Sollaku: Shtyrja e statusit kandidat në BE, përgjegjësi e maxhorancës

Theodhori Sollaku
Shqipëria përsëri rrezikon të mos e marrë statusin e vendit kandidat e megjithatë duket se kjo situatë nuk ka sjellë ndonjë impakt negativ në shoqëri. Si e shpjegoni këtë situatë?
Mendoj se kjo lidhet së pari me nivelin e të kuptuarit nga shoqëria në tërësi të konceptit status i vendit kandidat për në BE. Jam i bindur se shumica e shqiptarëve nuk janë të ndërgjegjshëm për rëndësinë që ka fitimi i këtij statusi. Veçanërisht në këtë moment krize ekonomike që kalon Shqipëria, e reflektuar kjo në rritjen e fukarallëkut të shumicës së shqiptarëve, një sqarim më i drejtpërdrejtë, i thjeshtë dhe i kuptueshëm i këtij momenti përsa i përket, veçanërisht avantazheve që ai i krijon ekonomisë shqiptare në tërësi, pra edhe çdo familjeje shqiptare në veçanti, do ti shërbente zgjimit të ndërgjegjes shoqërore për të kërkuar konkretisht përgjegjësitë te klasa politike. E them këtë sepse shumica e njerëzve e identifikojnë hyrjen në Europë vetëm me përfitimin e lëvizjes së lirë, pra me heqjen e vizave, kur në fakt është gjë krejt tjetër.
Kryeministri thotë se është opozita përgjegjëse për mosmarrjen e statusit, sepse ka bllokuar Kuvendin duke mos votuar ligjet me tre të pestat. Si është e vërteta sipas jush?
Mendoj se është krejt e kundërta. Ajo çfarë thotë shpesh Kryeministri është demagogji, është një konkluzion që nuk shoqërohet me argumente, të cilat të lejojnë që të mund të nxjerrësh atë konkluzion që artikulon Kryeministri. Dhe kur konkluzionet nuk tregojnë argumentet, ato skanë asnjë vlerë, janë thjesht demagogji. Dihet prej kohësh që BE i ka kërkuar qeverisë shqiptare që të përmbushë disa detyra shtëpie, ose siç thuhet rëndom, 12 rekomandime. Për fat të keq, shqiptarët dinë pak ose aspak se çfarë përfaqësojnë këto rekomandime. Dhe këtu, veç medias, opozita duhet tia bëjë të ditura më mirë e më qartë opinionit publik këto rekomandime, me qëllim që të kontribuojë në ndërgjegjësimin e elektoratit, që ai të jetë në gjendje që pavarësisht tifozllëkut partiak, të mund të gjykojë me ftohtësi rëndësinë e përmbushjes së tyre dhe njëkohësisht të vërë gishtin mbi përgjegjësit e mospërmbushjes së këtyre detyrave. Miratimi i ligjeve me tre të pestat është vetëm një prej dymbëdhjetë detyrave dhe që duhej edhe kontributi i opozitës, që tashmë është përmbushur me miratimin së fundi të ndryshimeve në kode. Mund ta përdorte si justifikim qeveria vonesën në miratimin e këtyre ligjeve, nëse ajo do të kishte përmbushur 11 detyrat e tjera ekskluzivisht të saj, që duken shumë larg përmbushjes së tyre. Nëse statusi do të na jepej vetëm me miratimin e ligjeve me tre të pestat, ju siguroj se opozita do të rrinte gjithë kohën në Parlament, ditë dhe natë, për ta përmbushur këtë detyrim. Por vetëm miratim i ligjeve me tre të pestat është tepër e pamjaftueshme për të marrë këtë status, dhe për këtë BE nuk është aq naive sa mendon maxhoranca. Deklarimet e Kryeministrit për përgjegjësinë e opozitës mund të ngjizin tek elektorati i painformuar për këtë proces, por kurrsesi te pjesa tjetër e popullsisë, e veçanërisht te të huajt. Mirëfunksionimi i Parlamentit, zhvillimi i zgjedhjeve sipas standardeve ndërkombëtare, reformat në administratën publike dhe depolitizimi i saj, lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, mirëfunksionimi i Gjyqësorit dhe ndëshkueshmëria në mënyrë të njëjtë e personave pavarësisht nga pozita shoqërore, respektimi i të drejtave të njeriut, janë detyra që i takojnë maxhorancës, qeverisë, dhe jo opozitës.
Të vijmë te kodet që u miratuan këto ditë. Çfarë mendimi keni për procesin e miratimit dhe për përmbajtjen e tyre.
