E Diel, 1 Nëntor 2026

Majat e Finlandës

Nga Gjovalin Gjeloshi

Zambakët e luginave dhe druri i mështeknës, ariu dhe mjelma, peshku persik, nuse pashka dhe granitet janë njëkohësisht lulja dhe druri, kafsha dhe zogu, peshku, insekti dhe guri, simbole natyrore të Finlandës. Po ta shohësh me vëmendje, të gjithë Finlandën mund ta konsiderosh si një monument natyror. Ajo është arqipelagu më i madh në të gjithë Europën. Terreni është fushor dhe vjen duke u lartwsuar në pjesën veriore, por që lartësia më e madhe e vendit nuk i kalon të 1300 metrat. Mendoj se numri i ishujve është i papërcaktuar. Kam hasur në literaturë një numër mjaft të ndryshëm të tyre, deri në 700 mijë. Në këtë vend, në një fshat të Veriut, banon Plaku i Vitit të Ri. Në të 365 ditët ai pret e përcjell me mijëra turistë, sidomos në gjysmën e ftohtë të vitit dhe kryesisht tash në prag të Krishtlindjeve, festa e të cilave në Finlandë, ashtu si në të gjitha vendet e Europës Perëndimore, ndihet qysh në mesin e Nëntorit. Kuptohet, Veriu nuk është fort i këndshëm për të jetuar, por komunikacioni nuk mungon në asnjë cep të vendit. Nga 16 aeroporte që ka Finlanda, tre prej tyre ndodhen në zonën veriore të vendit. Atje shkohet edhe me linjë hekurudhore dhe ka rrugë të mira automobilistike.

- Gjuha jonë është shumë e vështirë, na thotë Timo Kautto, një mjek me banim në Helsinki, i cili tashmë merrej me biznes të fushës së tij. Ka gramatikë të vështirë dhe aq më tepër se nuk ka afërsi me asnjë nga gjuhët e mëdha europiane. Të vetmet gjuhë të përafërta janë gjuha estoneze, me të cilën ka shumë fjalë të përbashkëta si dhe më pak gjuha hungareze.

Afërsia e gjuhës shpjegon edhe afërsinë e gjakut: Finlandezët kanë “kushërinjë të parë” estonezët, “takohen” tek gjyshërit me hungarezët dhe “stërgjyshi” i vjetër i të treve është mongoli. Finlandezët e blejnë librin dhe shkojnë shumë në biblioteka, godinat e të cilave janë ndër më të bukurat. Rreth 48 përqind e popullsisë llogaritet se frekuenton këtë institucion dhe për një vit statistikat thonë se ka patur 26 milion kopje librash të shitur.

Në parlamentin prej 200 anëtarësh, 42 përqind janë gra. Në zgjedhjet e fundit në mars 2007, dy të tretat e vendeve u ndanë në mënyrë pothuaj të barabartë në mes tri partive kryesore. Bashkë me vendet e tjera skandinave, Finlanda rreshtohet me vendet me nivelin e jetesës më të lartë në botë. Paga mesatare për të punësuarit e rregullt është 2.555 euro në muaj. Një shitëse psh paguhet deri në 1900 euro, një shofer autobuzi 2223 euro, një mësues 2600 euro, menaxheri në industri 4600 euro dhe një mjek 5030 euro. Pagat në postet ekzekutive janë disa herë më të larta.

Bota në muzeum

Në Finlandë gjithshka është në muzeum: e shkuara, e tashmja dhe po të vështrosh me vëmendje stendat dhe materialet e muzeumit, aty mund të shohësh edhe të ardhmen. Ja, të marrim Tamperen. Muzeumet në Tampere tregojnë histori dhe njerëz, art dhe artistë, industri dhe teknologji, hokei dhe minerale, boksierë e gra gjimnaste. Shumëllojshmëria e muzeumeve është një tregues i vlerësimit të lartë të kulturës, të historisë, të punës, të ndërtimit e të gjithshkaje tjetër që kanë bërë finlandezët në shekuj. Në Tampere ka muzeume kushtuar edhe një njeriu të vetëm. Jo vetëm për njerëz që njihen në arenën ndërkombëtare siç ishte Lenini (i cili ka patur lidhje të veçanta me Finlandën), por edhe të një njeriu si Emil Altosen, një personalitet i fillimit të shekullit të njëzetë, një biznesmen dhe sponsor i madh i kulturës kombëtare dhe shkencës.

