E Shtunë, 31 Tetor 2026

Solisti korçar çon "shëtitësit" e Augsburgut në vendlindje

Të ardhur nga Gjermania, kamersolistët e Augsburgut kanë zbritur në skenën e teatrit "Çajupi" në Korçë, me një performancë mbresëlënëse, që ka ngjallur emocione te publiku. Tingujt e muzikës klasike që kanë mbushur skenën dhe sallën e teatrit, kanë përçuar te spektatorët artdashës pjesë klasike të nxjerra me kujdes nga moria e veprave të autorëve të mëdhenj botërorë klasikë, për të pasuruar repertorin e programit koncertor të formacionit gjerman. Formacioni gjerman me kamersolistët e Augsburgut, me një veprimtari të pasur konceptore ka zgjedhur Korçën si pjesë e një turneu me muzikë klasike, edhe për faktin se një prej solistëve të formacionit, violinisti Markelian Kocibelli, është nga ky qytet. Edhe pse për herë të parë në një koncert enkas për publikun korçar, arti i përcjellë nga kamersolistët nëpërmjet harqeve dhe tingujve të veglave muzikore, kanë bërë që aktet e programit koncertor të ndërpriten nga duartrokitje të fuqishme, të cilat kanë shpërndarë emocione edhe për grupin e artistëve gjermanë. Kryeveprat klasike të së kaluarës kanë qenë pjesë e repertorit të pasur të orkestrës së Augsburgut, që drejtohet nga mjeshtri Herman Meyer.

Formacioni gjerman, që është vlerësuar në rang ndërkombëtar për veprimtarinë e pasur artistike, ka vendosur të shfaqë performancën e radhës në një qytet si Korça, pasi siç kanë pohuar vetë artistët, emri i këtij qyteti është dalluar për traditën muzikore dhe dashurinë ndaj artit e kulturës.

Me 150 koncerte të muzikës instrumentale, në një shtrirje kohore prej 19 vitesh, formacioni gjerman ka pasuruar aktivitetet koncertore nëpër botë, duke i dhënë më shumë shpirt qytetit si një dhuratë që ka ardhur falas për spektatorin. Me programin e radhës në qytetin e një prej solistëve kryesorë, Markelian Kocibelli, që ka qenë që në fillimet e kësaj orkestre pjesë e saj, formacioni i Augsburgut ka sjellë në qytetin e serenatave pjesë të shumta dhe interpretimet e solistëve.

Formacioni ka organizuar shumë turne, ku ka marrë edhe një vlerësim për suksesin pikërisht në Korçë. Repertori i pasur ka përfshirë pjesë klasike që nga fillimet e muzikës baroke, deri te kryeveprat e njohura botërore që kanë qenë pjesë e veprave të zgjedhura programatike. Solistët e Augsburgut, të cilët janë pritur me madhështi në qytetin e Korçës, kanë marrë vlerësimin me duartrokitje kur janë ekzekutuar pjesët koncertore të programit që ka përhapur për më shumë se një orë tingujt e violinave, violave dhe violonçelave, por edhe ato të klarinetës. Artistët e huaj kanë shtuar programin me kërkesën e publikut që ka mirëpritur këtë koncert, ndërsa nuk kanë munguar surprizat kur vetë dirigjenti është ulur për të ekzekutuar një pjesë në violonçel, nën dirigjimin e violinistit korçar. Formacioni gjerman ka performuar me pjesë të famshme të kompozitorëve botërorë si: Sebastian Bah, Mozart, Gaetano, Shubert, Vivaldi dhe një pjesë të kompozitorit korçar Endri Sino, ///////Hapësirë. Stefan Shwab ka interpretuar në klarinetë, koncert për klarinetë dhe orkestër nga Mozart, ndërsa violinisti korçar Kocibelli ka sjellë performancën e tij me "Dimrin" e Vivaldit, duke zgjedhur edhe stinën e veçantë si një dhuratë për qytetin në kohë dimri. Fakti se koncerti është mirëpritur nga korçarët, ka rikthyer në skenë edhe pas mbylljes së programit koncertor formacionin gjerman, që ka luajtur edhe dy pjesë të tjera vetëm për qytetin juglindor.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›