E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha në grup: “Jemi të angazhuar për zgjedhje të lira dhe të ndershme”



Kryeministri Sali Berisha ka garantuar se qeveria është e angazhuar të zhvillojë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Këtë deklaratë kreu i qeverisë e ka mbajtur gjatë mbledhjes së djeshme të Grupit Parlamentar të PD-së, pas takimit me ministrin e Jashtëm të Italisë, Franko Fratini. “Dua ta garantoj se ne do të ndërmarrim të gjitha reformat për konsolidimin më tej të demokracisë, të shtetit ligjor dhe të ekonomisë së tregut. Ne jemi para një procesi zgjedhor dhe, në detyrimin tonë më madhor është të bëjmë të gjitha përpjekjet për t’i dhënë vendit zgjedhjet më të mira, më dinjitoze që ka njohur ndonjëherë”, - është shprehur Berisha. Madje ai ka gjetur rastin që të kthejë dhe një përgjigje përfundimtare për debatin e fundit për pavarësinë e institucioneve kushtetuese. “Ka një debat lidhur me pavarësinë e institucioneve në Shqipëri. Edhe një herë dua të theksoj se qeveria ime dhe unë jemi tërësisht dhe thellësisht të angazhuar për pavarësinë e institucioneve, jemi ne që kemi çelur siparin e rëndësisë së madhe të institucioneve të pavarura për vendin. Ne jemi më të interesuar se kushdo tjetër për pavarësinë e këtyre institucioneve, por për një pavarësi reale, të vërtetë të tyre”, - është shprehur Berisha, ndërsa premtoi se qeveria do të ecë në rrugën e reformave, të cilat do të prekin të gjitha institucionet, edhe ato të pavarurat. “Jemi ne të votëbesuarit e shqiptarëve, që kemi detyrimin madhor të procedojmë me reformat, ashtu siç po bëjmë ndërkohë”, - është shprehur Berisha. Duke iu referuar takimit me Fratinin, Berisha bëri të ditur se së shpejti Shqipëria do të vizitohet dhe nga kryeministri italian, Silvio Berluskoni. “Kryeministri italian, Silvio Berluskoni, do të vijë për një vizitë zyrtare në Shqipëri. Kjo shënon një ngjarje tjetër kulmore në marrëdhëniet tona, një nxitje të madhe dhe inkurajim për biznesin italian për të investuar në Shqipëri, shënon gjithashtu një mbështetje të fuqishme të përpjekjeve tona për integrimin në NATO, integrimin në Bashkimin Europian”, - ka bërë të ditur Berisha.

28 Tetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›