E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gianna Fratta: Femrat dirigjente paragjykohen

Rikthehet për të disatën herë në Tiranë. Këtë radhë në një sfidë me veten. Dirigjentja italiane, Gianna Fratta, me bagetën në dorë, do të vazhdojë të qëndrojë përballë orkestrës për të dirigjuar operën e fundit të Verdit, "Falstaf". Është një pamje që publikut ia vret syrin. Teksa e shohin para partiturës, ndoshta u kalon edhe një hije dyshimi. Fratta është e vetëdijshme që dirigjimi konsiderohet ende një zanat meshkujsh. E quan fat që në moshën 35-vjeçare i takoi të realizojë këtë operë, e konsideruar si një ndër më të vështirat. Emrave të njohur u ka takuar vetëm pas vitesh të tëra karrierë. "Forca ime qëndron në besimin që krijoj. Jam shumë studioze dhe e gatshme t‘i përgjigjem çdo lloj rasti që më jepet. Deri më tani jam ngjitur në salla teatrosh të rëndësishëm dhe kam një karrierë më të pasur se disa prej dirigjentëve meshkuj", shprehet në Tiranë dirigjentja. Është shumë e familjarizuar me vendin tonë. Jo vetëm se tashmë e ka vizituar disa herë. Që në vogëli dëgjonte shpesh të flitej për Shqipërinë nga gjyshërit e saj me origjinë arbëreshe. "Unë arrij ta kuptoj shqipen, ndonëse mes njëri-tjetrit ata flasin arbërisht", tregon ajo.

Të kanë besuar një opera të madhe. Si e pritët këtë ftesë dhe a e ndjenit veten të gatshme për të dirigjuar "Falstaf"?

Ishte një ftesë shumë e rëndësishme sepse nuk ndodh shpesh në jetë të të ftojnë të drejtosh "Falstaf". Nuk u ndodh as dirigjentëve të mëdhenj. Për mua ishte një debutim, nuk e kam drejtuar më parë këtë operë dhe ka qenë një angazhim i madh. Nuk e mendoja se do të bëhej një shfaqje e tillë në pak kohë. Kemi punuar 10-12 orë në ditë dhe bashkëpunuam shumë mirë me regjisorin Nikolin Gurakuqi dhe besoj se guximi që pati drejtori i Teatrit të Operës, Zhani Ciko, për ta bërë pjesë të kalendarit këtë pjesë, besoj se u shpërblye me një punë të mirë. Kur arrita, ndjehesha sikur qëndroja para një kryevepre, ndaj së cilës shpresoja të isha në lartësinë e duhur. Isha edhe pak e frikësuar. Por kur filluam provat, u qetësova disi, sepse kuptova se mund t‘ia dilnim të bënin një punë dinjitoze që u vlerësua.

Kjo është vepra e fundit e Verdit. Cilat janë qasjet tuaja ndaj këtij kompozitori të njohur?

Nga Verdi kam drejtuar shumë vepra. E fundit, para se të vija në Tiranë, ka qenë "Rigoletto" në Itali. Por të drejtosh "Falstaf", në krahasim me "Trovatore", "Rigoletto" apo "Traviata", është krejtësisht një gjë tjetër. Kjo operë është vepra e fundit e Verdit dhe një nga më të vështirat. Kam punuar edhe shumë vepra të Puçinit, Giordanos, por nuk kam dirigjuar asnjë vepër kaq të gjatë, kaq komplekse si për orkestrën, ashtu edhe për këngëtarët. E kam dëgjuar shumë herë "Falstaf", kam shpresuar që një ditë të më vinte rasti ta dirigjoja, por nuk mendoja se do të më kishte ndodhur në këtë moshë të re. Madje në një bisedë me maestro Cikon po diskutonim nëse i ka qëlluar ndonjëherë ndonjë gruaje të dirigjojë "Falstaf". Shumë gra kanë drejtuar veprat e para të Verdit, por jo këtë. Pas premierës i telefonova profesorit tim, drejtues i njohur orkestre, Bruno Bartoleti, që tani ndodhet në Çikago. Më tha që "je me fat që ke bërë këtë vepër në moshën tënde, pas të 30-ave. Mua më ka qëlluar ta dirigjoj shumë vonë".

Ju keni dirigjuar në disa teatro të botës, riktheheni për të disatën herë në Tiranë. Si e shihni apo sa përshtateni me mënyrën se si punohet këtu?

Çdo institucion ka mënyrën e vet të të punuarit. Meqenëse Teatri i Operës bën shumë produksione (një muaj e gjysmë më parë është vënë një tjetër operë e madhe "Andrea Chenier"), për "Flastaf" u punua në mënyrë shumë intensive. Shumë teatro në Itali realizojnë një program me pak shfaqje, të cilave u kushtojnë më shumë kohë e punë. Gjithsesi është meritë e artistëve shqiptarë. Nuk besoja se orkestra do t‘ia dilte në një kohë kaq të shkurtër.

