Somali, aty ku konsumohet kriza
Afganistani dhe Iraku kanë monopolizuar faqet e para të gazetave që prej disa vitesh, për shkak të luftës dhe viktimave, por Somalia është një tjetër viktimë e madhe dhe tragjike e politikave amerikane dhe veçanërisht e "luftës kundër terrorizmit". Ndërhyrjet amerikane kanë qenë kaq katastrofike gjatë viteve të shkuara, sa aktualisht shpresa më e mirë për të qetësuar situatën e rëndë është një president që e hodhën nga pushteti tre vjet më parë, i cili kontrollon kilometra katrore të një vendi që është tre herë më i madh se Britania. Përpjekjet për të luftuar terrorizmin e kanë shndërruar vendin në një pedanë për lançimin e xhihadit në shkallë botërore. Somalia është aktualisht shteti i fundit i dështuar dhe i falimentuar që kërcënon të destabilizojë gjithë rajonin. Piratët e saj kanë penguar edhe tregtinë e rregullt që ka qenë një nga burimet e fitimit të vendit. Popullsia e këtij vendi po kalon aktualisht krizën më të rëndë humanitare të botës. Gjatë Luftës së Ftohtë, Shtetet e Bashkuara futën shumë armë në Somali për të kundërshtuar mbështetjen që sovjetikët i jepnin Etiopisë fqinje. Në vitin 1991, krerët e klaneve të ndryshme rrëzuan nga pushteti diktatorin Siad Barred dhe e mbajtën për vete arsenalin e armëve. Në vitin 1992, Bush senjor dërgoi marinsat për të ndihmuar njerëzit që po vuanin, një mision që përfundoi në shpartallimin e turpshëm të Black Hawk Down, që u shoqërua me një tërheqje të turpshme të amerikanëve. Më pas erdhën vitet e anarkisë dhe kaosit, ndërsa pushtetin e morën në dorë krerët e klaneve luftarake. Në vitin 2006, lindi një lëvizje me emrin Unioni Islamik i Gjykatave. Uashingtoni, nga frika se gjykatat do të shndërroheshin në gjykata të tipit taleban dhe vetë Somalia në një Afganistan të dytë, synuan që të ndalonin islamikët, duke furnizuar krerët e klaneve luftarake me miliona dollarë për armatime. Por këta ishin të njëjtët që e poshtëruan Amerikën në vitin 1993 dhe që si pasojë shkaktuan shumë masakra dhe kaos. Plani dështoi. Gjykatat i nxorën krerët e klaneve nga Mogadisho dhe vunë rregullin për herë të parë pas shumë vitesh. U zhdukën armët nga rrugët dhe postblloqet ushtarake. Biznesmenët dhe njerëz të tjerë të shkolluar u kthyen nga mërgimi dhe nisën të punonin në vendin e tyre. Titullari i gjykatës ishte Sheikh Sharif Ahmed, relativisht i moderuar, por lëvizja vetë përfshinte një krah ushtarak, si dhe elementë ekstremistë që vendosën ligje strikte islamike, mbështetën rebelë në Etiopinë fqinjë, si dhe strehuan terroristët. Europianët ishin pro marrëdhënieve me liderët e moderuar të gjykatës. Administrata e Bushit mbështeti një sulm nga Etiopia e krishterë, armikja më e egër e Somalisë. Pas këtij pushtimi, gjykata u zëvendësua përmes një tranzicioni shumë të dhimbshëm nga pushteti i liderëve të klaneve luftarake. Pas gjashtë muajsh paqeje relative, Somalia u zhyt sërish në luftë dhe shpresat e paqes avulluan. Pushtetin e morën në dorë al-Shabaab-ët nacionalistë, që e quajnë veten mbrojtës të vendit. Sot ata kontrollojnë pjesën më të madhe të vendit dhe janë transformuar në një lëvizje xhihadiste me lidhje me "Al-Kaedën".