Dokumentet tronditëse për poetët e Librazhdit
Për herë të parë botohet dokumenti i Presidiumit të Kuvendit Popullor që refuzon faljen e dënimit me vdekje
të poetëve Genc Leka dhe Vilson Blloshmi. Gjithashtu botohet për herë të parë edhe urdhri i Ministrit të Punëve të Brendshme të asaj kohe, Kadri Hazbiu, për ekzekutimin e vendimit me vdekje (pushkatim).
Republika Popullore Socialiste e Shqipërisë
Presidiumi i Kuvendit Popullor
Tiranë më 16.7.77
Nr.628/1. prot
Ministrisë së Punëve të Brendshme (Drejtorisë së hetuesisë), Prokurorisë së Përgjithshme
Për njoftim:
Gjykatës së Lartë, Tiranë
Presidiumi i Kuvendit Popullor, në mbledhjen e datës 16.7.1977, refuzoi kërkesat për faljen e jetës të:
1. Genc Bardho (Feim) Leka, vjeç 36, lindur dhe banues në fshatin Brëzezhdë të rrethit Librazhd, me origjinë shoqërore fshatar i pasur (kulak), në gjendje punëtor, dhe
2. Vilson Sami Blloshmi, vjeç 39, lindur dhe banues në fshatin Brëzezhdë të rrethit Librazhd, me origjinë shoqërore fshatar i pasur (kulak), me gjendje shoqërore anëtar i kooperativës bujqësore.
Të dënuar të dy me vendimin nr. 45 datë 13.6.1977 të gjykatës së rrethit Librazhd me vdekje (me pushkatim).
Ky vendim u la në fuqi edhe edhe nga kolegji penal i Gjykatës së Lartë.
Vendimi të zbatohet karshi tyre me pushkatim.
Sekretari i Presidiumit
Telo Mezini
Republika Popullore Socialiste e Shqipërisë
Ministria e Punëve të Brendshme
Drejtoria e Hetuesisë
Sekret Ekzemp. Nr. 3
Tiranë më 16.7.77
Nr. 438/2. Prot
Lënda: Mbi ekzekutimin me vdekje (pushkatim) të dënuarve Genc Bardho
(Feim) Leka dhe Vilson Sami Blloshmit.
Degës së Punëve të Brendshme, Sektorit të hetimit, Librazhd
Për njoftim: Prokurorisë së Përgjithshme, Tiranë
Në bazë të vendimit nr. 45, datë 15.6.1977, të gjykatës së rrethit Librazhd, lënë në fuqi nga Kolegji penal i Gjykatës së Lartë janë dënuar me vdekje (pushkatim):
1. Genc Bardho (Feim) Leka, vjeç 36, lindur dhe banues në fshatin Brëzezhdë të rrethit Librazhd, me origjinë
shoqërore fshatar i pasur (kulak), në gjendje punëtor
2. Vilson Sami Blloshmi, vjeç 39, lindur dhe banues në fshatin Brëzezhdë të rrethit Librazhd, me origjinë
shoqërore fshatar i pasur (kulak), me gjendje shoqërore anëtar i kooperativës
bujqësore.
Për arsye se në bashkëpunim kanë sabotuar dhe kanë propoganduar kundër
pushtetit popullor. Meqenëse Presidiumi i Kuvendit Popullor me shkresën nr. 628/1, datë 16.7.1977, njofton refuzimin e kërkesës për faljen e të dënuarve:
URDHËROJ:
Të dënuarit Genc Bardho (Feim) Leka dhe Vilson Sami Blloshmi të ekzekutohen me vdekje (pushkatim) në vendin e caktuar në datë 17-7-1977, ora 24.00. Për ekzekutimin e tyre ngarkoj Degën e punëve të Brendshme, Librazhd. Para se të ekzekutohen, të njoftohen të dënuarit se kërkesat e tyre për faljen e jetës janë refuzuar nga Presidiumi i
Kuvendit Popullor.
Mbas ekzekutimit, i ngarkuari me këtë punë duhet të bëjë procesverbalin e ekzekutimit të vendimit që mban edhe fjalën e fundit të të ekzekutuarve, i cili i dërgohet Drejtorisë së Hetuesisë.
Ministri i Punëve të Brendshme, Kadri Hazbiu