Dy muzeume që të tërheqin vëmendjen në Tampere janë: Muzeumi i spiunëve dhe muzeu i Leninit. Mirë muzeumet e tjera shumë interessante edhe për problematikën që rrokin, po këto pse? Deri vonë (është fjala përpara shpalljes së pavarësisë), Filanda ka qenë një “tokë e të gjithëve”. Nuk kishte barriera kufitare dhe kontrolle të imëta doganore. Kjo përbënte një arsye më shumë që edhe lëvizjet e njerëzve të ishin më të pa kontrolluara. Kjo shfrytëzohej edhe nga “spiunët”, të cilët kalonin pa ndonjë vështirësi të madhe nga jugu në veri, apo nga lindja në perëndim aq lehtësisht sa kalonin edhe nga Europa në Azi e më tutje dhe anasjelltas për të kryer detyrat që u ngarkoheshin nga misionet e tyre. Muzeumi përmban një histori të plotë të spiunëve më të mëdhenj të botës, nga antikiteti e deri në ditët e sotme. Aty nuk njeh vetëm emra spiunësh e misione që kanë kryer, por në njëfarë mase pasqyrohet edhe politika ndërkombëtare, marrëdhëniet midis shteteve ndërluftese apo në paqe, planet e të mëdhenjve në kurriz të të vegjëlve, por edhe mëritë e të mëdhenjve brenda vetes. Lufta midis superfuqive apo midis blloqeve ushtarake në kohë të ndryshme – të gjitha këto nëpërmjet shërbimeve sekrete.

Vladimir Iliç Lenini është një person i rëndësishëm për Finlandën, por pasi edhe Finlanda ka qenë e tillë për Leninin. Në peripecitë e jetës së vet, Lenini ka gjetur strehë në Finlandë (mw shumw nw Tampere). Në muzeumin e Tij në Tampere pasqyrohet gjithshka. Ai mund të jetë strehuar mbi njëzetë herë atje dhe mund të ketë qëndruar gjithsej mbi dy vjet. A thua vetëm këto fakte përbëjnë shkakun e ndërtimit të një muzeu të vetëm për këtë person? Pas 600 vjet nën administrimin e Suedisë dhe pak më shumë se 100 vjet nën Perandorinë Ruse, Finlanda në dhjetor të vitit 1917 fitoi pavarësinë. Kjo ngjarje e rëndësishme vinte vetëm dy muaj pas Revolucionit Socialist të Tetorit dhe ishte ndër vendimet e para që merrte qeveria e dalë prej këtij revolucioni e që drejtohej nga miku i Finlandës, në ditë të vështira, Vladimir Iliçi. Në atë kohë finlandezët kërkonin autonominë në kuadrin e Perandorisë, por qeveria e Leninit shpërbleu gjithshka kishte bërë toka finlandeze për këtë person.

Finlandezët nuk njohin dhe as nuk propagandojnë luftra e heronj. Kalendari i tyre zyrtar nuk njeh shumë festa përveç ditës së pavarësisë që është në fillim të dhjetorit dhe asaj të Krishtlindjeve që është njëzet ditë më vonë.

Po çfarë muzeumesh të tjera mund të shohë vizitori në Tampere apo edhe në qytete të tjera të Finlandës: Muzeu i arteve, i mineraleve, i policisë, i sporteve. Muzeu i teatrit, i fotografisë, i hoteleve dhe restoranteve. Muzeu i kulturës. Në Finlandë numërohen të jenë më shumë se 160 muze, shumica prej të cilëve janë muze rajonale (rajonale jo për problematikën). Këto muzeume kanë patur një numër të përgjithshëm të turistëve më shumë se pesë milion për një vit. Ka një rregull në Finlandë: Institucionet kulturore rajonale, ndër to edhe muzetë, financohen ose nga shteti, ose nga qeveritë komunare, ose nga të dyja së bashku. Po ne, a kemi muzeume dhe kush merret me to? Përpara pak ditësh një muze, atë të Asdrenit, në një komunë të Korçës, “e kishte marrë lumi”, vërente shtypi, vetëm se ca muratorë, duke dashur të riparojnë shkollën ku ruheshin materialet, kanë thënë: E kujt i duhen këto fotografi e stenda të vjetëruara që na kanë zënë qoshen e murit?

Një muze i vogël dhe në një fshat të vogël, por që tregon se jemi në zgrip të ruajtjes së trashëgimisë kulturore dhe qeveritë lokale e deri te ministria përgjegjëse, janë të papërgjegjshme për misionin që rrjedh nga ky detyrim.

