E Diel, 1 Nëntor 2026

Topalli: Vota me 28 qershor për Shqipërinë Europiane


Nënkryetarja e Partisë Demokratike, Jozefina Topalli deklaroi, gjatë vizitave në disa prej shtëpive të familjeve të vjetra dhe me traditë shkodrane në lagjen Tepe, se "vota më 28 qershor është vota për Shqipërinë europiane". Gjatë bisedave me ta, znj. Topalli u shprehu mirënjohjen për mbështjetjen e tyre ndaj reformave të Qeverisë Berisha. Nga ana tjetër, familjet shkodrane e siguruan znj. Topalli se më 28 qershor e gjithë Shkodra, sikurse e gjithë Shqipëria, do të votojë për vizionin e integrimit të Shqipërisë dhe shqiptarëve në Europë.


Më pas, znj. Topalli, vizitoi një nga bizneset më të fuqishme private në Shqipëri, një firmë farmaceutike me prodhim barnash veterinere, ku përgëzoi krijuesit e këtij biznesi për guximin dhe vullnetin për të krijuar dhe për të çuar përpara një treg të ri dhe të veçantë në farmaceutikën shqiptare. Nënkryetarja e PD-së, njëkohësihst kryesuese e listës së kandidatëvë në Shkodër, Topalli vizitoi edhe punishten e maskave dhe fustaneve, një ndër më të njohurat në Europë, ku pa nga afër realizimin krejtësisht artizanal të maskave dhe veshjeve, të cilat përdoren nga industria kinematografike dhe hollivudiane. Topalli zhvilloi një takim entuziast edhe në një kompleks fasonerie dhe prodhim këpucësh të disa prej markave më të njohura europiane, ku janë të punësuara mbi një mijë vajza dhe gra nga zona të ndryshme të veriut të vendit. Drejtuesit e fabrikës theksuan se eksportet e tyre në tregjet europiane janë rritur, kjo edhe falë mbështjetjes së politikave ekonomike të Qeverisë Berisha. Gjatë vizitës në ambientet e këtij kompleksi të konfeksioneve, Kryetarja e Kuvendit, nënkryetarja e PD-së, rikonfirmoi se gjatë mandatit të ardhshëm të Partisë Demokratike do të ketë më shumë punësim, më shumë lehtësira fiskale për biznesin dhe më shumë mirëqenie për punonjësit, veçanërisht për gratë.


Fjala e plotë e zonjës Topalli

Gjatë kësaj periudhe kam pasur takime të pafundme në të gjithë Shqipërinë. Kam pasur takime me shtresa të ndryshme, me kategori të ndryshme, me profesionistë të ndryshëm, me të rinj, me të reja. Nuk kam pasur takime me mjekë dhe infermierë dhe ky është i pari dhe unë nuk mund ta mbyllja fushatën elektorale, në mënyrë të veçantë në qytetin tim, në qarkun tim pa bërë një takim dhe pa shprehur mirënjohjen dhe falënderimin e thellë për çdo mjek, për çdo doktoreshë, për çdo infermiere, për të gjithë kontributin e tyre gjatë gjithë karrierës së tyre.
