E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fataliteti i minutës së fundit

 

Leonard Karaj

Humbja e një ndeshje është gjithmonë e hidhur por kur kjo vjen në minutat e fundit atëherë bëhet zeher. Një të tillë kombëtarja shqiptare dhe tifozët e saj e përjetuan mbrëmjen e së shtunës ku pas një 90 minutëshi gati perfekt erdhi goditja finale. Atë që nuk mundi ta bëjë ylli i portugezëve Kristiano Ronaldo, e realizoi një mbrojtës, Bruno Alvesh, i cili pluhurosi gjithçka të mirë që kishin bërë kuqezinjtë deri në atë moment duke i kthyer ata diku prapa në origjinën e tyre. Kjo për faktin se s’janë të pakta ndeshjet ku ekipi ynë përfaqësues ka humbur takimet pikërisht në minutat e fundit. Madje në tri ndeshje spektakolare kombëtarja ka humbur në minutat shtesë të akorduara nga arbitri i ndeshjes.
Precedentët
Përveç Shqipëri-Portugali (1-2) edhe në ndeshjet Irlandë-Shqipëri 2-1 dhe Qipro-Shqipëri kuqezinjtë janë dorëzuar në sekondat e fundit. Adrian Aliaj zor se do të harrojë 7 qershorin e 2003-it në Dublin teksa shënonte një autogol në portën e Strakoshës në minutën e 92-të ndeshjes. Deri në atë moment për vendasit kishte shënuar kapiteni Roi Kin ndërsa për kuqezinjtë fantazisti Ervin Skela. E hidhur ka qenë edhe humbja në miqësoren e 19 gushtit të 1998-ës me Qipron në Nikosia. Teksa Alban Bushi shënonte golin e avantazhit 2-1, kombëtarja lëshonte në lojë dhe vendasit përgjigjeshin edhe dy herë të tjera në minutën e 84 dhe në të 94-ën duke sigluar rezultatin 3-2.
Gjermania
Por asnjë nga këto më sipër nuk kanë të krahasuar me përballjet ndaj kombëtares gjermane. Në katër takime Gjermania ka arritur t’i prishë festën kuqezinjve vetëm në finish. Duke filluar që nga viti 1983 ku pas golit të Genc Tomorit, Rumenige dhe Strack kthenin gjithçka në favor të tyre. Për të vazhduar me Shqipëri-Gjermani të 1997 ku dopietës se Bledar Kolës i përgjigjej në fund Ulf Kirsten me tre gola resht. Ndërsa akoma më therëse ka qenë 4-3 e 11 tetorit ‘97 ku mbarë Shqipëria festoi për ca orë barazimin historik. Kjo pasi në minutën e 88 një black-out la gjithë vendin në errësirë. Vetëm ditën tjetër u bë i ditur rezultati i ndeshjes 4-3. Oliver Bierhof kishte shënuar golin a avantazhit 2 minuta pasi Shqipëria ishte përpirë nga errësira.

Ndeshjet

6 qershor 2009
Shqipëri-Portugali         1-2
Shënues: Bogdani 29’/ Almeida 28’, Bruno Alvesh 93’
17 tetor 2007
Shqipëri-Bullgari         1-1
Shënues: Kishishev (autg) 32’/ Berbatov 87’
12 shtator 2007
Shqipëri-Holandë         0-1
Shënues: Van Nistelroi 90’
8 tetor 2005
Ukrainë-Shqipëri         2-2
Shënues: Shevçenko 45’, Bogdani 74’, 82’, Rusol 86’
7 qershor 2003
Irlandë-Shqipëri             2-1
Shënues: Keane 6’, Aliaj (autg) 90’/ Skela 8’
24 mars 2001
Gjermani-Shqipëri         2-1
Shënues: Deisler 50’, Klose 88’/ B.Kola 66’
19 gusht 1998
Qipro-Shqipëri             3-2
Shënues: Engomitis 63’, Akis 84’, Ioanou 90’/ Haxhi 43’, Bushi 71’
14 tetor 1998
Norvegji-Shqipëri         2-2
Shënues: Rekdal 82’, Berg 88’/ Bushi 38’, Tare 52’
28 prill 2004
Estoni-Shqipëri             1-1
Shënues: Viikmae 83’/ Aliaj 52’
11 tetor 1997
Gjermani-Shqipëri         4-3
Shënues: Helmer 64’, Bierhof 73’, Marshall 86’, Bierhof 90’/ Kohler 55’ (autg), Tare 80’, Vata 88’
2 prill 1997
Shqipëri-Gjermani         2-3
Shënues: Kola 62’, 90’/ Kirsten 63’, 80’ 84’
5 qershor 1999
Shqipëri-Norvegji         1-2
Shënues: Olsen 16’ (autg)/ N. Iversen 3’, Torre Andre Flo 82’
20 gusht 1997
Ukrainë-Shqipëri         1-0
Shënues: Serhij Rebrov 86’
3 dhjetor 1986
Shqipëri-Spanjë             1-2
Shënues: Muça 27’/ Arteche 67', Joaquin 83'
15 nëntor 1989
Shqipëri-Poloni             1-2
Shënues: Kushta 63’/ Tarasieëicz 45', Ziober 83'
20 nëntor 1983
Gjermani-Shqipëri         2-1
Shënues: Rummenigge 24’, Strack 80’/ Tomori 23’

