E Shtunë, 31 Tetor 2026

Libri i llogarive, çfarë ndodhte në punishten e Gërdecit

 

Punëtorët ndaheshin në të paktën 6 grupe. Më të paguarit specialistët ose ish-oficerët e nxjerrë në lirim

 

TIRANË- Ata fatkeq që kanë punuar në fabrikën e vdekjes në Gërdec kanë rrezikuar çdo ditë jetën për pak para. Janë përpjekur çdo ditë që të nxjerrin ushqimin në tavolinën e fëmijëve të vegjël, të mbijetojnë. Mes tyre nuk ka vetëm fshatarë të zonës, por edhe banorë të Tiranës që kanë punuar aty si shoferë apo specialistë. Këta të fundit janë ish-ushtarakë që janë hedhur në rrugë nga reformat e shumta të Ministrisë së Mbrojtjes. Janë konsideruar si të pavlefshëm duke i dhënë një pension qesharak dhe janë detyruar të nisin një tjetër aventurë. "Ditari i Gërdecit", i cili është siguruar nga "Shekulli", tregon me detaje se si punonin çdo ditë këta njerëz për të fituar bukën e gojës apo për të nxjerrë ndopak para mënjanë për një ditë të keqe. E kjo ditë edhi në 15 mars kur shpërthimi i fuqishëm shkaktoi 22 të vdekur e më shumë se 300 të plagosur.

***

Puna në Gërdec ndahej mes të paktën gjashtë grupeve të veçanta. Secili prej tyre kishte një detyrë të veçantë. Grupi më i vogël përbëhej nga ata njerëz që dinin diçka nga predhat e ushtrisë dhe rreziku vdekjeprurës që vinte prej tyre. Ata ishin Specialistët, shtatë njerëz. Të gjithë ish-ushtarakë dhe për këtë arsye kishin marrë këtë emërtim. Ata dinin më shumë se drejtori i fabrikës (ish- shoferi i pronarit), më shumë se vetë pronari (i cili kishte bërë një të mesme profesionale dyvjeçare). Në krye të listës ishte Besim Çanga. Major në gradë, 51 vjeç ishte nxjerrë jashtë radhëve të ushtrisë nga reformat e ministrit Mediu. Ai kishte bërë vite shkollë, kishte edhe më shumë vite eksperiencë, por kjo nuk i mjaftoi që të mbante vendin në ushtrinë shqiptare. Ai kishte qenë i pranishëm me eksperiencën e tij në tragjedinë e Selcës në Burrel më 1997; kishte administruar tragjedinë e Dhëmblanit në Tepelenë; kishte shkatërruar për vite të tëra mijëra municione por kjo nuk mjaftonte. Reforma e kishte detyruar që të vinte veten në rrezik për të nxjerrë pak para më shumë që të përballonte shkollimin e vajzave. Kjo është historia e shkurtër e një prej viktimave të dramës së Gërdecit. Besim Çanga e kishte paralajmëruar këtë dramë teksa bisedonte me njerëzit e afërm por ai kishte zgjedhur që të punonte edhe pak ditë se i duheshin paratë. Këto ishin edhe ditët e fundit të jetës së tij. Emri i Besimit është shënuar në secilën prej faqeve të librit të zi të Gërdecit. Është i pari në listën e specialistëve. Pas tij vijnë gjashtë të tjerë.

***

Sipas shënimeve tepër korrekte të "Llogaritarit" të kompanisë ky ishte edhe grupi më i paguar në fabrikën e vdekjes. "Grupi i specialistëve në fund të ditës duhet të paguhet me tre mijë lekë të reja",- thuhet në fund të çdo dite në ditarin e mbajtur nga "Llogaritari",që vazhdon ende që të shkruajë me lekë të vjetra. Specialistëve u shtohen edhe dy punëtorë me specialitet, Astrit Alia dhe Fatmir Kurti. Por ata nuk kanë aq dijeni sa të tjerët e për këtë arsye duhet të paguhen me 11 mijë lekë të vjetra në ditë. Në fund të listës qëndron një emër, Ilir Hoxha. Detyra e tij është sistemimi i predhave dhe paguhet dy mijë lekë në ditë. Pas tyre vijnë edhe dy punëtorë të tjetër disi më të specializuar dhe ndryshe nga "skllevërit" që duhet të hapnin predhat. Ata janë Elidon Fjolla, shoferi që duhet të paguhet çdo ditë me 1300 lekë të reja dhe Ilirjan Malçi, fadromist, i cili merr po të njëjtën pagesë ditore. Malçi ishte punonjës i Repartit të Xhenios por ai u "harrua" nga Ministria dhe Shteti duke u vendosur në listën e viktimave si një banor i zonës së Laçit. Ai humbi jetën në krye të detyrës, por u quajt si një nga viktimat e radhës për të mbuluar veprimet e eprorëve të tij që dhanë urdhrat. Por emri i tij nuk është harrura nga "Llogaritari" në listën e zezë të çdo dite punë në fabrikën e vdekjes në Gërdec.

