E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqipëria në UNESCO, një histori 50-vjeçare

Qyteti muze i Gjirokastrës bëri këtë organizatë ndërkombëtare të kthente sytë nga vlerat kulturore të tij për ta marrë paskëtaj nën mbrojtje si pjesë e trashëgimisë botërore të kulturës.

Por, fragmente të tjera, me të vërtetë me vlerë, të kulturës në Shqipëri, nuk do të mbeteshin jashtë vëmendjes së UNESCO-s. Dhe konkretisht, siti arkeologjik i Butrintit dhe gjithashtu Berati, qyteti 2400-vjeçar, që siç ndryshe quhet qyteti i "një mbi një dritareve".

Sigurisht, vlerat e padiskutueshme të këtyre vendeve, brenda kufijve të Shqipërisë, nuk mund të vazhdonin të lejoheshin për t‘u bërë pre e shkatërrimit, qoftë nga koha, qoftë nga faktorë të tjerë… Mes të tjerave, mosha e këtyre vendeve, ishte shkak.

Pak histori…

Fillimet e qytetit të Gjirokastrës, sipas studiuesit Apollon Bace, mendohet të jenë në shek. XIII pas rënies së Hadrianopolit. Kështjella e Gjirokastrës mendohet të jetë filluar nga prijësi shqiptar, Gjin Bue Shpata, i cili i dha dhe emrin qytetit. Zgjerimet e kështjellës janë bërë nga Ali Pashë Tepelena dhe nga qeveria e Zogut, e cila më pas e konvertoi pjesën veriore të kalasë, në burg. Ky burg majti të burgosurit politikë në kohën e komunizmit dhe sot i është bashkangjitur pjesës muzeale të kalasë.

Gjirokastra është shpallur qytet-muze në vitin 1963 dhe në 2005-ën është shpallur pasuri botërore nga UNESCO.

Sa i përket Beratit, mosha e këtij qyteti e tejkalon shumë herë atë të Gjirokastrës. Tregimet e para për të datojnë rreth shekullit IV para Krishtit. Atëherë pjesë e krahinës së Desaretëve dhe një ndër qendrat më të rëndësishme ilire, qyteti kaloi disa kohë të vështira gjatë luftës iliro-romake dhe maqedonase-romake. Në vitin 216 p.K, Polibio i vuri emrin Antipatrea. Ndërsa rreth vitit 200 pas Krishtit u mor nga romakët. Mesjeta ishte e errët për Beratin... kohë më pas, në 1417-ën, qyteti u mor nga Perandoria Otomane, gjatë kësaj periudhe krijohet edhe Pashallëku i Beratit.

...Në nëntor të vitit 1670, udhëtari turk, Evlija Çelebi, vazhdoi rrugën e tij në Shqipërinë e Jugut. Pas vizitës në Ergiri (Gjirokastër), ai udhëtoi për në Tepelenë dhe më pas për në Berat, të cilën e quan me lavdërim, krahina hijerëndë e Xhihadit...

Në listën e trashëgimisë botërore është përfshirë Qendra Historike e Beratit, ku përfshihet lagjja Kala, Mangalem dhe Gorricë, me të gjitha objektet që ndodhen në to, duke filluar që nga rrugët, kalatë, shtëpitë karakteristike, kishat, xhamitë, etj.

Butrinti u shpall "qytet muze" në qershor 1961 dhe është vlerësuar si pasuri e trashëgimisë së njerëzimit dhe mbrohet nga UNESCO që nga viti 1992. Objektet më të hershme të tij i përkasin gjysmës së dytë të mijëvjeçarit të dytë para Krishtit. Për herë të parë është përmendur nga Hekateu: fundi i shek. VI para Krishtit... Në vitet 1926-1936, italiani Luixhi Ugolini kryesoi misionin e gërmimeve në Jug të Shqipërisë. Ugolini u përqendrua në Finiq dhe në Butrint ku u zbulua: Baptisieri, teatri, bazilika, statuja dhe objekte të ndryshme me vlerë, banja publike dhe një numër i madh banesash...

UNESCO

Organizata e Kombeve të Bashkuara për Edukimin, Shkencën dhe Kulturën, është themeluar nga Kombet e Bashkuara më 16 nëntor 1945 për të inkurajuar bashkëpunimin mes kombeve në fushën e edukimit shkencës dhe kulturës.

Duke iu referuar marsit të këtij viti, numërohen 192 vende anëtarë të UNESCO-s. Qendra e UNESCO-s është në Paris dhe vepron me programe shkëmbimi kulturor në 60 zyra rajonale të shpërndara në të gjithë botën. Projektet e sponsorizuara nga UNESCO përfshijnë edhe ato shkencore ndërkombëtare, programe të alfabetizmit, projekte rajonale të historisë kulturore dhe bashkëveprime ndërkombëtare, për të ruajtur kulturën natyrore të planetit dhe për të drejtat njerëzore.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›