E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topalli-Berisha shkaktarë të incidenteve në Kuvend

Autori i Lajmit: red.
Dyshja Topalli-Berisha është shkaktare e incidenteve në Parlament dhe e përplasjes së opozitës me mazhorancën. Këto akuza vijnë nga kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta i cili mori pjesë në Konferencën e Lëvizjes Rinore për Integrim në njësinë bashkiake nr.1 në Tiranë. Ai vlerësoi kontributin e LRI-së ndërsa pohoi se të rinjtë kanë një mision të përbashkët, atë të integrimit të vendit në BE-së. “Duke u bashkuar këtu, duke punuar në mënyrë më të organizuar, unë jam i bindur se vitin e ardhshëm LSI-ja pa dyshim do të jetë forcë kryesore jo vetëm në rezultatin elektoral, por edhe në qeverisjen e vendit", - citoi ai. Sepse sipas Metës, ky vend ka nevojë që të ndahet nga keqqeverisja e deritanishme. Duke u ndalur në projektet e LSI-së për rininë, Meta nënvizoi se me Berishën as pas 2090-ës nuk mund të jetë prioritet rinia, sepse Berisha ka vetëm një prioritet, si të pushtojë të gjithë institucionet, si të uzurpojë të gjithë jetën politike dhe ekonomike në vend, si të pasurojë veten e tij dhe klanin e tij dhe për këtë nuk ndalet as përpara tragjedive që shkaktohet nga paaftësia e tij dhe Qeveria e tij, si ajo e Gërdecit. Kreu i LSI-së u shpreh më tej se një qeverisje të tillë dhe një politikë të tillë nuk mundet kurrsesi të ketë prioritet rininë, nuk mundet të ketë prioritet të ardhmen. Meta është ndalur gjerësisht në sjelljen e Berishës në sallën e Parlamentit ndërsa deklaroi se LSI distancohet ashpër nga skenat e dhunës verbale dhe politike të iniciuara dhe të realizuara nga dyshja Berisha –Topalli. “Kjo dyshe të eksituar në euforinë e pushteteve të pakufizuara, pasi bllokuan për muaj të tërë ngritjen e Komisionit Hetimor Parlamentar për tragjedinë e Gërdecit, dhe pasi dhunuan në mënyrë antidemokratike në Natën e 21 Prillit, Kushtetutën, pasi grabitën me një rregullore antikushtetuese një pjesë të mirë të kompetencave të Presidentit të Republikës, në natën e 21 Korrikut kërcënuan se do të zhdukin edhe deputetë në Kuvendin e Shqipërisë”, - përfundoi ai.

Ky lajm është publikuar: 28/07/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›