Sondazhi i OKB dhe KE: Ja pse korrupsioni në Shqipëri është kaq i frikshëm
Ka dy ditë që qarkullon në media, kryesisht në ato të huajat, një sondazh i realizuar nga Zyra për Krimet dhe Drogërat pranë Kombeve të Bashkuara, për llogari të Komisionit Europian. Është një sondazh shumë i rëndësishëm dhe ka në qendër çështjen e korrupsionit dhe ryshfetit që paguhet në vendet e Ballkanit Perëndimor.
Në këtë klimë të ngarkuar politike, një sondazh i tillë nuk bie në sy e mbi të gjitha të rralla janë sondazhet që përbëjnë lajm në Shqipëri, kur të gjithë e dimë sa problem është ryshfeti. Sondazhi do përbënte lajm nëse vendi ynë nuk do paguante ryshfete. Por në të gjithë Ballkanin Perëndimor ryshfeti është shumë i përhapur dhe Kosova, Bosnja e Shqipëria, dmth tre vendet më të varfra, kryesojnë.
Mirëpo të bëjnë përshtypje disa detaje nga ky sondazh që të bëjnë të mendohesh mirë sa i frikshëm dhe sa i përhapur është ky fenomen në vendin tonë.
Për shembull, ndryshe nga vendet e tjera të Balkanit, sondazhi thotë se ryshfeti në Shqipëri është më i përhapur në zonat rurale, çka shpjegon se përse këto zona janë nën thundrën e pushtetit. Ndërsa në vendet e Ballkanit, ryshfeti paguhet më shumë në zonat urbane.
Po ashtu, krejt çuditshëm dhe kjo duhet theksuar pasi ka qenë kryelajm në disa media të huaja, ryshfeti nuk është një fenomen mashkullor.
Në një kontrast unik me prirjen rajonale, prevalenca e ryshfetit në Shqipëri është më e lartë ndër gra, thuhet në sondazh. Dmth sipas sondazhit, gratë paguajnë më shumë ryshfet, çka ndodh shumë rrallë në vendet e tjera, e paguajnë më shumë se burrat, çka bën që jeta e grave të jetë e prekur rëndë nga ky fenomen.
Po ashtu, në sondazh thuhet se në Shqipëri, ndryshe nga rajoni, të gjitha ryshfetet paguhen në cash.
Ne ndryshojmë nga vendet e rajonit edhe nga diçka tjetër: këtu ryshfetin në shumicën e rasteve e kërkojnë zyrtarët në mënyrë të qartë ose indirekte.
Një tjetër fakt i rëndë është se ndryshe nga vendet e rajonit që paguajnë ryshfet për të shmangur taksat, për të marrë ndonjë dokument ose për të fshirë një gjobë, në Shqipëri ryshfeti paguhet për trajtim më të mirë.
Në Shqipëri, sipas sondazhit, ryshfeti quhet një praktikë e zakontë.
Korrupsioni në Shqipëri është çështja e dytë më e rëndësishme për qytetarët. Papunësia është në vend të parë.