E Diel, 1 Nëntor 2026

Kultura ballkanike nën unionin politik

02/04/2005  Në Kopenhagen është institucionalizuar bashkëpunimi i ministrave të Kulturës së Evropës Juglindore në një union, nismë kjo e ministrit të Kulturës shqiptare, Blendi Klosi; ministrat e Kulturës firmosën dhe kartën e bashkëpunimit kulturor të Këshillit të Ministrave të kulturës së EJL-së

Pas takimit “të nxehtë” të Mostarit, ministrat e Kulturës së Evropës Juglindore ligjërojnë idenë e Unionit Ballkanik në vendet nordike. Nëntë vende të Evropës Juglindore kanë firmosur për herë të parë, në Danimarkë, kartën për bashkëpunim kulturor të Këshillit të Ministrave të Kulturës së Evropës Juglindore. Vendet nënshkruese ishin: Shqipëria, Bullgaria, Kroacia, Rumania, Turqia, Serbia e Mali i Zi, Greqia dhe Maqedonia. Konkluzioni i gjithë rrugës së tyre është përfshirë në një letër formuluar nga të gjithë ministrat e Kulturës në rajon, ku theksi vihet në shkëmbimin e përvojave dhe harmonizimin e kulturave.

Edhe pse kanë qenë koshientë për bashkëpunimin qysh më herët të njerëzve të kulturës, Këshilli i Ministrave të Kulturës të EJL-së ka bërë institucionalizimin politik të tij. Nisma ishte që në krye e ministrit të Kulturës shqiptare, Blendi Klosi, të cilit i ka takuar dhe “fjala” kryesore në këtë ndërmarrje politike për kulturën ballkanike.

“Në kuadër të procesit të integrimit evropian, një prej objektivave tona është shndërrimi i kulturës nga një forcë abuzive e tendencave nacionaliste, e cila është ndeshur shpesh në rajon, në një pikë referimi për zhvillim social dhe mirëkuptim midis njëri-tjetrit”, ka thënë Klosi.

Ndërsa ka ruajtur pozicionin e postit politik, Klosi i kushton vëmendje problemeve të koordinimit, por këto nuk mund të përceptohen po qe se nuk ndërhyn “vullneti politik”, duke e konsideruar si faktor përcaktues.

Duke pasur si model eksperiencën e këshillit të unionit nordik, leksionet kanë vlejtur dhe për ministrat e Kulturës të Evropës Juglindore, duke qenë në institucion unik që ngrihet për herë të parë në rajonin tonë.

Këshilli i Ministrave të Kulturës të vendeve të Rajonit të EJL-së, do të jetë një strukturë në nivel të lartë politik vendimmarrës dhe më pas ekspertët do mblidhen për të hartuar një plan-aksion me veprimtari konkrete në fushën e kulturës.

Pas kësaj, Shqipëria merr presidencën e para, sipas rendit alfabetik, dhe pas një viti do t’ia dorëzojë Bullgarisë. «Gjatë takimit të gjithë ministrat e Kulturës kanë shprehur angazhimin e tyre për ta mbështetur dhe zhvilluar këtë strukturë, angazhim të cilin e kanë finalizuar me nënshkrimin e kartës për bashkëpunim të Këshillit të Ministrave të vendeve të rajonit të EJL-së. Në fund të gjithë ministrat në një ceremoni të veçantë kanë nënshkruar deklaratën përfundimtare të këtij këshilli, në prezencë edhe të anëtarëve të Këshillit Nordik”, bën të ditur zëdhënësja e shtypit pranë Ministrisë së Kulturës, Anila Leka.Letra e ministrave të Kulturës të Evropës Juglindore

Ne, ministrat e Kulturës të Evropës Juglindore, duke e konsideruar Ballkanin si një ndër rajonet e rralla në botë, ku kryqëzohen në mënyrë të mirëfilltë dhe mbresëlënëse kulturat dhe qytetërimet e lashta, vlera nga më të çmuarat të trashëgimisë kulturore materiale dhe jo materiale, dhe bashkëjetesa ndërfetare.

Duke patur në vëmendje ndryshimet themelore në aspektin politik e ideologjik brenda rajonit tonë gjatë dekadës së fundit.

