Patundshmëritë, çmime astronomike
Gjendja e rëndë ekonomike dhe çmimet tepër të larta kanë bërë që të zvogëlohet numri i të interesuarve për blerjen e patundshmërive në kryeqytet. Kërkesa më e madhe për blerje mbetet në qendër të Prishtinës. Agjencitë e patundshmërive në Kosovë ankohen se ka rënë dukshëm interesimi i blerësve dhe si shkak të kësaj rënieje, ata e shohin ngritjen e çmimeve si dhe standardin e ulët jetësor të qytetarëve.
Menaxherja e agjencionit për patundshmëri “Zogu”, Albulena Azemi u shpreh për Kosovapress se interesimi për blerje është në rënie, krahasuar me vitet paraprake.
“Interesimi është në rënie, për arsye se standardet janë të larta edhe interesimi ka mbet ma i ulët, çmimet janë shumë të larta në krahasim me standardin që sillet, dmth. te shitjet”, tha ajo.
Kurse, sipas pronarit të agjencisë “Vision – plus”, Ramadan Sejdiu, çmimet prej 1.500 deri në 2.000 euro për metër katror të banesave, sa sillen në disa pjesë të kryeqytetit, kanë bërë që të bie interesimi i qytetarëve për shitblerje dhe se interesimi më i madh për këto lloj investimesh, sipas tij, vërehet te ndërkombëtarët, kryesisht gjatë sezonit të verës.
“Banesat e reja ne nuk i marrim për arsye se s`kanë leje ndërtimi. Kërkesat ekzistojnë, sidomos prej ndërkombëtarëve, ato janë para vitit të ri, gjatë pushimeve, por përgjithësisht krejt i lypin në përdhese, ku mund të zhvillojnë ndonjë biznes, apo maksimumi deri në katin e 3-të apo të 4-të, pra çmimet si thashë janë për mendimin tim të larta, pra fuqitë blerëse janë fare pak”, tha Sejdiu.
Sa i përket interesimit të mërgimtarëve për patundshmëri, agjencitë shprehen se edhe numri i tyre është në rënie dhe kërkesat e tyre janë më të mëdha gjatë sezonit të verës, ku sipas tyre, vërehet një interesim i madh sidomos për shtëpitë e vjetra.
“Po këna kërkesa, por përgjithësisht pjesa dërmuese e tyre lyp shpija të vjetra, të cilat kishin mund, psh. për m’i prish edhe në atë parcelë për me ndërtuar diçka, mirëpo ne si agjencion aso shpija të vjetra që janë atraktive për biznes nuk posedojmë. Po them nuk posedojmë në këto 2 vjet, apo edhe 3 vjet e fundit”, tha ai.
Sejdiu po ashtu tha se Kosova ka çmimet më të larta ne Ballkan sa i përket patundshmërive. Ndryshe, kriza ekonomike që ka përfshi mbarë botën, kishte ndikuar që të bie blerja e patundshmërive dhe me këtë edhe çmimi i patundshmërive. Kosova nuk është prekur drejtpërdrejt nga kjo krizë dhe si shkak i saj nuk ka ndikuar as në rënien e çmimit të patundshmërive, të cilat krahasuar me një vit më parë, vetëm sa kanë shënuar rritje. Çmimet më të larta janë në qendër të Prishtinës, Dardani, Ulpianë, Bregun e Diellit, kurse çmime më të ulëta kanë ndërtimet e reja, që gjenden kryesisht në lagjet periferike të kryeqytetit.