E Diel, 1 Nëntor 2026

Sondazhi: MekKein humbet terren, Obama ruan pozicionin

Kur vjen fjala tek imazhi publik i Xhon MekKeinit, duket sikur dikush i ka ndërprerë energjinë elektrike gjatë muajit të fundit. Ndërsa për Barak Obamën duket se gjërat vazhdojnë për mrekulli.

Që nga shtatori, opinioni i njerëzve mbi kandidatin republikan për president është përkeqësuar ndjeshëm, konkludon sondazhi më i fundit i kryer nga "Associated Press" dhe "Yahoo! News". Anketimi, rezultatet e të cilit u bënë publike dje, tregoi se MekKein po humbet terren në cilësitë që votuesit kërkojnë të shohin të mishëruara te kandidati për Shtëpinë e Bardhë.

Perceptimet mbi Obamën janë përmirësuar, ose më e pakta, kanë ruajtur qëndrueshmërinë. Por përtej trajtave të karakterit të dy rivalëve, MekKein po vuan edhe një tjetër problem: Obama ushqen shumë më tepër besim tek amerikanët për sa i përket ekonomisë, çështje kyç gjatë debatit të së mërkurës, përfshi këtu edhe 15 pikë më shumë se rivali, pasi ka arritur të kuptojë më mirë si po ndikon kriza financiare te njerëzit.

Fushata tepër e ashpër bashkë me krizën financiare nuk kanë ndikuar për mirë te mënyra se si zgjedhësit e shohin MekKeinin. Sipas sondazhit, tani ata që e shohin me sy pozitiv janë vetëm 5 për qind më shumë nga ata që e shohin me sy negativ, shumë më pak nga një muaj më parë, ku konsideratat pozitive qenë 21 për qind më shumë nga ato negativet.

Gjatë së njëjtës periudhë, Obama ka ecur në kahun e kundërt, duke e rritur këtë tregues nga 5 pikë para një muaji në 15 pikë aktualisht. Tani Obama favorizohet nga 57 për qind e të anketuarve, ndërsa MekKein nga 52 për qind. "Në njëfarë mënyre, ai më frikëson", tha 48-vjeçarja Lisa Zik, një republikane e pavendosur nga qyteti Eduardsvill, duke iu referuar ndërprerjes së fushatës nga ana e MekKeinit për t‘iu përkushtuar tërësisht krizës financiare. "Ne na duhet një president i aftë të mbulojë disa detyra njëherësh. Duket sikur kriza e vuri menjëherë përfund".

Lajmi i mirë i këtij sondazhi për MekKeinin është se, pavarësisht një muaji shumë të vështirë, imazhi i tij publik nuk është përkeqësuar gramatikisht në raport me Obamën, madje në disa zona gëzon opinion më të mirë se rivali. Publiku amerikan ende e vlerëson më shumë se Obamën mbi çështje si siguria, aftësia për të punuar në mënyrë të frytshme me të dyja partitë politike, dhe të qenit vendimtar, me përvojë e kompetent.

"Është pa dyshim më i kualifikuar se Obama, për shkak të përvojës dhe detyrave të shumta shtetërore që ka mbuluar gjatë gjithë këtyre viteve", tha Riçard Tosti, republikan 67-vjeçar nga Roçesteri i Nju Jorkut.

Zik dhe Tosti janë dy prej rreth 2 mijë të anketuarve gjatë sondazhit të kryer nga "Associated Press" dhe "Yahoo! News", i cili ka nisur dy muaj më parë. Duke i pyetur vazhdimisht dhe rregullisht të 2 mijë individët, sondazhi ka arritur të krijojë një dritare të detajuar për mënyrën se si kanë ndryshuar opinion gjatë kthesave dhe zhvillimeve më të rëndësishme të fushatës.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›