Unë nuk jam mjeke, por një gjë e kam shumë të qartë, që ajo që bëni ju, secili prej jush, çdo ditë, çdo orë të ditës, por edhe të natës, nuk është thjesht as zanat, as punë. Punën e mjekut e konsideroj si mision, dhembshuri, përkushtim. Unë, secilin prej jush, në njëfarë mënyrë, ju konsideroj heronj në atë që bëni. Ndaj dhe jam sot këtu. Në fakt nuk e kam parë ndonjëherë teatrin “Migjeni” të mbushur plot e përplot vetëm me përfaqësues të kësaj fushe. Unë ndihem mirë, për një fakt: gjë më të turpshme sesa t’i japësh infermierit një rrogë prej 15 mijë lekësh të vjetra, siç ka qenë para katër vjetësh nuk ka. Nuk është thjesht te masa e kufizuar e shpërblimit. Kjo do të thotë t’i heqësh dinjitetin tjetrit, ta përçmosh tjetrin, të mos e vlerësosh tjetrin. Dhe të shkosh pastaj te mjeku, i cili paguhej 220 mijë lekë të vjetra, 270 mijë lekë të vjetra, a diçka e tillë, gjë më të turshme nuk ka në asnjë vend të botës. As në Afrikë nuk ndodh që mjeku dhe infermierja, ata që të kanë në dorë jetën, shëndetin, që të japin frymë të trajtohen në mënyrë të tillë. Padyshim që ka qenë detyrë e Qeverisë sonë për t’i rritur këto rroga dhe unë ndihem mirë që infermierëve u është dyfishuar rroga, po ashtu edhe mjekëve. Jam tërësisht e ndërgjegjshme se kjo rritje duhet të vazhdojë dhe do të vazhdojë në mandatin tonë të dytë. Sigurisht, unë, ndoshta për faktin se kam qenë gruaja e parë Kryetare e Kuvendit, pa më thënë njeri, por thjesht nga vetja, e kam ndjerë si detyrë se duhet të bëja diçka për shëndetësinë, pa ditur sesi sepse unë nuk jam mjeke. E vetmja gjë që dija ishte se mund të sensibilizoja vajzat e reja, gratë e reja, nënat e reja, për të bërë kujdes për shëndetin e tyre. E kam filluar pa e kuptuar se çfarë do vinte më pas, në një takim në Vlorë dy vite më parë. Në atë takim në Vlorë, apo në shumë takime të tjera vetëm me gra që kam bërë në Fier, në Elbasan, në fshatra, në komuna të ndryshme, unë as nuk dija të shpjegoja, por vetëm u thoja se duhet të bënin mamografinë dhe pap-testin. Ajo çfarë kam kuptuar pas gjithë këtyre takimeve, ishte se numri i zonjave, vajzave dhe grave që shkonte për të bërë kujdes rritej nga dita në ditë. Kjo, natyrisht më bën të ndihem mirë, pjesa tjetër ju takon ju. Cila është detyra jonë? Reforma në shëndetësi është reforma më e vështirë, më e shtrenjtë, në të cilën shumë herë shumë qeveri dështojnë. Një ndër debatet më të ashpra dhe më të forta edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës kjo qenë. Si në dy zgjedhjet e mëparshme, edhe në fushatën e fundit presidenciale kjo ka qenë: reforma në shëndetësi. Është jashtëzakonisht e vështirë. Në Shqipëri natyrisht nuk është më e lehtë. Por, një gjë është e sigurtë: unë di që shumica prej jush kanë votuar Partinë Demokratike dhe unë ju falënderoj. Ata që nuk kanë votuar PD-në ose ata që nuk kanë shkuar të votojnë, që është e drejta e tyre, unë dua t’u them me sinqeritet: është fat që të kesh Kryeministër një mjek. Është fat që të kesh Kryeministër një mjek me një bashkëshorte mjeke. Kushdo tjetër të ishte Kryeminstër nuk do t’ju kupton ashtu siç ju kupton një mjek. Unë Sali Berishën e kam parë në disa momente edhe të përqëndruar, nuk e fsheh, edhe të nervozuar me ndonjë ministër që kemi pasur. Unë e di që atij i dhemb shpirti për shëndetësinë dhe si kryeministër e ka dyfishuar buxhetin për shëndetësinë. Nga 62 miliardë lekë e ka çuar në 137 miliardë lekë. Kjo është detyra e Qeverisë dhe e Parlamentit. Kjo ka qenë dora e Kryeministrit. Ka qenë detyra e tij dhe ka bërë shkëlqyeshëm që ka dyfishuar rrogat. Pjesa tjetër mbetet në shkallët më të ulëta të piramidës.
