E Shtunë, 31 Tetor 2026

Si u ndanë shpërblimet në disa nga qarqet e vendit

Shpërblimi për punë të mirë nga fondi i drejtorive të policisë së qarqeve, në shumë raste po jepet për punë të mirë. Të njëjtën procedurë ka ndjekur edhe policia e Tiranës, duke shpërblyer disa prej uniformave blu, e shumë të tjerë, kanë mbetur pa gjë. Gjithashtu, edhe në disa prej qarqeve të tjera është ndjekur e njëjta procedurë.
Korçë
Nga të dhënat policore, të gjithë ata punonjës të policisë në Korçë, që kanë dhënë rezultate të mira gjatë këtij viti do të shpërblehen nga ana e Drejtorisë së Policisë me një pagë të plotë ose gjysmë page. Caktimi i masës së shpërblimit për festat e fundvitit do të jetë në varësi të rezultateve të secilit gjatë punës njëvjeçare në sektorë të ndryshëm të policisë. Lajmi bëhet i ditur nga ana e drejtorit Bernard Çaushaj, sipas të cilit do të ketë shpërblime për ata punonjës që kanë pasur rezultate të larta dhe pozitive në sektorët ku janë të angazhuar. Çaushaj tha se Drejtoria e Policisë së Qarkut në Korçë është duke përgatitur shpërblimet nga fondi për punonjësit e policisë dhe masën e shpërblimit për secilin në varësi të pagës aktuale dhe të punës së kryer gjatë vitit.
Shkodër
Ndërsa nga Drejtoria e Policisë së Shkodrës mësohet se punonjësit e policisë do të kenë një shpërblim vetëm nga ana e qeverisë, që është në vlerën 10 mijë lekë. Për pjesën dërmuese të efektivëve, policia e Shkodrës shpjegon se ka harxhuar paratë e fondit dhe nuk mund të japë asgjë. Sipas tyre, ka mbetur vetëm një vlerë e vogël, ku është vendosur për të shpërblyer disa efektivë të policisë, të cilët kanë pasur rezultate individuale konkrete në punën e tyre.
Berat
Në Drejtorinë e Policisë së Qarkut të Beratit është parashikuar të shpërblehen nga fondi rezervë i 5% rreth tridhjetë efektivë me nga 14 mijë lekë secili. Burimet policore shpjegojnë se fondi rezervë është shumë i vogël, pasi një pjesë e tij është shpenzuar gjatë vitit me shpërblime të tjera dhe nuk kanë para për të shpërblyer gjithë efektivin. E njëjta ndodh edhe në Dibër, ku efektivët janë përzgjedhur në bazë të punës së mirë dhe do të shpërblehen nga 5-20 mijë lekë për person.
Gjirokastër
Drejtoria e Policisë së Qarkut të Gjirokastrës do të shpërblejë 35 specialistët dhe agjentët më të mirë që kanë dhënë kontribut në finalizimin e operacioneve në zbulimin dhe parandalimin e krimeve dhe trafiqeve. Sipas zëdhënësit të shtypit të kësaj drejtorie, Gentian Mullai, me propozim të shefave të sektorëve të krimeve të rënda, trafiqeve të paligjshme, krimeve ordinere dhe qarkullit rrugor, 35 policët më të mirë në fund të këtij viti do të përfitojnë një të dytën e pagës si shpërblim për kontributin e tyre në zbulimin e krimeve dhe finalizimin e operacioneve të organizuara. Të gjithë efektivat e policisë së kësaj drejtorie, në fillim të këtij muaji kanë përfituar si shpërblim të festave të fundit të vitit shumën 10 mijë lekë, ndërkohë që sipas zëdhënësit Mullai, gjatë këtij vitit specialistët dhe agjentët e sektorit të luftës kundër krimit të organizuar dhe ata të sektorit kundër trafikut të drogës kanë përfituar 2 paga shpërblim. "Të gjithë specialistët dhe agjentët e sektorëve që kanë marrë pjesë dhe kanë përballuar operacionet më të vështira, sikurse janë në sektorët e luftës kundër krimit të organizuar dhe trafikut të drogës kanë përfituar 2 paga shpërblim, një të dhënë nga drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit dhe një nga drejtori i Policisë së Qarkut", tha për "Shqip" zëdhënësi i shtypit të kësaj drejtorie, Gentian Mullai.
Durrës
Ndërsa 146 punonjës policie dhe punonjës të tjerë të strukturave të shërbimeve mbështetëse do të përfitojnë shpërblime të veçanta në këtë fundviti nga fondi i Drejtorisë së Policisë së Qarkut Durrës. Shpërblimet sipas burimeve zyrtare të Drejtorisë së Policisë variojnë nga 10 mijë lekë në gjysmë page dhe deri në një pagë të plotë për përfituesit. Në listën e përfituesve janë përfshirë 66 punonjës policie të nivelit të parë drejtues, duke nisur nga nënkomisarë, komisarë, kryekomisarë, specialistë; 67 të nivelit zbatues që janë policët e terrenit, si dhe 13 punonjës të strukturave të tjera të shërbimeve mbështetëse. Sipas drejtorit të Policisë së Qarkut Durrës, drejtues Aleks Hajdari këto shpërblime janë bazuar në punën e mirë të bërë prej tyre përgjatë një viti. Fondi vjetor i shpërblimeve prej afro 7 milionë lekësh është përdorur plotësisht gjatë këtij viti. Ndërkohë, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit ka shpërblyer në këtë fundviti dhe dy punonjësit e nivelit të mesëm drejtues, përkatësisht drejtorin dhe nëndrejtorin e policisë së qarkut me pagën e 13-të. Ndërkaq, të gjithë efektivat në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Durrës do të mund të marrin shpërblimin e deklaruar nga Kryeministri i vendit për festat e fundvitit. Sipas Hajdarit, të vetmit që nuk do të përfshihen në listën e përfituesve janë ata punonjës policie, të cilët kanë marrë masa disiplinore gjatë 6-mujorit të dytë të këtij viti. Ndryshe nga të tjerët ata nuk do të mund të çojnë disa të ardhura më shumë në shtëpi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›