E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Ditët e Mios" shtojnë fondin e galerisë së Korçës

Të paktën 45 piktorë vendas dhe të huaj kanë thyer çdo kufi, duke u bashkuar nëpërmjet artit figurativ me një ekspozitë të përmasave ndërkombëtare. Piktorë të huaj nga Japonia, Austria, Zvicra, Rumania, Kosova, Greqia etj., kanë shtuar në galerinë e arteve "Guri Madhi" në Korçë larminë e punimeve të derdhura në telajo. Arti i penelit ka mbledhur në Korçë piktorë të mirënjohur vendas dhe të huaj, të cilët kanë prezantuar në një ekspozitë punimet e realizuara gjatë shëtitjes në vendet më piktoreske, nga ku janë frymëzuar për të hedhur në telajo artin e konceptuar në forma të ndryshme dhe që ka marrë ngjyra e stil në një galeri ku janë vendosur për t‘u parë nga artdashësit.

Mbi 120 piktura të realizuara, që janë vlerësuar nga ana e kolonisë së piktorëve si më të arriturat deri më tani në aktivitete të përbashkëta, nga këndvështrimi që çdo artist i ka dhënë këtij aktiviteti kulturor që i dedikohet piktorit Vangjush Mios, kanë dalë një larmi krijimesh me vlera të veçanta.

Duke ecur në rrugën e Mios, me peizazhe dhe trajtimin e natyrës nëpërmjet artit figurativ, 45 piktorët kanë marrë edhe vlerësimin jo vetëm nga njerëzit e kulturës dhe kolegët, por edhe nga qytetarë të thjeshtë, që kanë vizituar nga afër punën e tyre artistike.

Me punimet e tyre të marra nga natyra nën hapat e Mios, artistët piktorë janë prezantuar në Korçë në një ekspozitë të përbashkët ndërkombëtare që i paraprin konkursit të madh të fundvitit, ku do të vlerësohem me çmime piktorët më të mirë. Të paktën 120 piktura, mes ngjyrave dhe peizazheve të shumta, përtej kornizave të artit, në syrin e piktorëve, kanë sjellë për publikun natyrën dhe vendet piktoreske të Korçës nga ku është frymëzuar Mio, ndërsa shumë të tjerë e kanë parë peizazhin me nota abstrakte. Arti figurativ nga peneli i piktorëve ka derdhur në telajo me një tematikë të lirë pikturat që kanë dalluar një autor nga tjetri për mënyrën e trajtimit, ngjyrave të përdorura dhe stilit, por në galeri kanë dominuar peizazhet nga punimet e 45 piktorëve shqiptarë dhe të huaj. Si rrallëherë, galeria e arteve "Guri Madhi" është mbushur nga dashamirësit e artit dhe pikturës për të ndjekur nga afër këtë ekspozitë ndërkombëtare. Secili artist vendas dhe i huaj, pjesëmarrës në këtë ekspozitë, i ka dhuruar galerisë së arteve në Korçë një nga punimet e tij, që do të mbetet në fondin e pasur të qytetit me tradita në pikturë. Piktorët e kolonisë artistike kanë qëndruar për disa ditë në Korçë, ku kanë shëtitur dhe vizituar vendet më piktoreske, të cilat kanë frymëzuar edhe punimet e tyre, nën titullin e kësaj ekspozite: "Ditët e Mios".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›