E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sondazhi, spanjollët kundër zgjedhjeve të parakohshme

Spanjollët nuk janë dakord për zgjedhje të parakohshme, siç kërkon opozita e djathtë, por tregohen kritikë ndaj kreut të qeverisë socialiste, Hose Luis Rodrigez Zapatero.
Këto janë përfundimet e një sondazhi të institutit Metroscopia, publikuar sot në të përditshmen e qendrës së majtë, "El Pais". Nga sondazhi i realizuar më 2 qershor, me 506 persona, rezultoi se shumica e të pyeturve (53 për qind) janë shprehur në favor të përfundimit të mandatit të Zapateros, që mbaron në vitin 2012 dhe kundërshtojnë mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme.

Por 86 për qind e të anketuarve shprehen se kanë pak ose aspak besim tek kryetari i qeverisë së tyre, i vënë në pozicion të vështirë nga kriza ekonomike. Shumica dërrmuese e të pyeturve, 84 për qind, mendojnë se Zapatero "improvizon" dhe 76 për qind nuk e miratojnë politikën e tij të administrimit të krizës.

Mes zgjedhësve që votuan për të në vitin 2008, vetëm 41 për qind shprehen se do të votojnë përsëri për të në rast zgjedhjesh legjislative. Ndërsa 58 për qind e personave të pyetur janë në favor të një ndryshimi qeveritar. Ky sondazh konfirmon gjithashtu avantazhin e partisë kryesore të opozitës, Partia Popullore (e djathtë), ndaj socialistëve.

Qeveria e Zapateros është në një situatë delikate pas miratimit më 27 maj nga deputetët, vetëm me një votë më tepër, të planit të saj të masave të rrepta ekonomike që përfshin ulje të pagave të funksionarëve dhe ngrirjen e pensioneve për të përshpejtuar zvogëlimin e deficitit publik të vendit.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›