E Diel, 1 Nëntor 2026

Kuvendi: 20 shkurti, përkujtim për viktimat e komunizmit

Komisioni Parlamentar i Ligjeve ka miratuar dje kalimin për në seancë plenare të projektligjit “Për simbolet e përkujtimit të viktimave të krimeve të komunizmit në Shqipëri”. Draftit fillestar iu ndryshua një term sipas së cilit sistemi 50-vjeçar nga viti 1945 deri më 1990 nuk do të quhet “ish-regjimi komunist”, por “diktatura komuniste”. Ligji ka për qëllim përcaktimin e disa simboleve në përkujtim të viktimave. Me simbole ligji nënkupton muze, obelisk apo monument dhe gjithashtu datën e përkujtimit publik të viktimave. Këshilli i Ministrave nëpërmjet ligjit angazhohet të krijojë Muzeun Kombëtar të viktimave dhe të krimeve. Diktatura komuniste në Shqipëri shkaktoi me shumë krime dhe viktima sesa në çdo vend tjetër të ish-bllokut komunist. Pas gati 20 vitesh pas rrëzimit të këtij sistemi diktature, Shqipëria ende ka shumë pak simbole në përkujtim të viktimave. 8 Dhjetori, data e fillimit të lëvizjes studentore që përmbysi diktaturën u shpall si Dita e Rinisë, ndërsa data 21 Maj njihet si dita e përkujtimit të revoltës në burgun famëkeq të Spaçit. Shqipëria është një ndër vendet e pakta të Europës ish-komuniste që nuk ka ende një muze në përkujtim të viktimave. Ndërkohë dje, teksa deputetët demokratë vendosën 20 shkurtin në përkujtim të viktimave të komunizmit, ish të përndjekurit politikë dhe pasardhësit e tyre protestuan përpara Gjykatës Kushtetuese, e cila rrëzoi pak kohë më parë si antikushtetues ligjin e Lustracionit. Ish të përndjekurit politikë thanë se do të vazhdojnë protestat deri në miratimin e këtij ligji.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›