Jo vetëm muzeumet kanë përparësi në Finlandë, por qeveria mbështet me grante të posaçme shumë fusha të krijimtarisë e të kulturës. Jepen grante për artistët, pensione shtesë dhe grante për dramaturgët veprat e të cilëve janë vwnë në skenë një vit më parë. Grante për bibliotekat: u jepen grantet autorëve dhe përkthyesve për të kompensuar veprat që jepen falas në biblioteka etj.

Nga emigrimi në integrim

Në Tampere, një ndër qytetet kryesore të Finlandës, në nëntor të këtij viti u mblodh Asambleja e Përgjithshme e Rajoneve të Europës. Shqetësimi kryesor ishte emigrimi dhe rrugët se si do të integrohen këta mërgimtarë në shoqërinë e vendeve që ata kanë zgjedhur për të punuar e jetuar. Ndonëse emigrimi i popullsisë ka kontribuar për shekuj në zhvillimin dhe diversitetin e Europës, ky kontribut ka nënkuptuar integrimin në mënyrë të ndërsjelltë, pa harruar rregullin “Jep e merr”.

- Rajonet kanë mirëpritur mërgimtarët në përshtatje me konkurencën e forcave të punës. Ky shpërblim peshon më shumë, thotë Klaus Klip, sekretar i përgjithshëm i Asamblesë Rajonale të Europës, se sa shembujt negativ që në fakt nuk mungojnë, si keqkuptimet apo më tepër: keqtrajtimet dhe dënimet. Diskriminimi akoma wshtw njw problem nw vendet ku kemi edhe mwrgimtarw.

Rajoni i Tamperes në Finlandë, është shembulli pozitiv i mikpritjes së mërgimtarëve dhe i trajtimit e punësimit të tyre si dhe vet Finlanda është shteti model i respektimit të pakicave kombëtare. Mbi 5200 qytetarë të huaj jetojnë në rajonin e Tamperes, të cilët janë nga më shumë se njëqind kombësi. Grupimi më i madh jo finlandez dhe jo rezident janë rusët, të cilët zënë vendin e pestw në strukturën etnike të popullsisë. Grupi i dytë i madh janë estonezët me tetë për qind dhe grupi i tretë janë irakenët me shtatë përqind. Konsiderohet se, më së shumti qytetarë të huaj në Tampere janë studentët dhe grupi i dytë që gjithnjë vjen në rritje janë punëtorët të cilët punojnë në kompanitë ndërkombëtare. Në shkallë vendi, përveç rusëve, grupet më të mëdha të refugjatëve janë nga Somalia, nga ish Jugosllavia (këtu futen edhe kosovarët. Numërohen mbi dy mijë të jenë në Finlandë), Irani dhe Iraku.

Në deklaratën e përbashkët, rajonet e Europës, mbi bazën e eksperiencës së përparuar të shumë rajoneve e shteteve për mikpritjen e emigrantëve, duke punuar që të kalohet “nga emigrimi në integrim”, e konsideruan si detyrim marrjen përsipër të integrimit të mërgimtarëve nëpërmjet:

Integrim nëpërmjet arsimit: nëpërmjet lëvizjeve dhe jashtë Europës, nëpërmjet promovimit efektiv të gjuhës, të kërkesave shumëkulturore nga moshat e reja me akses në sistemin arsimor, shkëmbimin e informacionit etj.

Integrim nëpërmjet punësimit, duke njohur kualifikimin, aksesin e punës tregëtare duke përfshirë edhe skemën e mikrokredisë si dhe stimulimin e fillimit të biznesit.

Integrim nëpërmjet aksesit në strehim, me kusht shmangien e “getove” të emigrantëve. Krijimin e kushteve të përshtatshme për jetesë.

Integrim nëpërmjet barazisë gjinore, duke përfshirë politikën e gjinisë më fort në politikën rajonale dhe integrim nëpërmjet shoqërisë politike e civile. Kjo do të thotë njohje ligjërisht e emigrantëve si pjesëmarrës në proceset demokratike rajonale dhe shoqërinë civile. Për më tepër, ndërsa mbështëtesim emigrantët në BE, ne njohim ligjërisht edhe koston e emigracionit, thonë përfaqësues të rajoneve te Europës në deklaratën e tyre. Kjo kosto del zakonisht prej resurseve te qeverive kombëtare dhe të BE.