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm ka dërguar fadromistin në fabrikën e vdekjes për qëllime "sigurie"

 

TIRANË- Ilirjan Malçi është punonjës i Repartit të Xhenios, por në asnjë listë zyrtare nuk përmendet se ai është punonjës i Ushtrisë Shqiptare. Është zhdukur pas shpërthimit të ndodhur në fabrikën e municioneve, por emri i tij u fut në listën e të zhdukurve disa ditë më pas. Për tre ditë me radhë, emri i xhenierit Ilirian Malçi nuk ka qenë në asnjë listë të publikuar qoftë nga Shtabi i Emergjencës, apo edhe nga autoritetet e tjera. Më pas, në faqen zyrtare të Kryeministrisë, emri i tij është publikuar si person që rezulton i zhdukur, thjesht si banor në zonën e Laçit. Por në dokumentet që otëron Shekulli, thuhet e në bazë të një kërkese të Meico-s, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm ka nxjerrë urdhërin NR 56 datë23.01.2008 "Për vënie në dispozicion të një fadrome ndërrmarrjes MEICO", urdhër i cili u zbatua nga Komnada e Forcave të Bashkuara.

Djali i xhaxhait të Ilirjanit, Dod Malçi ka denoncuar për "Shekullin" këtë fshehje të funksionit të të zhdukurit, që ai e cilëson të qëllimtë. Sipas Dod Malçit, Iliriani është urdhëruar nga eprorët e tij të punonte në fabrikë, edhe pse firmoste në borderonë e repartit. Sipas tij, Iliriani ishte punonjës i Repartit 4501 të Forcave Xheniere dhe që prej datës gjashtë shkurt është urdhëruar të shkojë në fabrikën e çmontimit. "Detyra e Ilirianit ishte të zëvendësonte në drejtimin e fadromës, prodhim italian, me targa TC 135, një tjetër punonjës të Xhenios, në fabrikën e Gërdecit. Për ditë të tëra, të afërmit e Ilirjanit kanë kontaktuar me Shtabin e Emergjencës, por nuk kanë mundur të gjejnë të afërmin. Dy vëllezërit e tij gërmuan vetë në dhe nxorën nga rrënojat trupin e pajetë të vëllait të tyre. Familjarët deklaruan se kishin pritur katër ditë për gjetjen e trupit të Ilirjanit. Sipas dëshmisë, xhenierët e gjetën trupin poshtë predhave dhe dheut. Ai kishte humbur jetën teksa punonte në fabrikën e Gërdecit edhe pse ishte efektiv i repartit të xhenios.

Pjesë nga "Ditari i Zi" i Gërdecit

Grupi i Specialistëve

Besim Çanga 30000

Petrit Behari30000

Zabit Cuku30000

Zyliftar Ahmeti30000

Viktor Miroli30000

Shaban Braushi30000

Sadik Sula30000

Ilir Hoxha20000Sistemimi i predhave

Astrit Alia11000punëtor me specialitet

Fatmir Kurti11000punëtor me specialitet

Elidon Flolla13000shofer

Ilirjan Malçi13000fadromist

LISTA E VIKTIMAVE TË IDENTIFIKUARA

Jetmir Ballazhi

Rajmonda Durda

Muhamet Hoxha

BesimÇanga

HysenCani

Jetmir Deliu

Roland Alla

LilianaDeliu

Flavio Deliu

Reshit Kruja

AzemMeliundërroi jetë në spital, Itali

IlirianMalçi

ZilieKaca

EndriDvorani

ArbenHasa

Muhamet Azizi

Bukurie Cani

Nafie Laci ndërroi jetë në spital, Itali

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›