Sonte me Luftar Pajën

Luftar Paja
Teatri «Bylis» shfaq sonte, ora 19.00, premierën e komedisë «Jo vetëm shtrirë, bëj diçka» me protagonist Luftar Pajën. Regjisori Kiço Londo kishte parasysh portretin e këtij aktori mjaft popullor për skenën e qytetit të Fierit, kur mori në dorë komedinë e shkruar nga Michael Pertwee.
Është kjo situatë: Një ministër i qeverisë britanike harton një ligj për të luftuar korrupsionin në Mbretërinë e Bashkuar, por kjo nuk e ndalon atë të ketë lidhje dashurie me sekretaren e tij, zonjushën Parkin dhe Uendin, gruan e një gazetari të njohur. Kundërshtarë të ligjit, kryesisht disa vajza hippy, rrëmbejnë mikun e ngushtë të ministrit, bashkautor i ligjit, ndërkohë që ai po martohej. Gjithçka kulmon me plane qesharake ku të gjithë kërkojnë të shpëtojnë karrierat e tyre dhe të fshehin të vërtetën.
Përkrah Pajës në rolin e Inspektorit Ruf, interpretojnë: Fatmir Xhelili (Uilliam Braun), Sotir Stefa (Beri Hobis), Mimoza Marjanaku (Xhen Fedo), Doriana Çaushaj (Zhizel Parkin), Gerta Metaj (Damina) dhe Brikena Sinanaj (Uendi). Arqile Lipe në rolin e Uillfred Potsit ka ardhur posaçërisht nga Greqia, vendi i emigrimit shumëvjeçar për aktorin e humorit. Skenografia është realizuar nga Gëzim Hajdini.
Premiera shënon edhe inaugurimin e rikonstruksionit të Teatrit Bylis. Janë bërë rregullime në studiot e aktorëve, është ndërhyrë tërësisht në rampën e skenës 40-vjeçare. Puna po vazhdon edhe në dyert kryesore të teatrit, në ambientet sanitare dhe në përmirësimin e imazhit të reklamës. Rikonstruksioni mbështetet nga Bashkia Fier dhe biznesmenë të ndryshëm.
Jo vetëm shtrirë, bëj diçka, prodhim në bashkëpunim i Teatrit Shëtitës që Londo drejton dhe Teatrit Bylis, shfaqet nga sot, çdo fundjavë deri më 15 prill 2012. / E. Demo