Në kërkim të diellit

Natyra e Finlandës shquhet për ekstremet e saj, por që ka njëkohësisht shumllojshmëri dhe siguri. Një tokë madhështore me kodra, livadhe e lëndina të ulta, me pyje dhe toka humusore, me liqene rajonale dhe me ishuj. Pejsazhe, që janë ato dhe nuk janë ato, në të katër stinët. Me moçale që shtrihen aq larg sa të mund të kapin syri. Labirinthe liqenesh që lulëzojnë, pyje të gjera që gjethojnë. Dhe të gjitha këto pejsazhe - në të gjitha ditët, në të gjitha stinët, në të gjithë vitin. Dielli rri poshtë në horizont, duke u dhuruar banorëve të pakët vetëm pak orë muzg e pjesa tjetër natë, për më shumë se 50 ditë në mesin e dimrit në veri, pra pothuaj një natë pa mbarim. Nga ana tjetër, për 60 ditë në mesin e verës, dielli vetëm shkëlqen, ditën e natën. Pra në dy muaj të tërë shumë finlandezë nuk shohin natë. Por kjo vetëm për kaq kohë. Në pjesët veriore të vendit mund të shkojë temperatura deri në -50 gradw celcius, por ajo mund të jetë edhe plus 30 gradë në shumë pjesë të vendit gjatë verës së shkurtër.

Finlandezët nuk emigrojnë. Përkundrazi, në vendin e tyre ka shumw emigrantë. Madje në disa raste ata e nxisin vet ardhjen e emigrantëve kryesisht nga Iraku dhe Irani. Finlandezët vetëm shetisin, dalin shumë nëpër vendet e Europës. Ata kërkojnë diellin, diellin e munguar në shumë muaj të vitit në vendin e tyre. Një agjenci turistike në Tampere të Finlandës, me të cilën u njohëm edhe ne në Finlandë, bashkë me plazhet më të mira të Portugalisë (Albufiera), të Spanjës (Palma de Majorka), të Tunizisë, të Malit të Zi (Budva) të Kroacisë, Turqisë, të Greqisë apo Qipros, të Bullgarisë apo Tajlandës, me Toskanën apo Ligurnian e Italisë, rreshtonte edhe Durrësin e Shipërisë. Këto, e të tjera, në të vërtetë janë vendet e Mesdheut, vendet që e kanë diellin me tepri. Të vjen mirë që në listën e plazheve më të frekuentuara ata kanë futur edhe Durrësin: me hotel Adriatikun, me vilën Belvedere, me hotel Tropikal apo Dyrrah. Një xhiro tjetër turistike që fillonte në Helsinki e përfundonte prapw në Helsinki, kishte për destinacion Malin e Zi dhe Shqipërinë. Intervalet Helsinki-Budva-Cetinje, Cetinje-Krujë-Tiranë, Tiranë-Berat-Vlorë, Vlorë-Sarandë-Butrint, Sarandë-Gjirokastër-Durrës, Durrës-Ulqin-Cetinje dhe Cetinje-Helsinki, janë më tepër territore shqiptare se çdo gjë tjetër dhe ishin të përfshira në programet e agjencisë turistike Lomamatkat të Tamperes.

Sfida rumune

Konstantin Ostaficiuc, presidenti i rajonit të Timishoarës në Rumani është një ndër tre kandidatët që konkuruan për postin e Kryetarit të Asamblesë Rajonale të Europës. Ostaficiuc është përballw dy zonjave: njëra franceze, Mishel Saban, e cila edhe u zgjodh në këtë post dhe tjetra një austriake. Nuk mendoj se ka më shumë rëndësi numri i votave që mori prsidenti i Timishoarës rumune, se sa guximi i një kandidati prej një rajoni të ri, anëtar i BE për të konkuruar. Dhe rumuni bën sfidë: bëri një fushatë që dy të tjerat për hir të së vërtetës nuk e bënë. U paraqit dinjitoz në prezantimin që bëri në mbledhjen e Asamblesë dhe përpara votimit u dhuron tufa me lule zonjave, si i vetmi zotëri që është midis tyre. Nga Rumania ka ardhur karikaturisti me famë botërore, personazh i rekordeve “Gines”, Stefan Popa, (ky wshtw futur nw librin “Gines” sepse ka realizuar 131 karikatura nw njw orw, pra njw nw mw pak se dy minuta), i cili me mjeshtërinë e tij, bën fushatë për zgjedhjen e Presidentit të AER: Eva, një vajzë e gjatë dhe e bukur rumune nga Timishoara, bashkë me dy shoqet e sajë, në një nga stendat e Tampere Hall të qytetit të Tamperes, ku ka zënë vend karikaturisti, na fton që të pozojmë përpara tij.

