Gazsjellësi shmang Parkun Kombëtar të Hotovës
Kompania zvicerane Gazsjellësi TransAdriatik (TAP) njoftoi dje se ka përzgjedhur gjurmën nga do të kalojë gazsjellësi në territorin shqiptar dhe ka shmangur kalimin e tij përmes Parkut Kombëtar të Hotovës në Përmet. “Rruga e përzgjedhur synon të shmangë zonat e banuara, si dhe zonat ambientale të mbrojtura në Shqipëri dhe Itali”, deklaroi TAP në një njoftim për shtyp. Gazsjellësi TransAdriatik synon të marrë gazin e Azisë Qendrore që do të transportohet përmes tubacioneve ekzistuese deri në Greqi, për ta kaluar përmes Shqipërisë dhe detit Adriatik në Itali. Me një gjatësi prej 520 kilometrash nga të cilat 200 kilometra janë në territorin shqiptar, TAP synon të transportojë 10 miliardë metër kub gaz në vit. Me një kosto prej 1.5 miliardë dollarësh, TAP është vetëm një prej projekteve që synon të krijojë Korridorin Energjetik Jugor në Europë. Projekte të tjera konkurrente janë Nabucco, i cili mbështetet zyrtarisht nga Bashkimi Europian dhe Rryma e Jugut, i cili mbështetet nga Kremlini.
#