E Shtunë, 31 Tetor 2026

Karaxhiç, dëshmitar në gjyqin e ish-bashkëpunëtorit

Krajishnik, ish-kryetar i Parlamentit të Republika Srpska, u dënua me 27 vjet burg në vitin 2006 për udhëheqjen e fushatave të spastrimit etnik në Bosnjë

Gjyqtarët e Organizatës së Kombeve të Bashkuara kanë bërë me dije se ish-lideri i serbëve të Bosnjës, Radovan Karaxhiç, mund të dëshmojë në gjyqin e apelit të një ish-aleati të afërt, i dënuar për masakrimin e mijëra jo serbëve gjatë luftës së Bosnjës.

Vetë Karaxhiç është nën masën e sigurimit me burg, në pritje të një gjyqi nën akuzën e gjenocidit, duke qenë se konsiderohet si frymëzuesi dhe udhëheqësi i disa masakrave, përfshi atë të 8 mijë jo serbëve në Srebrenicë bashkë me mësymjen 44-javore të Sarajevës, kryeqytetit boshnjak. Me një vendim të bërë publik të premten, gjykatësit e Apelit të Gjykatës së Krimeve në Jugosllavi vendosën të lejonin paraqitjen e Karaxhiçit në cilësinë e dëshmitarit për një prej bashkëpunëtorëve të tij më të ashpër, Momçilo Krajishnik.

Krajishnik, ish-vartës i Karaxhiçit, u dënua në vitin 2006 me 27 vite burgim për drejtimin - në bashkëpunim të ngushtë me Karaxhiçin - fushatat e spastrimit etnik për dëbimin e myslimanëve dhe kroatëve nga zona të mëdha të Bosnjës. Dëshmia e Karaxhiçit, e cila është parashikuar të bëhet më 3 dhe 5 nëntor, mund të shërbejë gjithashtu edhe për të kuptuar se si do mbrohet gjatë gjyqit të vet, i cili pritet të nisë gjatë vitit të ardhshëm.

Edhe pse gjyqi i Apelit të Krajishnikut është thuajse në fazën përfundimtare, u lejua të mbështetej te dëshmia e Radovan Karaxhiçit, duke qenë se ish-lideri i serbëve të Bosnjës ka jetuar i fshehur gjatë gjyqit dhe fazës së parë të Apelit të bashkëpunëtorit. Gjyqtarët e Dhomës së Apelit thonë se, në rast se Karaxhiçi do kish dëshmuar gjatë gjyqit të Krajishnikut, "me shumë gjasa do të kishte ndikuar ndjeshëm te verdikti përfundimtar".

Olga Kavran, zëdhënësja e Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës, tha se prokurorët e çështjes së Krajishnikut, të cilët iu kundërvunë kërkesës së këtij të fundit për të thirrur ish-liderin si dëshmitar, nuk kishin pranuar të lëshonin asnjë koment mbi dëshminë e Karaxhiçit.

Karaxhiç dhe Krajishnik ishin bashkëpunëtorë të afërt, i pari President dhe i dytë kryetar i Parlamentit në Republikën e serbëve të Bosnjës të njohur si Republika Srpska. U bashkuan pas viteve të tëra në qendrën e burgimit të gjykatës pas arrestimit të Karaxhiçit, pas 13 vjetësh arratie. Lideri i serbëve të Bosnjës u arrestua pas këmbënguljesh të shumta nga ana e Gjykatës Ndërkombëtare në fundin e gushtit në një autobus të Beogradit.

Në verdiktin e procesit kundër Krajishnikut, gjykatësit konkluduan se ai dhe Karaxhiçi e trajtuan Republika Srpska "si ta kishin çiflig personal" dhe e përshkruan Karaxhiçin si bashkëpunëtorin më të afërt të Krajishnikut.

Gjatë seancave dëgjimore të Apelit, të mbajtura në gusht, një prej avokatëve të Krajishnikut, amerikani Alan Dershovic, deklaroi se qe takuar për pak minuta me Karaxhiçin dhe se kishte besim që ish-presidenti do të ndihmonte ish-bashkëpunëtorin në përpjekjet për pastrimin e emrit. "Në fakt, do të na ofrojë prova shfajësuese tejet domethënëse", u tregoi Alan Dershovic gjyqtarëve, pa treguar në mënyrë të detajuar atë që kishte pranuar të dëshmonte Karaxhiç.

Prokurorët deklaruan se në gjyqin e Krajishnikut kishin arritur të provonin se qe përfshirë në një konspiracion kriminal, bashkë me Radovan Karaxhiç dhe liderë të tjerë serbë, për krijimin në Bosnjë të rajoneve të banuara ekskluzivisht nga serbë që duhej të bëheshin pjesë e "Serbisë së Madhe", ide e formuluar nga ish- presidenti Sllobodan Millosheviç.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›