Shqipëri-Indi, bashkëpunim ekonomik
Ministri i Punëve të Jashtme, Lulzim Basha, dhe homologu i tij indian, Pranab Mukherjee, konfirmuan vullnetin e përbashkët për të ndërmarrë të gjithë hapat në drejtim të intensifikimit të bashkëpunimit ekonomik. Bashkëpunimi mes Indisë dhe Shqipërisë erdhi si pasojë e vizitës treditore në Indi të shefit të diplomacisë shqiptare, Lulzim Basha. "Ekonomia indiane dhe ajo shqiptare duhet të përfitojnë nga potencialet e mëdha të pashfrytëzuara të bashkëpunimit midis tyre", theksuan dy homologët gjatë takimit. Një ndihmë të madhe për këtë bashkëpunim do të japë edhe ambasada shqiptare në Nju Delhi, hapja zyrtare e së cilës u inaugurua nga ministri Basha në prani të përfaqësuesve të qeverisë indiane dhe Trupit Diplomatik të akredituar në Indi.