E Diel, 1 Nëntor 2026

Sondazhi / Korrupsioni në Shqipëri po rritet

USAID raporton se publiku cilëson si institucione më të korruptuara shëndetësinë dhe gjyqësorin


Të paprekur nga korrupsioni konsiderohen Presidenti, drejtuesit fetarë, ushtarakët, media dhe mësuesit e shkollave publike


Për të gjashtin vit radhazi, USAID ka organizuar një sondazh të opinionit publik në Shqipëri, rezultatet e të cilit i ka bërë publike gjatë ditës së djeshme. Janë rreth 1200 shqiptarët e pyetur mbi korrupsionin gjatë këtyre muajve të 2010-ës, 600 prej të cilëve punonjës të administratës shtetërore.


Nga të dhënat e USAID, Shqiptarët vlerësojnë se korrupsioni në vendin tonë është në nivele më të larta se vitet e shkuara. Rreth 90% e të intervistuarve pohojnë se korrupsioni është i përhapur gjerësisht në institucione publike.


Korrupsioni


Për të përcaktuar nivelin e vlerësimit të korrupsionit është përdorur një shkallë vlerësimi nga 0 deri në 100 pikë, ku zero do të thotë "Shumë i ndershëm" dhe 100 do të thotë "Shumë i korruptuar".


Vlerësimi i qytetarëve për këtë pyetje ka qenë 62.4 pikë. Ndër figurat që konsiderohen si të paprekura nga fenomeni korrupsion radhiten Presidenti, drejtuesit fetarë, ushtarakët, media, mësuesit e shkollave publike dhe drejtuesit e OJF-ve. Ndërsa nga ana tjetër e medaljes, si më të korruptuarit renditen doganierët, tatimorët dhe mjekët.


Të pyeturit gjithashtu kanë pohuar se kanë rënë pre e korrupsionit të paktën në një nga dhjetë mënyrat e dhëna në raport. Ky tregues është pothuajse i njëjtë me atë të vitit të kaluar. Sektori më i përmendur, për sa i përket korrupsionit, vazhdon të mbetet shëndetësia.


Vetëm për vitin 2010, 33.5% e të intervistuarve deklarojnë se i kanë paguar ryshfet një doktori ose infermieri. Megjithatë, besimi i qytetarëve tek institucionet publike mbetet i ulët. Niveli i besimit për të gjitha institucionet e vlerësuara është 43.8 pikë, (duke përdorur një shkallë nga 0-100, ku 0 do të thotë "Aspak besim" dhe 100 do të thotë "Shumë besim). Vetëm ushtarakët janë vlerësuar me më shumë se 50 pikë.


Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave (28 pikë), sindikatat (32 pikë) dhe partitë politike (32 pikë). Për sa i përket luftës kundër korrupsionit edhe në këtë pikë shqiptarët janë skeptikë. Të intervistuarit nuk mendojnë se situata do të përmirësohet me kontributin e institucioneve. Ashtu sikundër dhe gjatë viteve të shkuara vetëm media vazhdon të shihet sikur po ndihmon në luftën kundër korrupsionit.


Ajo është vlerësuar me 61 pikë në vitin 2010. Të gjitha grupet dhe institucionet e tjera të vlerësuar kanë marrë më pak se 50 pikë. Inspektorati i Lartë për Deklarimin dhe Kontrollin e Pasurive, drejtuesit fetarë dhe gjykatat konsiderohen si institucionet, të cilat kontribuojnë më pak në luftën kundër korrupsionit.


Sistemi gjyqësor


Sipas sondazhit, besimi i qytetarëve në sistemin gjyqësor gjatë vitit 2010 ka pësuar rënie. Vetëm 35.9% e të intervistuarve kanë deklaruar se kanë "Shumë besim" ose "Disi besim" në sistemin gjyqësor.


Ndërsa përqindja e të intervistuarve që kanë "Pak besim" ose "Aspak besim" në sistemin gjyqësor është shumë e lartë, rreth 64.1%. një pjesë e të pyeturve kanë pohuar se gjatë këtij viti janë trajtimi i publikut nga ana e gjykatave është përkeqësuar në vitin 2010. Rreth 38% e të intervistuarve, të cilët kanë pasur të bëjnë me gjykatat deklarojnë se janë trajtuar "Keq" ose "Shumë keq".


Ekonomia


Perceptimi i publikut të gjerë mbi situatën ekonomike është i njëjtë me atë të një viti më parë dhe nuk ka ndryshuar shumë që prej vitit 2005. Më shumë se gjysma e të intervistuarve (53.9%) mendojnë se situata ekonomike e vendit është "E keqe" apo "Shumë e keqe". Ndërsa për sa i përket të ardhmes, të pyeturit shprehen se ekonomia do të jetë në stanjacion gjatë vitit të ardhshëm.


Withers: Partitë politike, luftë për pushtet


I pranishëm në këtë prezantim ka qenë edhe Ambasadori amerikan, John Withers, i cili pas publikimit të treguesve deklaroi se shifrat tregojnë se ka një përkeqësim të situatës. "Ajo që shihet nga ky raport është dështimi i komunikimit mes publikut dhe liderëve politikë. Udhëheqësit politik, pa dashur të përmend asnjë parti politike, por duke i përfshirë të gjithë, liderët politikë janë duke thënë se gjërat duken më mirë.


Ju duke u përgjigjur në këtë raport thoni gjëra që ju shqetësojnë, përfshi edhe ekonominë. Drejtuesit politikë thonë se janë duke luftuar edhe korrupsionit, por ju nuk thoni se nuk është kështu. Pra, ka ndryshime.


Dhe se mes gjërave që kanë ndryshuar, kanë ndryshuar për keq. Institucione si Frëdom House, Transparency International dhe organizata të tjera europiane, kanë thekuar se ka një përkeqësim të situatës në Shqipëri.


Ky lloj trendi duhet kthyer mbrapsht", u shpreh ai. Por, Ambasadori Withers, vç raportit, ka komentuar edhe situatën politike të krijuar në vendin tonë.


"Sot në Shqipëri, partitë politike janë përfshirë në një luftë të madhe për pushtet. Njëra parti kundër tjetrës. Ju në këtë raport thoni se partitë politike janë ndër më pak të besueshmet në institucionet shqiptare, ndaj jam i trishtuar nga ky raport. A është koha për liderët tuaj që t'iu dëgjojnë?


A është koha për ata që të ndalojnë luftën kundër njëri-tjetrit dhe të kujdesen për ju dhe punët e njerëzve? Unë kam një admirim për urtësinë e popullit shqiptar dhe pyes nëse kjo urtësi mos i paraprin urtësisë së vendit", - u shpreh Withers.


Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›