Mendoj se insistimi i BE për miratimin e kodeve dhe kërkesa ndaj opozitës që të jepte kontributin e saj, më tepër se sa me mbylljen e vakumit ligjor, lidhet me kthimin e normalitetit në funksionimin e Parlamentit. Unë mendoj se ne jemi jashtë Europës jo se nuk kemi hequr nga Kodi Penal dënimin për fyerje a shpifje, apo përse nuk dënojmë anëtarët e jurive të huaja për korrupsion. Në dijeninë time, 3-4 vende të Europës Perëndimore i kanë hequr nga Kodi Penal dhe të tjera i kanë ende në kodet e tyre. Ne jemi jashtë Europës sepse nuk janë përmbushur detyrat që përmenda më lart dhe që janë tërësisht detyra të maxhorancës. Përsa i përket përmbajtjes së kodeve të miratuara ditët e fundit, personalisht kam shumë rezerva, veçanërisht që një pjesë e tyre janë shkruar edhe keq, duke mos respektuar rregullat e teknikës legjislative, çka do të vështirësojë zbatimin e tyre nga gjyqtarët dhe prokurorët. Ka dispozita që janë gati një faqe dhe që me vështirësi kuptohet çfarë duan të thonë. Ndoshta duhet të jenë draftime nga misionet e huaja që asistojnë Drejtësinë shqiptare dhe për fat të keq, shqiptarët, përfshi edhe deputetët juristë, janë inferiorë ti kundërshtojnë. Ligjet bëhen për të orientuar sjelljet e njerëzve në shoqëri, dhe dihet që shumica e tyre ska si të jenë juristë. Për më tepër, gjykimi i veprimeve të njerëzve në kundërshtim me rregullimet ligjore do të bëhet nesër nga gjyqtarët, të cilëve duhet tu jepen ligje të shkruara qartë, pa ekuivoke apo me kondradiksione. Ndryshe, vetë ligjet lënë shtigje për mosaplikim të tyre për qëllimin përse u miratuan, apo më keq akoma, për korrupsion. Mendoj se duhet hequr dorë nga tendenca që të miratojmë çdo punim, draftim që prodhojnë zyrtarët e huaj që vijnë në Shqipëri për asistencë në periudha të shkurtra kohore dhe që duan të tregojnë se nuk kanë ndenjur kot te ne, por kanë prodhuar një produkt, aq më tepër kur ky produkt është ligj, pavarësisht se ndoshta mund të ketë qenë i panevojshëm. Ligjomania, mendoj se është fenomen i dëmshëm për shtetin e së drejtës.
U zhvilluan zgjedhjet për kryetarin e Partisë Socialiste të Tiranës, ndërkohë procese zgjedhore janë duke u zhvilluar edhe në rrethe të tjera të vendit. Si anëtar i Asamblesë Kombëtare të PS-së, si do ta gjykonit procesin?
Është e vërtetë që Partia Socialiste ndodhet në një proces riorganizimi të strukturave të saj në shkallë vendi. Veç Tiranës, janë duke u zhvilluar këto zgjedhje gati në 117 njësi vendore. Kam pasur rastin të ndjek një pjesë të tyre, veçanërisht në rrethin e Vlorës, dhe konstatoj se ka një angazhim të jashtëzakonshëm nga anëtarësia e partisë dhe një dëshirë për të zbatuar me korrektesë rregullat e statutit të partisë. Kjo provon se PS-ja është një parti serioze dhe tregon qartë se zbatimi i rregullave të partisë sot në opozitë është një pararendje ogurmirë për të pretenduar që nesër në pushtet PS-ja do të drejtojë shtetin vetëm mbi bazën e respektimit të Kushtetutës dhe të ligjeve të dala në bazë të saj. Ndryshe ndodh me forcën politike që sot është në pushtet, e cila, për fat të keq, ka trashëguar në qeverisje mentalitetin haxhiqamilist që ka dominuar në funksionimin e Partisë Demokratike si në opozitë, ashtu dhe sot në pushtet. Përsa u përket zgjedhjeve në Tiranë, mendoj se procesi ishte model i funksionimit të demokracisë në parti, ku të dy kandidatët, zi zoti Tahiri, ashtu dhe zoti Zela, i bënë nder anëtarësisë së Partisë Socialiste me kandidimin e tyre, sepse secili prej tyre e meritonte që të drejtonte PS-në e Tiranës.
Reforma zgjedhore, me sa duket, nuk po ecën me ritmet që kërkohen, duke u shoqëruar me akuza dhe kundërakuza nga forcat kryesore politike, në vend që të merren me implementimin e rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it. Çmendoni për këtë proces dhe rolin e PS-së si një ndër lojtarët kryesorë të këtij procesi?
Mendoj se përmirësimet në Kodin Zgjedhor nën frymën e rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it janë të domosdoshme për të arritur standardet ndërkombëtare të zgjedhjeve. Por, personalisht mendoj se janë të p