Sonte në emisionin “Përballë” në RTSH: Drejtësi e vonuar, drejtësi e mohuar!

5 vjet më parë Shqipëria ndërmori një reformë unike për të pastruar sistemin e drejtësisë përmes vettingut me zotimin se drejtësia e re do të verë në vend padrejtësinë.
Sot, 5 vjet më pas, pastrimi i gjyqësorit po ndodh, institucionet e reja po plotësohen, por ndërkohë vonesa dhe të papriturat në rrugën e reformës jo vetëm që nuk kanë adresuar ende problemin e pandëshkueshmërisë së zyrtarëve të lartë, por kanë krijuar vonesa në dhënien e drejtësisë për mijëra qytetarë.
Pezullimi i punës së Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë për pothuaj 3 vite, si pasojë e vettingut, ka shtuar numrin e dosjeve në pritje për gjykim. Në Gjykatën e Lartë janë 35 mijë dosje që presin radhën për gjykim, ndëkohë që vetë institucioni më i lartë i drejtësisë nuk ka plotësuar ende vendet bosh me gjyqtarë.
Një drejtësi e vonuar është një drejtësi e mohuar- thotë një maksimë e njohur.
10 ditë më parë, Parlamenti ndërmori disa ndryshime në legjislacion për të zvogëluar kapicën e dosjeve në gjykatë më premtimin që do e bëjë më të prekshme reformën për qytetarët.
Sa e mundur është që drejtësia të jepet shpejt për qytetarët? Çfarë sfidash të tjera e pengojnë drejtësinë e re për të përmbushur zotimin e vjetër se ditët e pandëshkueshmërisë po mbarojnë dhe dita që të gjithë janë të barabartë para ligjit është shumë afër.
Sonte në #Përballë ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj. Ora 21.00, RTSH 2
PD, beteja brenda vetes!
Partia Demokratike ka vendosur të afrojë datën e zgjedhjes së kryetarit me 40 ditë, më 13 qershor, në një kohë që ende ndodhet në procesin ankimor për zgjedhjet e 25 prillit në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe Kolegjin Zgjedhor.
Kritikët e kryetarit Basha, më shumë se për ditën e zgjedhjeve në parti janë interesuar dhe këmbëngulin që kryetari i PD-së të marrë përgjegjësinë për humbjen e radhës dhe të japë dorëheqjen.
Ata thonë se zgjedhjet me ngut në PD, nuk ofrojnë kushte të barabarta për të gjithë kandidatët. Por nëse kritikët e zotit Basha bashkohen në kërkesën për dorëheqje ata nuk kanë një platformë të njësuar dhe duket as edhe një kandidat rival gjerësisht të mbështetur.
“Ramën e kemi kundërshtar dhe e dimë si mundet, thotë njëri prej kritikëve të zotit Basha, – dhe shton se beteja brenda vetes qenka më e vështira dhe u mungon edhe përvoja për këtë.
Sonte në #Përballë, Arben Ristani, anëtar i kryesisë së Partisë Demokratike. Ora 21.30, RTSH 2