Satirikon, festa e mitit në ekran

Një rrëfim dramatik për vdekjen dhe dashurinë, për të cilat Federico Fellini kërkoi një formë tjetër shprehjeje. Një film që shkonte në kundërrymë me kanonet e kohës, 1969 mbi erosin dhe seksualitetin
Bashkë me "Kazanova", "Felini Satirikon" (1969) i cili shfaqet sot në kinemanë e Pallatit të Kulturës, ora 15.30 janë dy vepra që shfaqen për herë të parë. Programuesit e Ditëve të Fellinit në Tiranë, Drejtoresha e Institutit Italian të Kulturës, Flavia Tibalti dhe kritiku Roberto Chiesi që po prezanton dhe komenton çdo film të regjisorit për publikun e pakët në numër, por të rregullt dhe me interes zgjuar, kanë menduar se duheshin shfaqur pikërisht edhe këta dy për arsye se janë pak ose aspak të njohur.
Tibaldi është informuar se dikur në Shqipëri janë shfaqur "La Strada" apo ndonjë tjetër që nuk paraqesnin problem për linjën ideologjike që ndiqej edhe për artin dhe kulturën që importohej. Por këto dy vepra nuk është se kanë pasur ndonjë qarkullim kushedi çfarë edhe në Italinë e Fellinit, në dallim nga popullariteti që fituan "Tetë e gjysmë" apo "La Dolce Vita" të cilat janë shfaqur qoftë edhe në mjedise akademike si "Marubi".
Pastaj Tibaldi thotë se publiku ka për të parë njëri pas tjetrit dy vepra të veçanta në korpusin prej 20 filmash të artistit italian, për skenografitë dhe kostumet e pasura, spektakolare, duke na zhytur në një atmosferë feste dhe mitike. Regjisori pat thënë se për këtë vepër u influencua nga freskat romake.
Ai dhe Bernardino Zapponi u bazuan për "Satirikon" që ndryshe njihet me titullin "Fellini Satyricon" nga shkrimet e Petronius-it. Këto janë përmbledhje fragmentesh në prozë, me disa pjesë në vargje shkruar nga Petronius Arbiter, autor i panjohur për kulturën zyrtare të epokës së Neronit në Romën e lashtë, në gjysmën e parë të shek. I pas. Krishtit. Satirikon, një parodi e historive greke të dashurisë dhe aventurave, një gjini në modë në periudhën helenistike, është çmuar për vlera të padiskutueshme.
Filmi u prezantua për herë të parë në shtator 1969 në Festivalin e Venecias dhe u prit shumë mirë nga kritika, por jo aq nga publiku. Për të ishte një film skandal.
Dyzet vjet më pas "Satrikoni" ka zënë vend në historinë e kinemasë si një vepër vizionare, onirike, dhe erotike përshtatur nga kryevepra e Petroniusit, "një testament i përsosur post-modern", "një model determinist dekonstruktiv" ku heroi është autor i fatit të vet.
"Është një ese fantastiko-shkencore e së shkuarës", e ka përkufizuar Fellini.
Edhe kjo, si disa vepra të regjisorit, është një udhëtim nëpër natë, një aventurë që ndodh në një atmosferë mitike hermafroditësh, minotaurësh, prostitutash, poetësh, të përfshirë në bankete dhe duele.
Për vdekjen dhe dashurinë si ankthe të përjetshme në ndërgjegjen kolektive, Fellini kërkon një formë të veçantë shprehjeje tek "Satirikon", një film që shkonte në kundërrymë edhe me kanonet e kohës, më 1969, mbi erosin dhe seksualitetin.
Interpretojnë Martin Potter, Hiram Keller, Max Born, Salvo Randone, Magali Noel etj.
Për "Satrikon" Fellini u kandidua nga Akademia e Çmimeve Oscar për Regjinë më të Mirë më 1970.
Nesër, ora 18.00 në të njëjtën kinema, shfaqet "Kazanova" (1976). Është projeksioni i fundit nga kinemaja e Fellinit.