- Vetëm dy minuta, thotë ajo, përse jo.

Dhe karriket përpara Popas nuk rrinë asnjëherë bosh.

Kam vënë re se rajonet rumune janë integruar mirë në ingranazhet e “pashpirta” të BE. Përpara dy vjetësh në rajonin e Maramuresit, AER organizoi Shkollën e Verës, aktivitet i përvitshëm i Asamblesë. Nga ky rajon wshtw edhe një prej nënkryetarëve të Kongresit të Autoriteteve Rajonale e Lokale të Europës. Lektorë prej rajoneve rumune, herë pas here referojnë në aktivitete të ndryshme që organizohen në shkallë europiane. Nuk shikohet kjo te bullgarët, bashkëkohësit e rumunëve apo tek ndonjë shtet tjetër europian më me përvojë.

Integrim, por jo asimilim

Rregullin bazë që, “Të marrësh nënshtetësinë e një shteti, duhet të mësosh gjuhën zyrtare të vendit”, kam mendimin se duhet ta kenë të gjitha vendet e botës. Nga kjo aksiomë, po e quaj, nuk përjashtohet as Finlanda. Agron Fuçia, një emigrant nga Tirana, i cili jeton e punon prej disa vitesh në këtë vend, na bind për këtë. Atij vetë, i është dashur të përballet me mësimin e gjuhës së vështirë “suomi” (kështu quhet gjuha zyrtare e Finlandës, e cila flitet nga më tepër se 93 përqind e popullsisë). Nga ana tjetër, nxitja e identitetit, sipas Risto Kiovistos, president i Tamperes, ka qenë guri themelor i politikës kulturore finlandeze gjatë të gjithë shekullit. Qeveria vendore, thotë ai, ka detyrë parësore sigurimin e shërbimit kulturor, tregues ky jo vetëm i vlerësimit të pakicave apo të emigrantëve, por edhe i decentralizimit. Mbrojtja e pakicave, duke filluar me suedishtfolësit, popullin Saami apo romët, mund të shihen si aspiratë për diversitet kulturor.

Integrimin, përfaqësues të rajoneve të ndryshme e shohin edhe si një thikë me dy presa. Mërgimtarët mund e duhet të integrohen në shoqërinë ku ata jetojnë dhe jo të rrinë të papërfshirë e të izoluar. Këtu ndikon edhe “njeti” e qeverive kombëtare, rajonale apo komunare, por edhe vet iniciativa e mërgimtarit. Shumë prej këtyre të fundit e vlerësojnë integrimin nëpërmjet mësimit të gjuhës së vendit ku ata jetojnë. Unë kam shumë raste të mërgimtarëve në vende të ndryshme të botës, që merakun e parë e kanë të mësimi i gjuhës kryesisht për fëmijët e tyre. Nga kjo rrjedh edhe “presa” e dytë e thikës: Fëmijët duke mësuar gjuhën e vendit ku prindërit kanë emigruar, a rrezikohen nga asimilimi. Ka shtete që në politikën e tyre të jashtme apo edhe në politikën që ndjekin me mërgimtarët, janë shumë nacionaliste dhe ato do të fërkonin duart nga ky asimilim, ndwrkohw qw vende të tjera janë dashamirëse dhe e vlerësojnë gjuhën e tjetrit si gjuhën e tyre.

Në avionin e linjës Tiranë-Budapest, ngjitur me mua është Shkëlqimi nga Përmeti. Ai prej vitesh jeton në Angli së bashku më familjen. Dy vajzat e të cilit kanë lindur pasi ai ka emigruar me gjithë të shoqen, vazhdojnë shkollën në klasat e 9-vjeçares.

Në shkollë, mësuesja pyet vajzën e madhe të Shkëlqimit: Ju, çfarë gjuhe flitni në shtëpi?

Dhe vajza i përgjigjet: Në shtëpi ne flasim gjuhën tonë shqipe.

Shumë mirë, i thotë mësuesja. Ju duhet ta mësoni vetë gjuhën tuaj, sepse anglishten ua mësojmë ne në shkollë.

Ky është një fakt që duhet të shërbejë si eksperiencë e mirë. Kuptohet nuk është i vetmi, por ai duhet të shumëfishohet, të mijërafishohet, sepse jo kudo ka mësuese si kjo e Anglisë. Nëse integrimin ta ka pak borxh vendi ku je mërgimtar, asimilimit duhet t’i ruhesh vet.

