E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sot Kongresi i PS, rezolutë për krizën dhe integrimin

TIRANE-Kongresi i PS-së do të miratojë sot një rezolutë për situatën politike dhe ekonomike në vend, ku njëherësh do të shprehet mbështetja për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Burimet e brendshme nga PS-ja bënë të ditur dje, se me hartimin e saj janë marrë disa drejtues të partisë, veçanërisht kryetari i Asamblesë Kombëtare, Gramoz Ruçi e sekretari për çështjet ligjore, Fatmir Xhafaj. Rezoluta do t'u paraqitet delegatëve të Kongresit dhe do të votohet në fund të ditës. Sekretari organizativ i PS-së, Blendi Klosi sqaroi dje për mediat se, ky kongres do të votojë ndryshimet në statutin e PS-së të cilat do t'i hapin rrugë edhe një rifreskimi të Asamblesë Kombëtare, por nuk do të ketë ndryshime apo lëvizje në strukturat qendrore të PS-së. Sipas ndryshimeve që janë reflektuar deri tani në projekt-statut, zgjedhje do të ketë vetëm për kryetarët e PS-së në rrethe, e cila rivjen si strukturë e re pas një periudhe kohe mosfunksionimi. "Zgjedhjet e rrethit do të ndodhin menjëherë pas hyrjes në fuqi të këtij statuti. Statuti i ri i partisë, i cili i propozohet kongresit, i bën kryetarët e rretheve drejtpërsëdrejti anëtarë të Asamblesë Kombëtare të PS-së, duke i dhënë kështu një forcë më të madhe kësaj Asambleje me përfaqësim direkt nga baza e PS", - shpjegoi dje për median, sekretari organizativ i PS-së, Blendi Klosi. Ai tha se, "zëri i socialistëve në të gjithë Shqipërinë do të vijë drejtpërsëdrejti nga këta përfaqësues në Asamblenë Kombëtare të PS. Kjo, natyrisht, do të sjellë një ripërtëritje të Asamblesë Kombëtare". Klosi pohon se, "në rendin e ditës nuk ka ndryshim të strukturave drejtuese të partisë".
Rendi i ditës
Sipas rendit të ditës së Kongresit, i cili është shkruar edhe në ftesat e shpërndara, do të niset me një fjalim të kryetarit të partisë, Edi Rama. Më pas diskutimet do të përqendrohet në temën: "Kriza e demokracisë dhe ekonomisë, roli i PS-së në zgjidhjen e saj". Më tej do të vijohet me diskutimet për ndryshimet në statutin e partisë. Para votimit të dokumentit përfundimtar, do të dëgjohen edhe propozimet e delegatëve nga salla, të cilët janë të lirë të paraqesin edhe me shkrim idetë e tyre. Ndërsa sa i përket programit të partisë, ai do të ketë një tjetër rrjedhë. Në Kongresin e sotëm, ai vetëm u është shpërndarë delegatëve dhe do të lejohen diskutime, por për të nuk do të ketë votim. Deri në votimin dhe botimin e tij të plotë, do të ketë takime të posaçme në bazën e PS-së, për ta pasuruar dhe konkretizuar më shumë. Në një nga pikat e këtij programi flitet edhe për votën e emigrantëve. Nuk dihet nëse pjesëtarë të së ashtuquajturës Lëvizja për Mendim Ndryshe do të bëjnë propozime në këtë Kongres, si për statutin, ashtu edhe për programin, pasi nisur nga mbledhjet e fundit të Asamblesë Kombëtare, qëndrimet ndryshe janë shprehur më shumë nga Arben Malaj dhe Ben Blushi, por në një formë më të zbutur. Problemet ekonomike që rëndojnë mbi shqiptarët, protestat si dhe qëndrimi i grupit parlamentar të PS-së, do të jenë pikat kryesore të aktivitetit të sotëm politik të PS-së.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›