Sot seanca e parë e Kuvendit, të enjten betimi i deputetëve
Seanca e parë e Kuvendit synohet të realizohet si ditë feste. Në ora 18:00 seanca e parë e kësaj legjislature zyrtare, e cila duket vetëm si formale, do të drejtohet nga deputeti më i vjetër në moshë, që në këtë rast pritet të caktohet demokrati Fatos Beja. Mungesa e PS-së, ku ishte parashikuar që seanca të drejtohej nga Namik Dokle, nxori si kandidat për drejtimin kryeministrin aktual Sali Berisha. Por kreu i PD-së ka refuzuar një gjë të tillë, duke ia lënë drejtimin e saj ish-nënkryetarit të Kuvendit, Fatos Bejës. Në bazë të pikës 1 të nenit 1 të Rregullores sanksionohet se “mbledhja e parë e legjislaturës së Kuvendit, deri në zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit, hapet dhe drejtohet nga deputeti më i vjetër në moshë. Në rast mospranimi ose mungese, mbledhja drejtohet nga deputeti që është pas tij më i vjetër në moshë”. Në pikën 2 të saj sanksionohet se tre deputetë, ndër deputetët me moshën më të re, caktohen nga drejtuesi i seancës të kryejnë përkohësisht detyrën e Sekretarisë së Kuvendit deri në zgjedhjen e Byrosë së Kuvendit, ku përbërja e Sekretarisë pasqyron, për aq sa është e mundur, përbërjen politike të Kuvendit siç del nga rezultati i zgjedhjeve. Gjithashtu, është sanksionuar se deri në zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit nuk zhvillohet asnjë debat. Drejtuesi i seancës Beja do të ftojë më pas Kuvendin që të zgjedhë një komision të përkohshëm për Verifikimin e Mandateve të anëtarëve të Kuvendit. Komisioni përbëhet nga 9 deputetë dhe pasqyron, për aq sa është e mundur, përbërjen politike të Kuvendit siç del nga rezultati i zgjedhjeve. Propozimet për përbërjen dhe Kryesinë e Komisionit bëhen nga përfaqësuesit e grupimeve politike dhe miratohen nga Kuvendi me votim të hapur, me shumicën e votave, në prani të më shumë se gjysmës së të gjithë anëtarëve të tij. Komisioni i Përkohshëm për Verifikimin e Mandateve shqyrton dokumentacionin përkatës të zgjedhjeve dhe brenda 2 ditëve i paraqet Kuvendit në seancë plenare raportin për vlefshmërinë e mandateve të deputetëve të Kuvendit. Në rast se Komisioni vëren paligjshmëri në zgjedhje, i propozon Kuvendit dërgimin e çështjes në Gjykatën Kushtetuese. Kërkesa drejtuar Gjykatës Kushtetuese, e hartuar nga Komisioni, duhet të nënshkruhet nga jo më pak se një e pesta e të gjithë deputetëve brenda 3 ditëve nga leximi i raportit.