Unë sot dua t’ju them një gjë: Partia Demokratike do i fitojë përsëri zgjedhjet. E vetmja gjë që dua t’i premtoj përmes jush çdo mjeku dhe çdo infermieri dhe sistemit të shëndetësisë në tërësi: Ministria e Shëndetësisë nuk do të mbetet më në duart e partive të vogla, do e menaxhojmë vetë. Sepse, vetëm forcat e mëdha marrin përgjegjësitë e mëdha. 28 qershori për ne si politikanë është një ditë në të cilën gjykohemi për bilancin tonë. Ky 28 qershor kësaj radhe është ndryshe nga të gjitha zgjedhjet e tjera, të paktën për sa kohë unë jam në politikë dhe nuk janë pak vite. Si asnjëherë tjetër, këtë herë shqiptarët e kanë vendosur shumë ditë përpara. Nuk e kanë lënë as për dy javët e fundit, as për javën e fundit, as për të para mitingun e jashtëzakonshëm që ju keni bërë te sheshi “2 prilli”, as për të parë qytetet e tjera. shqiptarët kanë vendosur për të ecur me një ritëm edhe më të shpejtë se ç’po ecën edhe ndonjë vend i Bashkimit Europian dhe kjo është në radhë të parë për shkak të një energjie të jashtëzakonshme, të pashembullt, të çdo shqiptari dhe të çdo shqiptareje. Së dyti, është për shkak të një qeverisjeje me sens të madh përgjegjësie. Jemi përpjekur të punojmë me forcën e thellë të shpirtit dhe të vullnetit të mirë dhe jo të kërkesës për para. Jemi përpjekur të bëjmë çdo gjë me ritmi që kërkon koha dhe me dashurinë që kërkon ky vend dhe jo nisur nga përfitimi dhe interesat. Kjo ka dhënë rezultate të jashtëzakonshme. Ky vend jo për fajin tonë, por për fatin tonë, ka një histori pushtimesh dhe diktaturash; histori vuajtjesh, histori fukarallëku, histori braktisjesh, histori të një imazhi të pamerituar. Vetëm gjatë kësaj periudhe ka ndryshuar, për shkak të një insistimi të paparë për të ecur përpara me reformat, reformat që kanë qenë të vështira, jashtëzakonisht të vështira. Më besoni që ku kalonim reformat që shkonin dhe tentonin të ndryshonin sistemin në rrënjë ishte tmerrësisht e vështirë. Ju e keni parë edhe në Parlament në momente të caktuara. Por, kjo ndodhte edhe në çdo zyrë. Sa herë që kërkon të bësh hapin shumë më të madh nga ç’mund të kuptojnë të tjerët, edhe për shkak se nuk e kuptojnë, por edhe për shkak të rezistëncës që sistemi i vjetër bën në çdo dhe në çdo sekondë, natyrisht që kjo kërkon kurajo, kërkon vendosmëri dhe mbi të gjitha kërkon që të mos tërhiqesh edhe kur të sulmojnë, të sulmojnë dhe të sulmojnë pafund.
Këtë e kemi bërë çdo ditë dhe për këtë ndihem shumë mirë. Ka qenë rezultat i kësaj kurajoje, i këtij përqëndrimi dhe i këtyre reformave që në buxhetin e shtetit gjatë këtyre katër viteve kemi shtuar 5,2 miliardë euro, një shifër e paimagjinueshme, ndërkohë buxheti i shtetit në vitin 2005 në total ishte 2,5 miliardë dollarë. Këto të ardhura, këto shtesa kanë ardhur vetëm si rezultat i luftës kundër korrupsionit në çdo fushë, në çdo sektor.
Ajo që ne kërkojmë kësaj radhe dhe unë do dëshiroja që përmes jush t’ia transmetoja çdo qytetari është që: Edvin Rama në fakt realisht nuk vlen që të merresh me të. Kësaj radhe edhe për shkak të sistemi elektoral, gara nuk është midis kandidatëve për deputetë. Për shkak të ndryshimit të të gjithë sistemit, deputet në çdo zonë, në çdo vend të Shqipërisë është vetëm Sali Berisha. Çfarë do të thotë kjo? Kjo do të thotë që ne nuk e kemi luksin për të humbur asnjë votë për asnjë parti tjetër të vogël, sepse është e votë e humbur.
Unë nuk besoj se shqiptarët kanë luksin për të çuar vota të humbura.
