Votimet, evropianët pak të interesuar për Parlamentin
Vendet e Bashkimit Evropian mbajtën dje ditën e katërt dhe të fundit të zgjedhjeve për Parlamentin e ri Evropian. Votuesit hodhën votën në 19 vende. Tetë shtete të Bashkimit Evropian i kanë kryer votimet për Asamblenë me 736 vende, që harton shumë ligje të Bashkimit Evropian dhe autorizon buxhetin e tij. Sipas VOA, analistët tregojnë se pakënaqësia e madhe e votuesve të kontinentit evropian mund të sjellë si rezultat një pjesëmarrje më të ulët se kurrë dhe të krijojë hapësirë për partitë që janë kundër emigracionit dhe kundër Bashkimit Evropian. Anketat pas votimeve të kësaj jave në Hollandë, sipas të cilave, kishte rritje të mbështetjes për një parti të së djathtës ekstreme, kanë shkaktuar shqetësim mes udhëheqësve të Bashkimit Evropian. Sipas anketave parazgjedhore, shumë votues ishin të shqetësuar për papunësinë në rritje dhe fajësonin udhëheqësit e Bashkimit Evropian se kishin bërë shumë pak për të përballuar krizën ekonomike që ka mbërthyer kontinentin. Në total rreth 375 milionë njerëz në 27 vende evropiane kanë të drejtën e votës. Sipas BBC, sondazhet sugjerojnë se më pak se gjysma e tyre votojnë. Një tjetër parashikim është që kjo votë të hidhet edhe në shenjë proteste ndaj qeverive kombëtare lidhur me krizën ekonomike. Në letër këto janë zgjedhjet më të mëdha shumëkombëshe në histori, për një organizëm që po bëhet gjithnjë e më i fuqishëm. Deputetët evropianë janë ata që i japin formë legjislacionit në shumë sektorë të jetës së përditshme, që prej kostos së telefonisë celulare e deri tek limitet për ndotjen e ajrit. Vendet në parlament janë të akorduara në përputhje me numrin e popullsisë së vendit. Gjermania që është vendi me popullsinë më të madhe ka edhe numrin më të madhe të deputetëve, 99, kurse Malta që është vendi më i vogël ka vetëm 5 deputetë. Por kriza ekonomike mund të nxisë shumë zgjedhës që t’i ndëshkojnë qeveritë e tyre, ose të mos marrin pjesë fare.