PD mbledh sot grupin parlamentar
Partia Demokratike do të zhvillojë sot mbledhjen e parë të grupit të ri parlamentar gjashtë orë para nisjes së punimeve të Kuvendit të ri. Burime nga kjo forcë bëjnë të ditur se 68 deputetët e kësaj partie janë njoftuar që sot në orën 12:00 do të jenë të pranishëm në mbledhjen e grupit kuvendor, që do të zhvillohet në ambientet e kryesisë së Kuvendit. Në këtë takim të parë pas zgjedhjeve të 28 qershorit, i pranishëm do të jetë edhe Kryeministri Sali Berisha, dy nënkryetarët e partisë, Jozefina Topalli dhe Astrit Patozi si dhe sekretari i përgjithshëm, Ridvan Bode. Gjatë takimit, pritet që kreu i demokratëve t’i urojë deputetët për këtë sesion të ri parlamentar si dhe t’u kërkojë atyre mbështetje për reformat e rëndësishme që do të jenë prioritet të qeverisë gjatë mandatit të dytë. Kjo mbledhje zhvillohet në një moment kur ende nuk është konfiguruar plotësisht kabineti qeveritar.