Memoçi: Në Greqi do më presin këmbën, më ndihmoni
Inspektori i policisë së zonës është plagosur në shpërthimin e Gërdecit dhe është braktisur në spitalin grek
Përveç banorëve të shumtë, tragjedia e Gërdecit ka shkaktuar edhe një tjetër viktimë. Ai është Dritan Memoçi, inspektori i policisë së zonës që po trajtohet aktualisht në spitalin Papagjeorgjiu në Selanik të Greqisë. Ai ndodhet i vetëm në spital dhe shprehet se ndihet i braktisur nga shteti. Ai i ka bërë edhe një apel shtetit pasi ndihet i frikësuar se në Greqi do i presin këmbën, "Do i lutesha shtetit dhe i bëj thirrje se në këtë spital ku ndodhem unë nuk mund të qëndroj dot më. Nuk kam asnjë lloj shprese këtu, madje rrezikoj dhe humbjen e këmbës",- thotë i frikësuar oficeri i policisë.
Ai ka shpjeguar dje se gjendja e tij shëndetësore është shumë e keqe. "Kam katër ditë që mjekët nuk janë marrë fare me mua. Unë kam përkeqësime të këmbës, e cila më është kthyer si në ditën e parë që kam ardhur këtu. Rrezikoj të humb njërën këmbe, sepse kam marrë dëmtime shumë të rënda, gjë që mund të çojë deri në humbjen e njërës këmbë. Konsulli erdhi një ditë dhe iku. Kam komunikuar vetëm me oficerin e kontaktit të ambasadës tonë në Athinë, i cili është nisur për të ardhur drejt meje, ndërsa konsulli të cilin e kam vetëm 30 minuta larg nuk ka ardhur edhe pse e kam njoftuar në orën 12 të natës, sepse gjendja ime ka qenë shumë e keqe dhe vazhdon të jetë shumë e keqe",- ka pohuar dje nga shtrati i spitalit inspektori i policisë Dritan Memoçi. Ai ka shpjeguar se është plagosur në krye të detyrës dhe shteti as që është përpjekur që ta ndihmojë. Madje ai ka paguar njerëz nga Shqipëria që ti bëjnë shërbim sepse nuk lëviz dot nga shtrati. "I bëj thirrje kryeministrit, të bëj diçka, këta janë ekstremiste. Edhe pse i bie ziles së emergjencës doktori nuk lëviz fare, vetëm kur i bie rruga mund të vijë e të më shikojë. Jam krejtësisht i vetëm dhe nuk kam asnjë familjar timin, kam vetëm një kushëririn tim që momentalisht e kanë nxjerrë jashtë sepse nuk e lëne të futet brenda. Atij i kanë dhënë një vizë 15- ditore për të më qëndruar mua pranë, por nuk e lënë fare të më afrohet. Me kanë lënë tre ditë pa ngrënë se me thanë se do më operonin sërisht, por asnjë s'po merret me këtë punë, nuk e di se kujt t'i drejtohem, por unë dua të largohem sa më parë nga Greqia. Nëse do të kishte mundësi edhe brenda kësaj dite, nuk dua të qëndroje më në këtë spital",- thotë Memoçi. Ai është një nga njerëzit që ka hyrë në mes të turmës së punëtorëve për të shpëtuar sa më shumë jetë por shpërthimi i dytë i ka shkaktuar plagë të rënda.