PD mbron ligjin e dosjeve, por harron votimin
Selia blu ka bërë me dije dje se projektligji për "spiunët" është shumë i mirë, por ka anashkaluar votimin e këtij drafti në seancën e ditës së hënë në Parlament. Kjo është edhe shenja e parë për tërheqjen zyrtare të Partisë Demokratike nga ligji i dosjeve. Zëdhënësi i Partisë Demokratike, Gerti Bogdani, ka dhënë gjashtë argumente pse ligji për pastërtinë e figurës së zyrtarëve është i mirë. Argumenti i parë është se ligji që ndodhet në Parlament është kopje e zbutur e ligjit të vitit 1995, i cili ka qenë edhe varianti identik i ligjit çek i vitit 1991. Arsyeja e dytë, sipas Bogdanit, është se ligji çek është vlerësuar si kushtetues nga Gjykata e Çekosllovakisë, ndërsa ligji shqiptar i vitit 1995, është gjykuar nga Gjykata Kushtetues në fund të janarit 1996 dhe është gjetur kushtetues. "Së treti, pika 4 e nenit 1 të ligjit çek thotë se parashikohet certifikimi i pastërtisë për pozicionet e gjykatësve, ndihmësgjykatësve, prokurorëve, oficerëve të policisë gjyqësore, noterëve publikë dhe arbitrazhit shtetëror. Zëdhënësi Bogdani ka sqaruar edhe argumentin e radhës, se ligji i vitit 2006, i dorëzuar në Kuvend nga ish-nënkryetari i PD-së, Bamir Topi, thoshte se "subjekte të verifikimit të përgjithshëm janë edhe gjyqtarë e prokurorë". Bogdani ka shtuar se në asnjë rast Gjykata e Strasburgut nuk ka hedhur poshtë asnjë ligj të lustracionit, duke e dhënë argumentin e radhës lidhur me partinë rivale të saj, duke e akuzuar për mbrojtje të xhelatëve të komunizmit.