E dyta, background-i i njërit dhe background-i i tjetrit. Një person që tridhjetë vjet të jetës së tij ka qenë mjek dhe mjek i shkëlqyeshëm, ka qenë i përkushtuar ndaj pacientit dhe shërimit të tij, optimizmit të tij, momentit psikologjik të tij si Sali Berisha, është rast i rrallë. Së dyti, njëzetë vjet ka qenë pedagog. Pedagogu vendos me studentin një raport që është i jashtëzakonshëm. Influenca e të cilit në jetën e secilit prej nesh nuk përfundon kurrë, nuk dihet se ku përfundon.
Së treti, është i vetmi reformator që unë njoh në Shqipëri dhe besoj dhe në rajon dhe, për këtë, ne si shqiptarë duhet të ndihemi krenarë. Besoj se në historinë 100 vjeçare, edhe po të lexoni historitë politike të vendeve të tjera, nuk gjeni një njeri që të ketë rrëzuar një sistem si sistemi komunist, që të ketë reformuar vendin e vet që vinte nga një sistem totalisht i izoluar, i kolektivizuar, ku ndalohej feja, ku ndalohej të mendoje, ku ndalohej të këndoje, ku ndalohej të shoqëroheshe, ta transformonte dhe ta sillte në një Shqipëri që të jepte shpresë, në një Shqipëri që kalon në tregun e lirë, që të jep mundësi për të ecur përpara dhe për të zhvilluar ekonominë. Nuk di një politikan tjetër që ta kenë rrëzuar me armë, siç kanë rrëzuar Sali Berishën dhe një politikan që të rikthehet përsëri me votë, ndryshe nga dhuna. Nuk di një reformator më të madh që në një kohë kaq të shkurtër ta ketë bërë vendin e vet të bëjë një rrugë kaq të jashtëzakonshme dhe të shpejtë zhvillimi, rritjeje dhe ngjitjeje ekonomike, sociale, edukimi, integrimi, në të gjitha aspektet. Fakti që sot ne jemi anëtarë të NATO-s nuk është diçka e thjeshtë, më besoni. Unë që kam pasur rastin dhe fatin për të takuar politikanë të ndryshëm ndërkombëtarë, pavarësisht se ata ishin të sjellshëm me mua, nuk donin të më ofendonin, por unë ndieja se çfarë ata mendonin për Shqipërinë dhe për shqiptarët. Dhe kjo nuk ka qenë një rast, por për vite të tëra. Nuk është se avokatia që secili prej nesh i ka bërë vendit tonë, ka bërë të mundur që Shqipëria të jetë në NATO. Kjo është paralelja pasi bën reformat dhe pasi i bën të besojnë se vendi vërtet nuk është më një vend që s’ka as dritë, që s’ka as ujë, që s’ka as kanalizime, një vend ku plehrat janë të përhapura kudo, një vend që është klasifikuar si vendi i sistemi të kleptokracisë, një vend ku vidhet gjithkund, një vend ku nuk ke siguri.
Si mund të jesh anëtar i Bashkimit Europian me të gjithë këto probleme? Të gjitha këto probleme të përmbusyra dhe të zgjidhura na kanë dhënë mundësinë që, në fund të fundit, një vend i vogël, me popullsi prej 3 milionë banorësh, që përsëri ka halle dhe probleme për të zgjidhur, të kemi të njëjtën të drejtë dhe të njëjtën votë si Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kjo është e paimagjinueshme. Kjo është e jashtëzakonshme.
Duke e mbyllur dhe duke ju falënderuar, do ju ftoja si Jozefinë, si bashkëqytetare e juaja, të gjithë miqtë e mi që i kam pasur në shkollë, të gjithë mjekët që janë kujdesur për fëmijët e mi, për ata që janë kujdesur për prindërit e mi, edhe të gjithë atyre që nuk i kam njohur më parë: Bëjeni për Shqipërinë dhe shkoni të votoni numrin 10! Votoni Partinë Demokratike!
Në fund të fundit është një akt atdhedashurie! Është një akt përkushtimi dhe vote për fëmijët tuaj, për të ardhmen tuaj, për Shqipërinë tonë të integruar, për Shqipërinë në Bashkimin Europian!
Unë edhe njëherë ju falënderoj secilin prej jush. Unë e di sa influencë çdo mjek, çdo infermiere dhe çdo familje ka për të ardhmen.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›