Batuta e Kuzhe: Në kazino për shkak të gruas
E ka kaluar me një batutë të këndshme pyetjen e sikletshme mbi të shkuarën e tij në një intervistë për TV Klan, trajneri i kombëtares Josip Kuzhe. “Unë kam shkuar në kazino sikundër çdo njeri në këtë botë. Madje mund t’iu them se kam takuar edhe shumë shqiptarë në kazino. Nga ana tjetër ky ves le ta quajmë është pak a shumë sikundër të shkosh me femra të tjera, pra të tradhtosh gruan. Unë preferova kazinonë dhe jo tradhtinë ndaj bashkëshortes sime”, pohoi gjithë humor trajneri i ekipit përfaqësues Josip Kuzhe. 

Foto Strakosha: Mos “kryqëzoni” Isli Hidin
Legjenda e portës shqiptare ka mbrojtur me fanatizëm portierin e kombëtares pas ndeshjes me Portugalinë. Sipas Foto Strakoshës, goli i pësuar në sekondat e fundit të takimit uk ishte vetëm faj i Hidit. “Unë mendoj se nuk duhet kryqëzuar në këtë mënyrë një portier si Hidi. Sipas meje nuk ishte faji i tij në golin e dytë të shënuar nga Portugalia. Gjithkush mund ta pësonte një gol të tillë. Për mendimin tim Hidi është dhe duhet të jetë trajneri i parë i kombëtares dhe për këtë nuk duhet të ketë asnjë pikë dyshimi”, ka pohuar Strakosha në një intervistë për “Panorama”.

Kuqezinjtë, stresin e humbjes e nxjerrin pub-ve
Nga stadiumi në pub. Dufi i humbjes me Portugalinë është përjetuar në mënyra të ndryshme nga futbollistët e kombëtares shqiptare. Dikush ka preferuar të mbyllet në hotel, dikush, në shtëpi dhe ca të tjerë e kanë mbajtur frymën në pub-e dhe diskoteka të kryeqytetit. Natyrisht nuk ka sesi të ishte një natë me humor në majë të gjuhës por secili është mundur t’i largohet asaj minute fatale e cila ua shuajti ëndërrën e një barazimi historik ndaj “brazilianëve të Evropës” në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa”. Pikërisht për të harruar dhe për të hequr stresin e kësaj përballjeje shumica e kuqezinjve kanë preferuar të mos zënë menjëherë shtratin. Erjon Bogdani, Edmond Kapllani, Klodian Duro, Endri Vrapi, Andi Lila, Kristi Vangjeli, Jahmir Hyka, Elis Bakaj, etj., kanë preferuar “Mai Tai” (pub, i njohur në Tiranë) për të kaluar disa orë nën shoqërinë e muzikës dhe të koktejeve. Futbollistët kuqezinj kanë qëndruar aty prej mesnatës deri në orët e para të ditës së sotme nën shoqërinë edhe të disa miqve të tyre. Parë nga larg, humbja fatale ndaj Portugalisë dukej sikur i ishte venitur që në hyrje të pub-it. Që të gjithë argëtoheshin në mënyrën e tyre sikur ndeshja e dy orëve më parë të mos ishte luajtur kurrë. Të qetë dhe të qeshur janë parë Edmond Kapllani dhe Klodian Duro. I pari nuk luajti asnjë minutë në këtë takim ndërsa mesfushori i Omonias nuk shkëlqeu siç pritej, por si për njërin dhe për tjetrin Portugalia dukej e lënë pas në kohë. Tjetër gjë për kosovarët. Sipas informacioneve Debatik Curri, Samir Ujkani dhe Besart Berisha sapo kanë lënë stadiumin janë kthyer në hotel.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›