësuesit të zyrës së informacionit të PASOK në Athinë, Papandreu do të mbërrijë në Tiranë ditën e premte dhe do të zhvillojë takime me liderin e Partisë Socialiste Edi Rama, dhe krerët e PBDNJ-së dhe OMONIA-s. Një ditë më pas ai do të gjendet në Malin e Zi ku do të drejtojë Samitin e eurosocialistëve. I pyetur nga media greke se çfarë pret PASOK-u nga këto zgjedhje në Shqipëri, përfaqësuesi i zyrës së shtypit është përgjigjur se “PASOK-u shpreson pikë së pari zgjedhje demokratike dhe një proces zgjedhor demokratik, pasi në të kaluarën kemi vënë re probleme të shumta në këtë proces zgjedhor, gjithashtu shpreson në një fitore të forcave progresiste”. “Shqipëria është një vend me të cilin Greqia ka shumë të përbashkëta, tutje kufijve, por që dhe ato duhet t’i ruajmë. Duam që të  vazhdojmë të kemi një marrëdhënie shumë të mirë dhe akoma më të mirë me një qeveri progresiste në këtë vend”, tha për median greke përfaqësuesi i zyrës së shtypit të PASOK, Jorgos Papakostandios. Nuk do shumë mund për tu kuptuar se kjo vizitë në ditën e fundit të fushatës zgjedhore perceptohet si një mbështetje për koalicionin opozitar të drejtuar nga Edi Rama. Megjithatë kjo vizitë nuk pritet që të ketë ndonjë efekt të qenësishëm në fatin e këtyre zgjedhjeve. Opozita shkon në këtë përballje e përçarë, ndërsa takimi i Papandreut në Ramës më tepër shihet në kuadrin e një investuare personale për të rregulluar disi imazhin e kreut të PS-së sesa atë të përbashkimit të së majtës. Mbi të gjitha vetë imazhi i PASOK në Greqi është diskretituar jo pak, qëkur të gjithë kuptuan se kush fshihej prapa trazirave shkatërruese të para disa muajve në vendin fqinj. Fryma, sondazhet dhe vetë dita e zgjedhjeve do të konfirmojnë shumicën aktuale. Ndaj vizita e Papandreut do të regjistrohet si një moment solidariteti mes dy opozitarësh që do të vijojnë të mbetet në këto pozicione edhe për disa vite.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›