Sot, Kryeministri Berisha mori pjesë në takimin e Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike. Në fjalën e mbajtur, Kryeministri, ndër të tjera, theksoi: "Dëshiroj t'ju përshëndes pÃ
Sot, Kryeministri Berisha mori pjesë në takimin e Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike. Në fjalën e mbajtur, Kryeministri, ndër të tjera, theksoi:
"Dëshiroj t'ju përshëndes përzemërsisht, t'ju ftoj, sikundër dhe të shpreh besimin e palëkundur se, si shtabi politik elektoral i këtyre zgjedhjeve, ju do të përmbushni me nder detyrimin madhor që ne kemi.
Këto zgjedhje, për të cilat ne kemi qenë dhe jemi të përcaktuar që të zhvillohen si zgjedhjet më të lira dhe më të ndershme, kaluan një fazë parazgjedhore, e cila nuk ka të bëjë asgjë me moralin, me vlerat që ndajnë qytetarët shqiptarë, me besimin e tyre tek vota e lirë. Por vendi është në demokraci dhe zgjidhi në mënyrën më demokratike krizën më absurde të historisë së tij. Ndaj është shumë e rëndësishme të shohim para, t'i lëmë qytetarët shqiptarë që, në moralin dhe në vlerësimin e tyre për lirinë dhe votën e lirë si shpirtin e saj, të japin verdiktin me vullnetin e tyre të plotë e të lirë.
Në një konferencë të nivelit më të lartë, dje, dëgjova përfaqësuesin e politikës së jashtme të vendeve anëtare të BE-së, Havier Solana, të theksonte se zgjedhjet në Shqipëri nuk mund të shtyhen jashtë afatit kushtetues. Kërkesa absurde për nxjerrjen e zgjedhjeve jashtë afatit kushtetues krijoi më shumë se habi në Evropë. Dhe kjo vetëm për të zgjatur disa javë pushtetin e atij që se meriton më, i cili po kapej si i mbyturi pas fijes së barit. Tashmë atij i mbetet ‘mister kriza', ndërsa shqiptarëve i mbeten zgjedhjet, vota e lirë dhe konsolidimi i demokracisë.
Është në detyrimin tonë madhor, në detyrimin e secilit prej jush, e të gjitha shtabeve vendore elektorale, e të gjithë kandidatëve të koalicionit më të madh në historinë e vendit, që përparësi absolute të ketë votën e lirë. Ne jemi shumica dhe na përket neve të shndërrohemi në garantues kryesor të votës së lirë të qytetarëve shqiptarë. Institucionet e depolitizuara do të respektojmë me rigorozitet ligjin, do të respektojnë depolitizimin e tyre. Ndërkohë shtabet politike, shtabet elektorale, kandidatët dhe përfaqësuesit e tyre duhet të kenë përpërësi absolute zbatimin e ligjit, respektimin e procesit zgjedhor të lirë dhe të ndershëm. Le t'i përcjellim bastionet e kleptokracisë në Tiranë dhe gjetiu me votën tonë të lirë. Kjo kërkon mobilizim dhe përkushtim total, i cili nuk fillon me rrethin, bashkinë apo komunën ku jeni ngarkuar, por fillon para së gjithash tek qendra juaj e votimit dhe pastaj në të gjithë rrethin, në të gjitha komunat dhe bashkitë ku jeni ngarkuar. Duhet të bëjmë një fillim të tillë që edhe atë kohë që do të jemi jo në rrethin, komunën apo bashkinë ku jemi caktuar, por në Tiranë, në Shkodër, Vlorë, Elbasan, atë kohë do ta përdorim për t'u angazhuar edhe për qendrën tonë të votimit, angazhimin e zgjedhësve, listat e votimit, dokumentacionin. Duhet t'i udhëzojmë qytetarët të votojnë me pasaporta.
Ne do të bëjmë çdo përpjekje që këto zgjedhje të jenë zgjedhjet më dinjitoze, siç i meriton shoqëria shqiptare. Shoqëria jonë është një shoqëri me maturitet politik të admirueshëm, është një shoqëri me maturitet demokratik të padiskutueshëm. Le të punojmë për t'a konsoliduar këtë.
Në këto zgjedhje, ne ecim të sigurt në fitore. Ne shkojmë tek shqiptarët si forca politike dhe koalicioni i premtimeve të mbajtura. Kurrë ndonjëherë një qeveri nuk ka mbajtur pikë për pikë zotimet, siç i ka mbajtur qeveria e këtij koalicioni.
Ne premtuam qeveri të vogël dhe instaluam qeveri të vogël. Ne premtuam qeveri në dietë dhe shkurtuam 40% shpenzimet operative të institucioneve qëndrore.
Ne premtuam luftë kundër korrupsionit dhe ia dolëm në një vit t'u shpëtojmë shqiptarëve mbi 600 milio euro, sipas bilancit të fundit, nga kontrabanda, nga abuzimet në prokurime, nga evazioni fiskal dhe nga shpenzimet abuzive të administatës.
Ne ia dolëm ta nxjerrrim administratën jashtë konfliktit të interesit, ku ishte zhytur fund e krye. Ne ia dolëm të bëjmë transparente në mënyrë absolute çdo veprimtari, çdo akt, vendim dhe udhëzim të Këshillit të Minstrave dhe të agjecive të tjera.
Ne shkojmë dhe ulemi tek çdo shqiptar si njerëzit e fjalës së mbajtur. Ne u premtuam shqiptarëve luftën me tolerancë zero kundër krimit të organizuar. Dhe ka një vlerësim botërorë për këtë luftë.
