E Diel, 1 Nëntor 2026

Rusët, përse kaq të lidhur me Stalinin?

Çdo të martë në mbrëmje të gjithë mezi presin Viktorin, që nga studioja televizive "Apokrif", që transmetohet natën vonë në kanalin rus "Kultura", flet për tregime, ndalet te librat, fton autorë të rinj, bën polemikë për jetën dhe vdekjen, por flet edhe për tema shumë pak të preferuara në Moskë si burgosja e

Mikhail Khodorkovsky apo vdekja e Anna Politkovskaja, duke evituar në të njëjtën kohë shumë çështje të tjera delikate që lidhen me politikën. Viktor Erofev, 62 vjeç, "vallëzon" në zemër të netëve në kufirin e hollë që ndan Rusinë e re, atë të talk-show, të disidencës, nga Rusia e vjetër, ajo e spiunimit, e frika për të përfunduar në telashe për ndonjë fjalë goje. Erofev është i vetmi që arrin të flasë keq për Rusinë dhe njëkohësisht të mbajë në jetë një emision të suksesshëm, ndoshta sepse kritikon rusët, më tepër sesa Kremlinin.

Viktor Erofev, një brez i tërë sovjetikësh ka thënë se e keni dashur Stalinin, dhe ju në librin tuaj "Stalini i mirë", tregoni se si kjo eksperiencë ka penetruar në thellësinë e ndërgjegjes ruse. Çfarë ka mbetur nga ajo dashuri e fortë në brezin e rusëve të rinj, si Abramoviç apo Xenia Sobchak, cilësuar si Paris Hiltoni e Moskës?

Dëshira për të qenë pjesë e një vendi të fortë dhe të paprekshëm sjell ngjashmërinë mes Rusisë staliniste dhe asaj bashkëkohore. Akoma sot, një pjesë e mirë e rusëve janë të bindur se Stalini ka qenë një hero. Ndoshta mund të guxosh të thuash se personazhe si Abramoviç, oligarku i ri që ka një nga pasuritë më të mëdha në botë, ose Xenia Sobchak, mbretëresha ruse e talk-show-ve dhe jetës mondane ruse (vajza e Anatoly-s kryetar bashkie në Leningradin post-sovjetik dhe mik i madh i Putinit)që interpretojnë në botën e show-biznesit atë lojë pushteti që rusët duan dhe pranojnë si karakter të kulturës së tyre.

Stalini ishte gjeorgjian dhe ju tregoni se si ky fakt ka pasur një peshë në politikën sovjetike. Sot, sërish Rusia ka një problem me Gjeorgjinë. Fantazma e Stalinit kthehet ndoshta për të ndërgjegjësuar rusët nën kthetrat e Sakashvilit?

Stalini ishte një gjeorgjian i "yni", që kishte aftësi ndryshe nga ato të Sakashvilit, është për rusët gjeorgjiani i huaj, që përdor kombësinë gjeorgjiane në çelësin antirus dhe në të njëjtën kohë nuk do ta gëzojë kurrë statusin e "një gjeorgjiani të mirë". Edhe pjesa tjetër e rusëve, të bindur se Stalini ishte diktatori më i keq i të gjitha kohërave, nuk arrin ta cilësojnë simpatik Sakashvilin.

Ju në libër përshkruani një Stalin familjar që populli e njeh si babanë e kombit nga veprimet, nga mungesat, nga zakonet, nga fiksimet e vogla dhe nga shijet për ushqimin dhe gratë. Mendon se bëhet fjalë për pasazhe të rëndësishme të diktaturës?

Kur je në një familje je më i predispozuar t‘i lësh gjërat të rrjedhin në mënyrën e tyre normale dhe kur rreth një lideri krijohet një dimension emocional shumë i fortë, je më tolerues ndaj gabimeve të tij. Kështu që përmasat familjare që krijohen përreth figurës së tij ndihmojnë për t‘i forcuar pushtetin. E njëjta gjë është verifikuar edhe shumë herë të tjera në histori. Por, është mungesa e ironisë për ta transformuar një shef karizmatik në një diktator. Deri kur përreth tij ka satirë dhe sens humori popujt ndihen të sigurt. Me Stalinin nuk tallej kurrë njeri.

Në një pjesë të librit tuaj është përmbledhur gjithë impotenca e popullit rus ndaj pushtetit. Sipas jush, cilat janë kushtet e një ndryshimi për të krijuar marrëdhënie me autoritetet?

E citoj shpesh këtë episod të ndodhur në Moskë në vitin 1937. është ora tre natës, kur bie dera. Të gjithë janë zgjuar dhe presin që t‘i arrestojnë. Dërgojnë gjyshin për t‘ua hapur derën agjentëve të NKVD, dhe pas pak ai kthehet duke ulëritur nga gëzimi: "Urra! Janë zjarrfikësit! Shtëpia ka marrë flakë!". Prej kohësh populli rus ka më shumë frikë nga pushteti sesa nga katastrofat natyrale. Akoma sot ligjet janë hartuar me pak sadizëm, sikur praktikisht të ishte e pamundur të mbijetosh pa i dhunuar. Ëndrra e përditshme e çdo qytetari rus është që dita të mos u rezervojë asnjë takim me autoritetet kushtetuese, nga kontrollori i rendit rrugor, te ndonjë gjykatës.

Duke jetuar në Rusi të krijohet përshtypja se historia përsëritet pa pushim, nga koha e Carit te Stalini, e deri te Putini. Le të marrim rastin e Khodorkhovsky, i burgosur në Siberi pas një procesi të rremë gjyqësor. Mos ndoshta kjo është simbol i një Rusie që nuk ndryshon?

Historia ruse është si një rreth dhe politikanët tanë, bëjnë gjithçka për të mos e prodhuar. Vetëm Rusia mund ta bënte oligarkun një hero tragjik siç është sot Khodorkovsky.

Pas Putinit, në pushtet është Medvedev. Çfarë mendon për Presidentin e ri? Mund ta quajmë një perëndimor modern?

Është një liberal, dhe duket se ka talent për t‘i përballuar çështjet në mënyrë demokratike. Kam besim tek ai, por problemi qëndron te rusët, që gjithmonë përpiqen të shohin te demokracia një formë dobësie karakteri.

Shkrimtari

Viktor Erofev ka lindur në Moskë, në vitin 1947. Është një nga shkrimtarët rusë bashkëkohorë. Babai, përkthyesi i parë nga frëngjishtja i Stalinit, pastaj diplomat në Paris u hoq nga detyra pas publikimit të disa shkrimeve të të birit, në Almanakun "Metropol", i konsideruar si simbol i disidencës sovjetike në Perëndim. Pas perestrojkës, Viktor Erofev, u rikthye në atdhe në vitin 1990 ku publikoi "Moska e bukur‘ dhe tani "Stalini i mirë".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›