E Shtunë, 31 Tetor 2026

Athinë, alarm për bombë në Ambasadën Shqiptare

 

Një telefonatë nga persona të paidentifikuar alarmoi policinë greke, pas lajmërimit për vendosje eksplozivi në Ambasadën Shqiptare në Greqi. Policia tha se mori një telefonatë anonime, e cila sinjalizoi për ngjarjen. Telefonuesi mësohet të ketë lajmëruar policinë për vendosjen e lëndës eksplozive në ambientet e brendshme të Ambasadës Shqiptare në Athinë. Sipas telefonuesit anonim që kontaktoi me policinë greke, lënda shpërthyese ishte programuar dhe pritej të shpërthente në orë 3 e gjysmë të mëngjesit. Autoritetet e sigurisë fillimisht morën masa për evakuimin e stafi diplomatik të ambasadës, i cili në kohën kur u dha alarmi ishte i pakët në numër edhe për shkak të ditës së pushimit zyrtar. Më pas policia e Athinës bllokoi rrugët përreth godinës së ambasadës, duke filluar kontrollet me mjete metalkërkues dhe me qen antiminë. Pas verifikimeve për më tepër se dy orë, policia deklaroi zyrtarisht se alarmi për bombë ishte i rremë. Ambasada e Shqipërisë në kryeqytetin grek ndodhet në adresën: 7, Vekiareli GR., 15237 Filothei, Athens. E gjithë kjo zonë është bllokuar dje nga policia e Athinës dhe skuadrat antieksploziv, të cilat kanë verifikuar mundësinë e vendosjes së lëndëve eksplozive. Telefonuesi anonim që lajmëroi policinë nuk kishte specifikuar vendin ku mund të ishte bomba ndërsa ai mësohet se ka ndërprerë komunikimin telefonik pa u treguar autoriteteve diçka rreth identitetit dhe qëllimeve të tij. Pavarësisht kontrolleve të cilat nuk gjetën asnjë lëndë të dyshimtë në Ambasadën tonë në Athinë, punonjësit diplomatikë janë mbajtur larg çdo rreziku derisa kaloi orari i paralajmëruar. Pas kësaj, duke iu referuar të dhënave negative nga kontrollet e policisë, është arritur në përfundimin se alarmi ka qenë i rremë. Policia ndërkohë është duke hetuar rreth mundësisë së identifikimit të personit anonim që lajmëroi në drejtorinë e Athinës dhe në rajonin e policisë që mbulon zonën ku ndodhet ambasada jonë në kryeqytetin e vendit fqinj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›