E Diel, 1 Nëntor 2026

Ishin dënuar për vjedhjen e një banke dhe trafik femrash, ekstradohen



Tiranë – Interpoli ekstradoi dje nga Parisi Petrit Brahajn nga Tropoja, ndërsa nga Roma ekstradoi Bujar Gipsin nga Kavaja. Ekstradimi i Brahajt u bë pasi më datën 29.10.1998, rreth orës 01:30, në qytetin e Bajram Currit, bashkë me disa persona të tjerë kanë vjedhur Bankën e Kursimeve të Rrethit Tropojë. Gjykata e Apelit Shkodër, me Vendimin Nr. 87, datë 30.03.2005, ka lënë në fuqi Vendimin Nr. 22, datë 30.03.2004, të Gjykatës së Rrethit Tropojë, e cila e ka dënuar shtetasin Petrit Brahaj me 10 vjet burgim për veprën penale të “vjedhjes së bankave dhe arkave të kursimit” në bashkëpunim. Ndërsa ekstradimi i Gipsit u bë pasi Gjykata e Krimeve të Rënda Tiranë, me Vendimin Nr. 26, datë 29.04.2004, e ka dënuar me 16 vjet heqje lirie për veprën penale të “trafikimit të femrave për prostitucion”. Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda Tiranë, me Vendimin Nr. 24, datë 21.12.2004, ka vendosur lënien në fuqi të Vendimit të Gjykatës për Krimet e Rënda Tiranë. Shtetasi Bujar Gipsi, në prill të vitit 1997, ka trafikuar në drejtim të Italisë, me qëllim shfrytëzimi për prostitucion, shtetasen shqiptare A. P.

Dibra: “Leja për Çakrrin u dha sipas kritereve ligjore”

Tiranë - Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Gazmend Dibra, u përpoq dje të shfajësojë institucionin që ai drejton duke u shprehur se i dënuari që u arratis nuk kishte probleme me burgjet, por me Drejtësinë. Gazmend Dibra ishte i pranishëm në prezantimin e projektit të burgjeve të reja dhe qendrave të paraburgimit në Shqipëri. “Procedurat e lejes janë dhënë konformë ligjit dhe në bazë të sjelljes së tij, e cila ka qenë e rregullt”, - shpjegoi drejtori i Burgjeve, Dibra. Në prezantimin e projektit të burgjeve ishte i pranishëm edhe ambasadori i Komisionit Europian dhe ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj. Ambasadori i delegacionit të Komisionit Europian i akredituar në Tiranë, Helmuth Lohan, i bëri apel qeverisë shqiptare t’i kushtojë më shumë vëmendje kushteve në të cilat vuajnë dënimin të burgosurit shqiptarë. Nga ana e tij, ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, tha se një sërë ligjesh shumë të rëndësishme janë ndërmarrë në këtë fushë dhe që kanë përmirësuar kushtet dhe të drejtat e të burgosurve. Alibeaj përmendi ndryshimet në Kodin Penal, alternativat e dënimit me burgim, rritjen e nivelit të normës ushqimore, përmirësimin e kushteve në burgje si dhe rritjen e të drejtave të të dënuarve.

24 Janar 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›