Si e keni parë Shqipërinë në këto vite?

Kam ardhur si pianiste në Tiranë në vitin 1991 në Teatrin e Operës. Gjatë viteve kam punuar me disa artistë, si me tenorin Josif Gjipalin, kam drejtuar koncertin "Tre tenorët", kam realizuar dy koncerte me Orkestrën e RTSH-së, kam njohur gjithashtu edhe pianisten Ina Kosturi, e cila më ka vendosur kontaktet në Tiranë. Shqipëria ka ndryshuar shumë, ka një transformim tërësor. Është e qartë se vjen nga një periudhë e gjatë regjimi dhe ka nevojë për kohë që të arrijë një demokraci të vërtetë siç mund të jetë ajo evropiane. Kuptohet që këtu nuk është si në Itali, Gjermani apo gjetkë. Ne kemi pasur kohë t‘i arrijmë këto nivele.

Ne jemi dy vende fqinjë që, për një kohë të gjatë, nuk e kemi njohur njëri-tjetrin. E kishit menduar se një ditë do të kishit të tillë aktivitet artistik këtu?

Unë kam familjaritet me Shqipërinë. Arrij ta kuptoj mirë shqipen, sepse gjyshërit e mi janë nga një fshat i Puljes me origjinë arbëreshe. Mes tyre, gjyshërit e mi flasin arbërisht dhe unë që e vogël kam dëgjuar të flitej për Shqipërinë. Kam menduar se mund të vija në Shqipëri, se për mua është vend familjar.

Pse zgjodhët të bënit dirigjenten në jetë?

E kam nisur karrierën si pianiste, që e vogël. Herën e parë që dëgjova orkestrën, mendova se do të më pëlqente më shumë të punoja me orkestrën. Vendosa të bëja dirigjenten. Që në moshën 12-13-vjeçare kam studiuar për të bërë këtë punë. Vështirësitë e të qenit grua në fillim kanë qenë të shumta. Italia ka shumë pak traditë në këtë aspekt dhe besoj se kjo ndodh në të gjithë botën. Vetëm tani në Amerikë apo Japoni po del ndonjë grua e po merr emër. Por nëse mund të themi shumë emra dirigjentësh meshkuj, askush nuk mund të thotë emrin e një gruaje që është bërë e famshme. Mendoj se jam me fat, sepse kudo ku kam shkuar më kanë thirrur sërish dhe bëj koncerte të rëndësishme. Këtë verë do të shkoj në Berlin, jam e para grua që kam dirigjuar në Operën e Romës, po filloj të kem karrierë edhe në teatro mjaft të rëndësishme. Kjo është forca ime, kur shkoj në një vend rikthehem.

Mungesa e promovimit të femrave dirigjente sipas jush lidhet me nivelin e tyre artistik apo është thjesht një paragjykim?

Me siguri që është një paragjykim. Në "La Scala" deri më sot nuk ka dirigjuar asnjë grua, ka një tabu. Nuk ka ndonjë arsye të fortë që të mos ndodhë. Shpresoj se me kohën, pas 100 apo 200 vjetësh të jetë normale që një grua të dirigjojë si një burrë. Kur drejtova për herë të parë orkestrën në Operën e Romës, artistët i bënë një letër drejtorit duke i thënë se u ndjenë shumë mirë me mua. Ishte diçka që nuk e bënin prej vitesh.

Cili është objektivi që kërkoni të arrini në karrierën tuaj?

Mendoj dhe shpresoj të bëj një karrierë të rëndësishme. Që tani kam drejtuar në teatro të rëndësishme dhe objektivi im do të ishte të vazhdoja të jetoja me dirigjimin, duke shkuar gjithnjë në teatro më të rëndësishme. Jam person që studioj shumë, nuk lodhem kurrë. Kjo besoj se është forca ime, sepse shumë dirigjentë të rinj dorëzohen, nuk kanë më dëshirë për të luftuar. Unë e studioj një vepër, edhe nëse nuk duhet ta dirigjoj. Nuk ka problem nëse nuk e kam dirigjuar më parë "Turandot", mund ta dirigjoj dhe nesër, sepse tashmë e kam studiuar. Në jetë qëllon rasti që të thërrasin papritur për të bërë diçka, nëse t‘i je gati në atë çast mund të hapet një karrierë e bukur, nëse nuk je gati, nuk të qëllon më. Unë jam e gatshme ta kap rastin, më pëlqen puna që bëj.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›