Në këtë drejtim Finlanda është një përvojë. Jo vetëm pakica suedeze (që përbën 5.5 përqind të popullsisë), ka gëzuar të drejta të njëjta me ato të finlandezëve qysh nga pavarësia e Finlandës, por edhe për grupimin Saami të popullsisë, që nuk është më tepër se 0.1 përqind, në të gjitha rajonet ku ata jetojnë, qysh në vitin 1995 janë miratuar dizpozita legjislative për autonomi kulturore. Ndër të tjera ata kanë të drejtë të flasin e të mësojnë gjuhën e tyre të quajtur “lappone”. Fëmijët finlandezë fillojnë të mësojnë gjuhën e parë të huaj, që zakonisht është anglishtja, qysh në klasën e tretë të shkollës 9-vjeçare. Ndërsa mësimi i gjuhës suedeze, e cila është gjuhë e dytë zyrtare në vend, fillon në klasën e shtatë.

Por edhe për Finlandën mund të ketw ankesa. Të parët (ndoshta edhe të vetmit) që ankohen për trajtim të emigrantëve, janë rusët. Këta edhe pse përbëjnë grupin më të madh të emigrantëve, prej 0.8 përqind, (në shkallë vendi) edhe pse janë komshi e dikur edhe në një perandori, nuk kanë ndonjë trajtim të veçantë. Madje ka mendime se pak shtetas rus kanë letrat e qëndrimit të përhershëm në Finlandë.

Koorporata “Nokia” nga qyteti Nokia

Majat e Finlandës vijojnë edhe në fushën ekonomike. Qoftë edhe vetëm në rajonin e Tamperes ka liderë botërore në prodhimin industrial. Një ndër to është edhe Nokia. Kompania Nokia daton qysh në mesin e shek të 19-të, kur Frederik Idestam krijoi në Tampere një mulli për bluarjen e palcës së drurit. Më 1868 ai e xhvendosi këtë biznes nja 20 km në perëndim të qytetit të Tamperes, në një qytet të vogël të quajtur Nokia. Në këtë qytet kompania e tij mori një zhvillim të fuqishëm dhe për këtë ai e nderoi kompaninw me emrin e qytetit. Sot Nokia- kompani është nderi e Nokias- qytet. Në fund të shekulit të 19-të degët kryesore të kësaj kompanie ishin produktet e celulozës. Më vonë aktiviteti u zgjerua edhe në Helsinki me manifakturat e prodhimit të këpucëve të gomuara, çizmeve, rripa mesi e tuba prej gome. Në fillimin e shek të 20-të produktet e gomuara ishin në konkurencë me shumë prodhues të tjerë jashtë Finlandës dhe aktiviteti në vitet e mëvonshme zgjerohet më tepër me produkte të tjera si laminate për dysheme, profile alumini, kimikate dhe së fundi elektronikë.

Nokian e konsiderojnë në Finlandë si “udhëheqësen e gjetur”. Nga prodhimi i letrës përpara 140 vjetësh tek kabllot dhe produktet e gomuara më vonë, bëhet një manifakturë e kompjuterave dhe televizioneve më 1980 dhe lidere e prodhimeve të telefonisë së lëvizshme më 1990.

Një degë e rëndësishme e Nokias është edhe “Nokia Kondensator”, e cila afron zgjidhje në ruajtjen e energjisë dhe rritjen e fuqisë cilësore për klientët në më shumë se 70 vende të botës. “Nokia Kondensator” e ka shpallur aktivitetin e vet qysh më 1957, thotë një ndër menaxherët e kësaj kompanie K. Tuomala, nën emrin “Kabllot punues finlandez”. Niveli i lartë i njohurive teknologjike dhe ekspertiza e fituar në një kohë mbi 50 vjeçare, e bëjnë “Nokia Kondensator” të ketë një pozicion, të jetë një kompani lider në botë, vazhdon bisedën Tuomala. Kjo kompani ka ndikim në fushat kryesore ekonomike të vendeve të Lindjes së Mesme, Ukrainë, Brazil dhe SHBA, aq mirë sa mbulon rrjetin e shitjes dhe të shpërndarjes në më shumë se 50 vende. Sipas menaxherit në fjalë, Rusia dhe India janë vendet më të interesuara për prodhimet në rritje të “Nokia Kondensator”. Në Rusi do të zgjerohet edhe “Nokia Tyres”, prodhimi i gomave Nokia të automjeteve. Një punishte prej 19 mijë metra katrorë do të ketë një kapacitet prej 600 mijë gomash. Po kështu ky aktivitet, me një investim prej katër milion euro, do të marrë fytyrë tjetër edhe në vetë qytetin e Nokias.

