E Diel, 1 Nëntor 2026

Meta: PS, më keq se në kohën kur drejtohej nga Nano

Fitorja e zgjedhjeve të vitit 2009 është një detyrë dhe jo dëshirë. Kështu u shpreh dje kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, në një takim me mbështetës të njësisë numër 1 në kryeqytet. Ndërsa më parë deklaroi se lidershipi socialist po vuan të njëjtat fenomene me kohën kur partia drejtohej nga Fatos Nano. Madje, tha Meta, tanimë këto fenomene janë përkeqësuar në krahasim me më parë. Sipas tij, ky tur takimesh që sapo ka filluar, do të jetë në të gjithë kryeqytetin dhe në të gjithë Qarkun e Tiranës e do të zhvillohet jo vetëm në salla të mbyllura. "Gara do jetë me të vërtetë e vështirë, sepse përballë kemi dy kundërshtarë, të cilët nuk do të donim të ishin së bashku, por ju e dini që për fat të keq ata kanë një vit që nuk dallojnë fare nga njëri-tjetri në të gjithë qëndrimet e tyre", konstatoi Meta. Ajo që ka ndodhur me lidershipin e PS-së, vijoi ai, ka shërbyer në dobësimin e opozitarizmit në vend, ka shërbyer në mbulimin e korrupsionit galopant dhe skandaloz që kulmoi me tragjedinë e Gërdecit, thjesht dhe vetëm për interesa të lidershipit të kësaj partie e jo për interesa të socialistëve të thjeshtë, të cilët nuk japin leje ndërtimi. Duke folur për nivelin e lartë të korrupsionit në vend, kreu i LSI-së theksoi se "jemi të bindur që kur kërkojmë të luftohet korrupsioni nuk e bëjmë thjesht për politikë apo për retorikë, por që korrupsioni është një haraç i madh mbi jetën tonë dhe gjithë shqiptarëve që i duhet të paguajnë nën dorë për të fituar një shërbim të cilin shteti, bashkia, apo entet publike janë të detyruar të realizojnë në mënyrë transparente". Duke vlerësuar vendimin e Komisionit të Venecias, Meta tha se "Komisioni i Venecias, si institucioni më i lartë në Evropë për çështjet kushtetuese, i kritikoi rëndë ndryshimet kushtetuese në Shqipëri, duke e quajtur qartazi nenin 104 për mocionin e mosbesimit për Kryeministrin, si një hap mbrapa dhe forcim të tejskajshëm të tij, por njëkohësisht edhe për shumë nene të tjera, të cilat dëmtojnë pavarësinë e prokurorisë dhe gjyqësorit". Meta u shpreh gjithashtu se, për këtë gjendje që po kalon vendi nuk është fajtore vetëm qeveria e Berishës, që duhej larguar menjëherë pas tragjedisë së Gërdecit. "Fajtor për këtë situatë nuk është vetëm Sali Berisha, por është edhe ajo pjesë e opozitës, e cila i tha atij që ne si përfaqësues të politikës së re do të lëmë ty ta konsumosh të gjithë mandatin tënd, pavarësisht nga korrupsioni ku është zhytur kjo mazhorancë", u shpreh kreu i LSI-së. Teksa kujtoi edhe një herë se ka dy javë që i ka dërguar kreut socialist një letër për t‘u takuar dhe për të biseduar për problemin e standardit të zgjedhjeve.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›