E Shtunë, 31 Tetor 2026

FRESSH, protestë në Shkodër, policia shoqëron tre të rinj

SHKODËR - Largimi nga puna i prindërve të drejtuesit të forumit eurosocialist të Shkodrës, Romir Haderi, ka qenë një ndër shkaqet që rreth 30 të rinj, të protestojnë në mesditën e së martës, duke bllokuar urën e Bahçallekut, e cila lidh Shkodrën me pjesën tjetër të vendit.


Ka qenë ora 14:30, kur një grup të rinjsh i janë drejtuar urës së Bahçallëkut dhe janë ulur ndenjur në mesin e saj, duke bllokuar lëvizjen në dy krahët. Kjo ka sjellë kaos në dy anët e urës, ku janë vënë në rresht dhjetëra automjete nga dy anët, dhe madje ka pasur debate mes drejtuesve të automjeteve dhe të rinjve, që kishin bllokuar urën.


Policia, e cila nuk ka qenë fillimisht e pranishme, (pasi, sipas saj, nuk ka pasur ndonjë njoftim zyrtar për ndonjë protestë), ka ndërhyrë, pasi ka parë bllokimin e lëvizjes së automjeteve dhe kanë qenë patrullat e policisë rrugore ato që kanë shkuar të parat tek vendi ku po debatonin drejtues të mjeteve që do kalonin në urë nga dy anët dhe protestues.


Më pas, kanë ardhur dhe efektivë të policisë së rendit dhe FNSH, të cilët kanë bërë shpërndarjen e protestuesve. Ato kanë shoqëruar në polici drejtuesin e FRESSH-it për Shkodrën, Romir Haderi dhe dy të rinj të tjerë, ndërsa kanë komunikuar dhe me deputetin socialist, Astrit Beci.


Sipas të rinjve, policia ka ushtruar dhunë, por kjo është hedhur poshtë nga policia me anë të një deklarate zyrtare, e cila ka theksuar se nuk ka pasur akt dhune dhe është ndërhyrë për të shpërndarë tubimin, sipas saj, të paligjshëm.


Sipas policisë, janë tre persona të shoqëruar lidhur me këtë tubim. Ndërsa anëtarja e asamblesë së PS-së, Keti Bazhdari, ka deklaruar se nëse tre të shoqëruarit nuk do lirohen, atëherë do ketë një grevë urie përpara komisariatit të policisë së Shkodrës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›