Duke vlerësuar zhvillimet dhe proceset integruese, në të gjitha fushat, në botë dhe në rajonin tonë, të cilat kanë krijuar kushte dhe mundësi të reja që vendet e rajonit të ngrenë në një nivel më të lartë bashkëpunimin dhe bashkëveprimin ndërmjet njëri-tjetrit.

Duke sjellë në vëmendje, në kuadër të integrimit dhe bashkëpunimit evropian angazhimin e vendeve të rajonit për të punuar së bashku në fushën e politikave kulturore.

Duke patur parasysh se ka ardhur koha që, në kontekstin e ruajtjes dhe promovimit të diversitetit kulturor të rajonit, të ndërtohet një hapësirë racionale për bashkëpunim në fushën e kulturës.

Duke ditur se diversiteti dhe shkëmbimi kulturor përbëjnë një element të domosdoshëm të shoqërive, të organizuara dhe që funksionojnë mbështetur në shtetin e së drejtës, në respektimin e të drejtave të njeriut dhe lirive themelore.

Duke konsideruar se diversiteti dhe identiteti forcohen dhe respektohen më shumë, atëherë kur ne i afrohemi njëri-tjetrit, bashkëpunojmë, shkëmbejmë informacione dhe përpiqemi të ngremë një hapësirë kulturore gjithëpërfshirëse, ku secili të gjejë natyrshëm vetveten.

Duke pranuar se shkëmbimi i vlerave kulturore dhe trashëgimore përbën mjetin e vetëm për ruajtjen e paqes, mirëqenies dhe harmonisë në rajon.

Duke pohuar se trashëgimia jonë kulturore e përbashkët është pjesë e kulturës evropiane si dhe një vlerë më shumë për të bashkuar njerëzit e Evropës.

Të vetëdijshëm se politikat dhe programet kulturore do të hartohen, miratohen dhe zbatohen më mirë në nivel ndërkufitar, përmes përpjekjeve, strategjive dhe mekanizmave të përbashkëta.

Jemi të vendosur për të krijuar përmes kësaj Karte, Këshillin e Ministrave të Kulturës së Evropës Juglindore, që më poshtë do të quhet Këshill. Ky Këshill do të thotë një bashkim i vullnetshëm midis nesh, i cili synon të krijojë një forum për lirinë dhe shkëmbimin kulturor në Rajonin Juglindor, si dhe për herë të parë të vendosë bashkëpunim në fushën e kulturës nga vetë përfaqësuesit më të lartë politikë dhe vendimmarrës të kulturës së rajonit tonë.

Si do të funksionojë Unioni

1. Krijimi i strukturës së shërbimit civil pranë çdo ministrie dhe vendosja e kontakteve mes tyre.

2. Vendosja e netuorkut në nivel rajonal midis institucioneve për shkëmbimin e informacionit mbi aktivitete të përbashkëta, festivale, ekspozita të artit figurativ, panaire librash etj. Krijimi i kushteve për lëvizjen e lirë të artistëve, promovimin e përhapjes së njohurive dhe shkëmbimit të vlerave kulturore dhe artistike në rajon.

3. Mbështetja dhe gjetja e mundësive për ngritjen e një zyre të përbashkët koordinimi, marrëdhëniesh me publikun dhe informacioni me synim kthimin e saj në të ardhmen në një institut rajonal koordinimi, studimesh, kërkimesh dhe promovimi në fushën e kulturës.

4. Këshilli do të kontaktojë dhe do të krijojë marrëdhënie me të gjitha institucionet e rëndësishme ndërkombëtare, duke u njohur si strukturë shumë e rëndësishme në rajonin e Evropës Juglindore. Prioritare në këtë drejtim do të jetë vendosja e marrëdhënieve bashkëpunuese intensive me Bashkimin Evropian, kryesisht me organizmat e tij në fushën e kulturës.

5. Brenda këtij vitit, me qëllim përafrimin e strukturave shtetërore në fushën e kulturës, do të realizohet një konferencë e përbashkët midis vendeve pjesëmarrëse në këtë Këshill, duke pasur si synim “Përgjegjësitë dhe politikat shtetërore në kulturë”. Ky do jetë takimi i parë midis administratave shtetërore në fushën e kulturës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›