“Industria” e shëndetit

Rajoni i Tamperes nuk shquhet vetëm në fushën e industrisë elektronike, mekanike apo të përpunimit të drurit. Në Tampere është qëndra kërkimore, por edhe e aktivitetit të bisnesit të prodhimit të vaksinave. Ndër vaksinat kryesore që prodhohen këtu është vaksina kundër AIDS, kundër diabetit dhe kundër virusit të diaresë. Ndërsa vaksina e SIDAS testohet në Afrikën e Jugut (në këtë vend numërohën mbi pesë milion njerëz të prekur), në programin e vaksinës kundër diabetit bëjnë pjesë të gjithë fëmijët finlandezë të moshës mbi 10 vjeç me tendencë për tu përhapur edhe në vendet e tjera të Perëndimit. Për përdorimin e vaksinës kundër virusit të diarresë, rreth 70 mijë fëmijë të njëmbëdhjetë vendeve, në periudhën 2001-2005 janë marrë nën vëzhgim për të studjuar efektin e kësaj vaksine të rëndësishme. (Diareja shkakton sëmundje të përgjithshme tek foshnjat dhe tek fëmijët e rritur. Sipas statistikave, sot në botë numërohen rreth 600 mijë fëmijë që vdesin me shkak diarenë).

Në Tampere gjenë edhe industrinë farmaceutike. Sidomos preparatet Aftalmik (për problemet e sëmundjeve të syve etj) janë të konsoliduara dhe kanë famë botërore. Kjo industri ka tendencë zgjerimi, por kostoja e punës, produktiviteti dhe cilësia janë në vëzhgim të rreptë ndërkombëtar. “Santen Oy” (emri i kompanisë farmacuetike), ka qenë e zonja të sigurojë një vend të suksesshëm. Për një dekadë, Santen, ka patur arritje të tilla sa është bërë qendwr e zanafillës së shkencës dhe e bisnesit të kompanive të tjera europiane. Në vitin e fundit, Santen, ka investuar më shumë se 30 milion euro në Finlandë. Sipas Presidentit të kompanisë Julki Liljeros, “sot fabrika është e miratuar nga autoritetet e Shteteve të Bashkuara si dhe ato të BE dhe produktet farmacuetike oftalmik përdoren në më shumë se 40 vende të botës”.

Nuk është vetëm industria e prodhimit të preparateve farmacuetike apo vaksinave, ajo që ka marrë një hop zhvillimi në Finlandë. Kjo industri do të kishte thjeshtë vetëm fytyrën e një biznesi nëse nuk do të kishte një shërbim shëndetësor gjithëpopullorë. Të gjithë qytetarët finlandezë janë të përfshirë në skemën e sigurimeve shëndetësore. Spitalet dhe qëndrat shëndetësore janë pasuri e autoriteteve lokale. Çmimi tavan i pëvitshëm për shërbimin shëndetësor publik është 590 euro për person. Ndihmohen nga shteti të papunët (në Finlandë kjo shifër nuk i kalon 8 përqind), fëmijët dhe pensionistët. Nga shuma prej 590 euro, 40 përqind të saj e paguan vet personi nga paga e tij, 11 përqind e paguan punëdhënësi, 25 përqind paguhet nga të ardhuat e taksave të shtetit dhe 20 përqind nga taksat lokale. Për kategoritë e shtresave të papuna ka një skemë tjetër të rimburësimit.

