E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mijëra vetë në shesh hedhin parulla kundër qeverisë

Reformistët iranianë janë përleshur me policinë pas funeralit të një kleriku të shquar. Fillimisht dhjetëra mijëra vetë morën pjesë në procesionin funebër të Grand Ajatollah Hosein Ali Montazeri në qytetin e shenjtë të Qomit. Përplasjet kanë shpërthyer, por shkalla e konfrontimeve nuk është ende e qartë. Për sa i përket Montazerit, ai ndërroi jetë në moshën 87-vjeçare nga arsye natyrore. Ai është personi që qortoi rizgjedhjen e dytë si President të Ahmadinexhadit verën e kaluar, pas votës së diskutuar presidenciale. Njerëzit që kishin dalë ta përcillnin për në banesën e fundit hodhën edhe parulla pro liderëve të opozitës dhe kundër Ahmadinexhadit. Informacionet janë të paqarta, sepse gazetarët nuk lejohet që të raportojnë nga vendi i ngjarjes dhe të gjitha burimet u referohen sajteve të internetit. Ende nuk dihet se si është situata pas funeralit, por sipas disa pamjeve të marra me celular dhe të hedhura në internet shfaqet turma e acaruar dhe në disa vende jepen edhe fragmente përleshjesh. Qeveria e di se funerali është një demonstrim që ata nuk mund ta ndalojnë, edhe pse ekziston frika e shpërthimit të një vale tjetër trazirash, si ato të verës së kaluar që ishin edhe tronditja më e madhe që pësoi pushteti që pas revolucionit islamik.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›