Burgjet e reja, prezantohet projekti i BE-së
Tiranë - Përfaqësues të Bashkimit Europian prezantuan dje projektin për ndërtimin e burgjeve të reja në vend. Sipas projektit, do të ndërtohen tre burgje te reja në Gjirokastër, Fier dhe Elbasan, si dhe disa qendra paraburgimi në Berat dhe Kukës.
Ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, duke folur për kushtet e të burgosurve deklaroi se vendet ku ata vuajnë dënimin dhe masat ndaj tyre janë përmirësuar ndjeshëm. Projekti, i cili u prezantua në Ministrinë e Drejtësisë, ka një kosto prej 780 mijë eurosh. I pranishëm në prezantim ishte ambasadori i KE-së, Helmut Lohan, i cili premtoi se do të ndjekë me shumë vëmendje projektet dhe lëvrimin e fondeve.
Aksident me vdekje, shoferi tentoi largimin nga vendi i ngjarjes
Tiranë – Një aksident i ka marrë jetën një 67-vjeçari. Policia e kryeqytetit njoftoi dje se ka arrestuar shtetasin Sami Geca, 50 vjeç, nën akuzat e “shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor” dhe të “largimit nga vendi i aksidentit”. Nga të dhënat mësohet se ndalimi i tij është bërë pasi duke drejtuar automjetin tip “Benz”, me targa 522 KS 979, në Rrugën e Durrësit, pranë pallatit të sportit “Asllan Rusi”, ka aksidentuar me vdekje këmbësorin Shkëlqim Hazisllari, 67 vjeç, lindur në Korçë dhe banues në Tiranë. Pas kryerjes së aksidentit, drejtuesi i mjetit është larguar nga vendi i ngjarjes, por është kapur më pas nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6 Tiranë, në afërsi të Unazës së Re.
Arrestohet grabitësi me dhunë i grave në Rrugën e Durrësit
Tiranë – Policia ka vënë në pranga 18-vjeçarin nga Lapraka, Fatbardh Byberi, i cili dyshohet se sulmonte gratë dhe më pas u merrte portofolin. Burime nga uniformat blu thanë për gazetën se dy ditë më parë shërbimet policore kanë realizuar kapjen dhe arrestimin e 18-vjeçarit, i dënuar më parë për vjedhje. Ky person ishte person i shpallur në kërkim, pasi dyshohet se është autor i disa vjedhjeve. Sipas policisë, më 10 janar 2009, në Rrugën e Durrësit, ai dyshohet se i ka vjedhur portofolin një gruaje, brenda të cilit gjendeshin 38 mijë lekë. Gjashtë ditë pas vjedhjes së parë, dyshohet se në të njëjtën rrugë i ka vjedhur portofolin dhe shumën prej 45 mijë lekësh një tjetër gruaje. Të njëjtat burime saktësojnë se ky person është i dyshuar edhe për një vjedhje të realizuar në të njëjtin vend më 26 dhjetor të vitit të kaluar. Ai dyshohet t’i ketë vjedhur një gruaje portofolin me 70 mijë lekë. Gjatë arrestimit, Byberit i është gjetur një thikë, me të cilën mendohet se kërcënonte viktimat e tij.
Trafiku i drogës në Padova, në pranga shqiptarë dhe afrikanë
Një superoperacion i policisë italiane ka prangosur 55 persona, shqiptarë dhe afrikanë. Policia e Padovës ka njoftuar në media se arrestimet janë bërë në kuadër të operacionit “Tamer”, ku janë sekuestruar 14 250 doza heroine. Nga të arrestuarit, 15 prej tyre janë me vendime gjykate, ndërsa pjesa tjetër janë vënë në pranga si bashkëpunëtorë. Por i madh është dhe numri i personave të hetuar. 87 italianë, shqiptarë e afrikanë janë nën hetim. Aksioni është bërë nga Guardia di Financa në bashkëpunim me Antidrogën. Nga të dhënat mësohet se organizata e shkatërruar kishte shtrirje në Shqipëri, Holandë dhe në Spanjë, ndërsa në Itali ishte e shtrirë në Lombardi dhe Veneto. Nga Padova, droga shpërndahej më pas edhe në Emilia Romagna, Toskana dhe Trentino. Janë sekuestruar edhe 11 kg drogë, prej të cilave 5 kg janë kokainë dhe 3 kg heroinë.
24 Janar 2009