Flamuri, në kërkim të letrës së Mustafajt
Dje Flamuri iu kthye punës së tij normale. Pas mbarimit të Kurban Bajramit njerëzit iu kthyen halleve të tyre, të cilat natyrisht përplasen të gjitha te Flamuri. Nuk mjaftojnë hallet e njerëzve të thjeshtë, por Flamuri duhet të zgjidhë dhe hallet e njerëzve me pushtet. Besnik Mustafaj është bërë stresi i tij më i ri. Nuk kishte përtuar dhe i kishte shkruar letër Ridvan Bodes. I kërkonte sqarim për procedurat se si të bëhej kryetar. Se si mund t’i kërkojë ky Ridvanit ta sqarojë, kjo nuk kuptohej nga Flamuri. Dhe faji mbetej mbi Flamurin. Se Ridvani ka tre vjet që nuk vjen te zyra. Dhe çelësat e zyrave, ku nuk vjen njeri, i mban Flamuri. Por me kalimin e kohës ato filluan t’i krijonin bezdi, se nuk mbaheshin të gjitha me vete. Kështu, Flamuri vendosi t’i reduktojë. Në fillim hoqi çelësin e Bamirit, Jozefinës dhe Ridvanit. Bamiri u bë president, Jozefina, kryetare Kuvendi, Ridvani, ministër i parave, s’kishin ç’u duheshin më çelësat e partisë. Kur kishte zgjedhje vitin e kaluar, ua hapi dyert dhe ua la hapur një javë. Pastaj ata s’u dukën më. I kyçi dhe i futi çelësat në një sirtar të gjithë. Pastaj filloi të reduktojë çelësat e sekretarëve. Ishin 5 sekretarë. Njëri për ligje, Rusmali. Ky s’ka pse vjen në parti, tha, se na hap telashe me ato ligjet, është shumë strikt. Po ia heq çelësin dhe ia hoqi. Pastaj Besnik Mustafaj. Dhe ky ishte ministër i Jashtëm. Pastaj dha dorëheqjen. Në atë kohë Flamuri u tremb se mos vinte në PD pasditeve dhe ia humbi çelësin. Ia humbi dhe Strazimirit që ishte caktuar me organizatat partnere, por ky i fundit nisi të vinte. Si për shoqëri, Flamuri e merrte në zyrë të vet dhe nuk u kuptua që çelës nuk kishte. Me Ferdinand Ponin që ishte për pushtetin lokal, ishte e thjeshtë. Sa herë merrte në telefon që thoshte të dal një herë nga partia, Flamuri i thoshte që s’ka qofte te “Sarajet” dhe ai s’vinte. I vetmi që e rrezikonte ishte Jemin Gjana. Atë e hoqi qafe kollaj. I tha atij burrit, më komando mua në vend të Jeminit, se kuksianë jemi të dy dhe ai e komandoi. Nuk e emëroi, por e komandoi. Kështu tani u zhdukën gjithë çelësat e partisë për ata që ishin të zgjedhur dhe mbeti vetëm Flamuri që ishte i komanduar. Por këtu nisi dhe telashi. Doli ky Besnik Mustafaj dhe tha publikisht i kam nisë letër Ridvanit. Dhe u tregua shumë i poshtër, se nuk tregonte përmbajtjen e letrës dy ditë. Se donte të verifikonte a i hapte njeri letrat apo jo. U alarmua Ridvani, i kërkoi letrën Flamurit, por ky i fundit nuk e dha veten. S’kam gjetë asnjë letër nën derë, tha. Pyeti rojën e parkingut. Ai i çuditur tha se “letrat e tri ditëve të fundit sapo i dogja te kazani, sipas porosisë që më ke dhënë”.
- Pe ndonjërën që shkruante Besnik Mustafaj? - tha Flamuri.
- Jo vallahi, se s’di me lexu, por foto nuk kishte në zarf, - tha roja.
I dëshpëruar Flamuri merr Ridvanin.
- E ka djegë roja më duket, - tha, - se i kam dhënë urdhër të djegë një herë në tri ditë gjithë letrat që vijnë, se kush i hap gjithë ato...
- Po pse bre, se do na hapësh telashe tani, - i tha Ridvani. - Pa pyet një herë me takt çfarë ka shkruar.
- S’e di mixhë, por letër s’ka. Le ta botojë në ndonjë gazetë dhe pastaj ktheji përgjigje.
- Po sikur të më pyesin sot? - i tha Ridvani. - Janë bërë të poshtër këta gazetarët. Kur dal nga zyra e më shfaqen para, si gryka zjarri më duken ato kamerat. T’ëmën sa shumë janë dhe njësoj pyesin të gjithë.
- Po të pyetën, thuaj që mua më vijnë shumë letra në një ditë. Ankohen biznesmenë, ankohen qytetarë të thjeshtë, ankohen për mëditje, për ndihma sociale. Për çfarë s’ankohen, - tha. - S’kam pse iu kthej përgjigje të gjithëve. Ne jemi qeveri që flasim me vepra. Veprat tona janë sheshit... dhe futja ca fjalë për rrugën Durrës- Kukës, pastaj ç’të të them unë.
- Mirë o byrazer, mirë, po s’ka dhe lezet, se do vijë një ditë që do dalim të gjithë armiq dhe s’është mirë.
- Tani, kjo punë me radhë është. Ai e ka radhën, ai do ta hajë. S’ke ç’thua tjetër. Dhe atij burrit i bëhet qejfi po e injorove Besnikin, se e vlerëson shumë pozicionin në këto raste..
- Mirë o byrazer, atë po them. T’ëmën sa shumë gryka zjarri presin aty jashtë për një copë letër që ka dërguar ai lumëmadhi. E ç’më gjeti me këtë punë. Pak halle kam unë, - tha, - dhe kjo më duhet.
Pas gjysmë ore bie telefoni nga një gazetare që kërkonte Flamurin.
- Zoti Noka, - tha, - zoti Bode tha që “nuk kemi marrë letër në dorë nga Besnik Mustafaj”, a mund ta konfirmoni ju që letra ka mbërritur?
- Më falni zonjushë, - tha. - Unë nuk jam Arqile Gorea që të konfirmoj mbërritjen e letrave. Vetëm ai ka guximin të gënjejë që Posta Shqiptare punon në rregull. Unë për vete s’e kam këtë mendim. Dro ka ardhë, dro s’ka ardhë.
- Po Besniku a do të kandidojë?
- Nuk e di, dro kandidon, dro s’kandidon.
- Po ju do t’i jepni çelësin e zyrës së tij të bëjë fushatë normale?
- S’e di, dro e kam, dro s’e kam, - e mbylli Flamuri.