E Shtunë, 31 Tetor 2026

Solis: Berisha të pezullohet, Topalli të shkarkohet

Autori i Lajmit: Suela Topi
“Do votoj përjetësisht për tu shkarkuar Topalli, sepse është personi më negativ, dhe është ajo fajtore. Pikë së dyti do ishte mirë të shkarkohej dy javë Berisha se është fajtor shumë herë më i madh se sa Balla. Për Topallin e depozitoj në Bankë të Kursimit votën time për shkarkim”

Zërave të opozitës për shkarkimin e kryetares së Kuvendit Jozefina Topalli i janë shtuar edhe politikanë nga radhët e mazhorancës. Deputeti i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, Leonard Solis kërkon përjashtimin e Kryeministrit Sali Berisha nga Parlamenti dhe shkarkimin e Kryeparlamentares Topalli. Në një deklaratë mediatike ai ka pohuar se pas incidentit të ndodhur në seancën plenare të 21 korrikut duhet të ndëshkohej me pezullim jo vetëm deputeti Taulant Balla por dhe kryeministi, Sali Berisha. Ai kritikoi gjithashtu dhe kryetaren e Kuvendit të cilën e konsideroi si fajtore të situatave aspak të këndshme të krijuara në Kuvend. Solis u shpreh i bindur pro shkarkimit të Topallit nëse do të ketë një nismë të tillë.
Deklarata
Sekretari i Përgjithshëm i PBDNJ-së, thotë se shefi i qeverisë duhet të penalizohet për incidentin e një jave më parë me deputetin socialist Taulant Balla në sallën e Parlamentit. Ai akuzon kryeparlamentaren Topalli si dirigjente të këtij incidenti dhe shpreh hapur votën e tij, pro shkarkimit të saj në iniciativën më të parë që mund të ndërmarrë opozita. “Pikë së pari gafa më të rëndë ska, prandaj do votoj përjetësisht për tu shkarkuar Topalli, sepse është personi më negativ, dhe është ajo fajtore. Pikë së dyti do ishte mirë të shkarkohej dy javë Berisha se është fajtor shumë herë më i madh se sa Balla. Për Topallin e depozitoj në Bankë të Kursimit votën time për shkarkim”, - deklaron prerazi Solis. Qëndrimi i tij vjen pas incidentit të rëndë të ndodhur në Kuvend gjatë seancës plenare të 21 korrikut. Kryeministri Sali Berisha dhe deputeti Taulant Balla kanë shkëmbyer sharje dhe ofentime me njëri- tjetrin të cilat kanë degraduar shumë. Replikat mes tyre janë shoqëruar dhe me tonin e ashpër të kryeparlamentares që ka urdhëruar nxjerrjen jashtë sallës, të deputetit Balla. Një ditë më vonë, byroja parlamentare pa praninë e opozitës, me 4 vota pro dhe një abstenim, vendosi pezullimin e deputeti Balla për 15 ditë. Ky qëndrim nuk u mirëprit nga opozita. Ndryshe nga herët e tjera, Partia Socialiste dhe Lëvizja Socialiste për Integrim të mbështetura dhe nga Partia Socialdemokrate dhe Demokracia Sociale kanë kritikuar ashpër qëndrimin e Berishës por dhe të kryeparlamentares. Madje LSI po këmbëngul që Partia Socialiste të aktivizojë mocion për shkarkimin e Topallit, i iniciuar pak javë më parë por i pa vënë në jetë. Këtë kërkesë e ka mbështetur edhe PSD e PDS ndërkohë që socialistët edhe nuk kanë dhënë një përgjigje të qartë për të. Në të njëjtën ditë kur Meta nxiti PS-në për të riaktivizuar këtë mocion, nënkryetari socialist i Kuvendit, Ylli Bufi tha se do të shqyrtohet kjo gjë sepse sjella e Topallit ishte e patolerueshme dhe në shkelje me rregulloren e Kuvendit dhe me Kushtetutën. Ndërkohë që kryesocialisti Rama ka dënuar fjalorin e Berishës duke e konsideruar atë një turp të cilin shqiptarët duhet ta kujtojnë ditën e votimit. Por pavarisht këtyre deklaratave, qëndrimi i Ramës duket disi më i zbutur nga ajo çka prisnin deputetët socialistë.
Ky lajm është publikuar: 28/07/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›