Ishuj, liqene, pyje dhe… më pak tokë

A keni dëgjuar kur thonë për një njeri të pasur: “Ai nuk dinë se ku i ka paratw”. Pra me fjalë të tjera, aq shumë ka sa nuk dinë se sa para ka. Kështu mund të thuash edhe për Finlandën: Ajo nuk din se ku i ka ishujt e liqenet. Siç e përmendëm edhe në fillim të shkrimit, ka të dhëna kontradiktore për numrin e ishujve e të liqeneve. Por unë jam i prirur të besoj shifrën më të vogël që të ofrojnë: Finlanda ka rreth 100 mijë ishuj dhe mbi 180 mijë liqene. Mendoj se kanë të drejtë kur “gabojnë” duke i numëruar. Vetëm me sipërfaqe nën tre dynym, mund të ketë me qindra ishuj dhe ishujt e pa banuar mund të jenë me mijëra. Një ndër provincat e Finlandës që shquhet për pasurinë me ishuj është edhe Alanda. Kjo provincë wshtw me një status të veçantë qysh në Luftën e Krimesë më 1856. Provinca është e banuar kryesisht me pakica suedeze dhe nga viti 1921, me vendim të Lidhjes së Kombeve, pas diskutimeve mes Finlandës e Suedisë u la që “ishujt” të kenë të mbrojtur gjuhën e tyre, suedishten dhe kulturën lokale. Ajo ka përfaqësues në Këshillin Nordik ashtu siç kanë edhe Ishujt Faroe apo Grenlanda. Alanda ka 6500 ishuj dhe ishuj shkëmborë, ndër të cilët 6400 janë me sipërfaqe më shumë se tre dy. Popullsia e provincës prej 65 mijë banorë jeton vetëm në 65 ishuj. Kuptohet që të gjithë ishujt e tjerë janë të pabanuar dhe rreth 40 përqind e popullsisë jeton në kryeqytetin e provincës që është Mariehamn.

Megjithëse pema, monument natyre, e Finlandës, është mështekna, ajo nuk përbën varietetin kryesor të strukturës së pyjeve në vend. Pyjet, me shumicë bredh e pishë (gati 80 përqind) dhe gjetherënës 20 përqind, mbulojnë 69 përqind të territorit të vendit. Pyjet (rreth 52 përqind në pronësi private e 35 përqind në pronësi të shtetit etj) dhe ujërat përbëjnë dy resurset kryesore të Finlandës, dhuratë e natyrës. Mbi gjithshka janë pyjet, të cilat përbëjnë bazën dhe lëndën e parë të industrisë qysh në shek. e 19-të. Në total, rezervat drusore llogariten të jenë më shumë se 2000 milion metra kub dhe janë më të mëdhatë në Europë pas Suedisë dhe Rusisë. Rritja vjetore e pyjeve llogaritet të jetë mbi 90 milion metra kub, ndërsa konsumimi (përpunimi industrial) vjetor është vetëm 50 milion. Me këtë bilanc, pyjet e Finlandës do të jenë për të gjithë brezat. Ato, tash e në të ardhmen do të jenë një burim i madh të ardhurash (eksporti i lëndës drusore zë rreth 19 përqind të volumit), një front i përhershëm i të punësuarëve (pas elektronikës dhe mekanikës), kompanitë që përpunojnë lëndën drusore janë punëdhënësit më të mëdhenjë në vend dhe industria e përpunimit të drurit futet në listën e tre industrive kryesore të vendit bashkë me inxhinierinë mekanike e automatizimin dhe elektronikën) dhe kontribuese të mëdha në shërimin e mushkërive të planetit. E ashtuquajtura “Green Gold”, ari i gjelbër i industrisë së pyjeve, formon shtyllën e parë të industrisë kombëtare.

Edhe pse kemi të bëjmë me një sipërfaqe gjigande të pyjeve, mbi 26 milion ha, direkt në punën me pyllin dhe fermat bujqësore punojnë vetëm pesë përqind e të punsuarve në Finlandë. Bimët kryesore bujqësore në fermat, numri i të cilave llogaritet të jetë rreth 69 mijë me një sipërfaqe mesatare 33 ha, janë elbi me rreth 594 mijë ha, më pak tërshëra me 345 mijë dhe gruri me 215 mijë ha. Prodhimi i elbit llogaritet të jetë mbi dy milion ton në vit. Llojet e grurit që mbillen kanë cikël të shkurtër vegjetativ, pothuaj 90 ditë. Nëpër restorantet, ashtu siç shërbehet birra e cilësishme e prodhuar prej elbit, do të gjesh edhe bukën dietike prej miellit të tij. Ashtu siç gostitesh me patate, një bimë që përkon shumë me klimën dhe tokën e këtij vendi, ashtu do të shijosh edhe sallatën prej frutave të pyllit, kryesisht boronica e dredhëza. Finlandezët e konsumojnë bizelen në atë shkallë sa ne shqiptarët përdorim fasulen. Qeveria stimulon rritjen e drerit në tufa ashtu si ndihmon edhe sektorë të tjerë të blegtorisë. Në Finlandë nuk njihet tregu i tokës. Pra, një finlandez nuk e shet kurrë tokën e tij. Atje ndërtohet e punohet, por toka, nëse përdoret prej të tjerëve, jepet vetëm me qera.

Majat e Finlandës janë përgjithësisht “maja” të vendeve skandinave, por me veçantitë dhe bukuritë autoktone.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›