Ne u premtuam shqiptarëve nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit me BE-në dhe e nënshkruam atë.
Ne u premtuam shqiptarëve afrimin me NATO-n dhe jemi një nga tre vendet që u cilësuan në Samitin e Rigës si kandidatë të mundshëm për të marrë ftesën për antarësim.
Ne u premtuam shqiptarëve që në mandatin 4-vjeçar do të dyfishojmë rrogat dhe pensionet e ulta, përfshi ato të arsimtarëve. Është kënaqësi e veçantë për mua dhe për ju që të informoj qytetarët shqiptarë se viti 2006 ishte viti në të cilin rrogat e të gjithë punonjësve buxhetorë në vend u rritën me një mesatare prej 20 përqind. Ndërkohë që rrogat e 38 mijë arsimtarëve u rritën me 23 përqind, rrogat e 12 mijë infermierëve me 25 përqind etj..
Edhe më të rëndësishëm janë hapat që ndërmorëm në drejtim të asaj që e quajtëm ‘skemë e kafshatës'. 400 mijë pensionistë nga 517 mijë gjithsej, para rritjes 20 përqind, kishin një pension mesatar në fshat rreth 30 mijë lekë dhe në qytet rreth 75 mijë lekë. Një pension që luhatej nga 30 deri në 50 mijë lekë në fshat dhe një pension që luhatej për qytetin nga 60 në 100 mijë. Sot, asnjë prej tyre nuk merr më pak se 100 mijë në qytet dhe 50 mijë lekë në fshat. Sikundër të gjithë kryefamiljarëve u është kompensuar qindfarkë për qindarkë rritja e energjisë elektrike për çmimin.
Shumë shpejt do të ketë një skemë tjetër, pasi ne nuk tërhiqemi nga skema e kafshatës. Ne ndërtojmë autostrada, porte dhe aeroporte moderrne, por kurrë nuk harrojmë ata, të cilët janë në nevojë, në hall dhe dhimbje. Ata janë dhe do të jenë të parët për ne. Ndaj shumë shpejt finalizojmë skemën e re të ndihmës ekonomike me Bankën Botërore.
Dua t'ju informoj se kontributi i pensioneve, përfshi edhe atë që e quajtëm ‘kartolina e vitit të ri', ka qenë rreth 96 milionë dollarë vitin që kaloi. Vetëm për ‘kartolinën' kontributi ishte 24 milion.
Të gjitha këto mundësi u krijuan nga lufta kundër korrupsionit. Por këto ne i konsiderojmë vetëm frutet e para të reformave. E them këtë me bindje, se lufta kundër korrupsionit do të ketë shumë e shumë produkte të tjera të rëndësishme për shqiptarët.
Ne ia kemi dalë të kontraktojmë, të prokurojmë dhe të garantojmë finacimin për rrugë, autostrada dhe korridore më të mëdha dhe më të kushtueshme se të gjitha investimet në rrjetin rrugor në 50 vitet e fundit. Kjo është e vërteta. Së shpejti, inagurojmë punimet për autostradën me 4 korsi Fier-Vlorë, do të inagurojmë hapjen e portës së tunelit në Kalimash, me shpërthimet e para nga një prej kompanitë më të fuqishme të planetit, autostradën Korçë-Qafë Thanë, Shkodër Hani i Hotit. Ndërkohë kemi hartuar me dhjetëra projekte. Ne gjetëm një shkretëtirë në projekte.
Po ashtu kemi mbidyfishuar grantin për qeverisjen vendore, përveç decentralizimit të plotë të taksës së biznesit të vogël dhe taksës së pronësisë. Këto nuk i kemi bërë për vota, siç del ish kryetari pak ditë para votimeve dhe thotë se do t'i ulë 30 përqind taksat. Përse nuk e bëri këtë në 6 vite, por e bën tani për zgjedhje?
Këto realitete janë të prekshme kudo. Ne kemi bërë reformë të thellë në arsim dhe, pavarësisht se jo kushdo e percepron. Kemi dyfishuar numrin e studentëve, kemi hequr tarifat absurde të kuotave të dyta dhe këtë vit ka kaluar mbi 60 përqind numri i studentëve që mbarojnë klasën e 9 dhe ndjekin shkollën e mesme, nga 37 përqind që ka qenë dy vitet e para. Tani e shohin që shkolla po merr vlerë, ndaj është absolutisht i domosdoshëm që çdo fëmijë që mbaron shkollën 9 vjeçare të ketë të gjitha kushtet për të ndjek shkollën e mesme. Me këtë nuk them se do të ndërtojmë shkolla të mesme aty ku nuk mund të ndërtohen, por do të ndërtojmë konvikte të mira aty ku duhet të ndërtohen në mënyrë që fëmijët shqiptarë të shkollohen në qendra të urbanizuara.
Ne shkojmë në zgjedhje si një forcë politike e premtimeve të mbajtura. Ne shkojmë si një forcë politike e reforma të thella, padyshim përfshi legalizimin. Ne punojmë çdo ditë për t'i dhënë përgjigjen më të mirë çështjes së pronësisë. Ata që mendojnë se ne e kemi injoruar këtë çështje gabohen. As e kemi injoruar dhe as nuk e injorojmë, përkundrazi përkushtimi ynë ka qenë dhe do të mbetet absolut për t'i dhënë përgjigjen më të mirë kësaj çështjeje. Kuadrin ligjor e kemi dhe të gjitha mundësitë vijnë në rritje.
I suksesshëm ishte ky vit edhe për turizmin. 32 përqind rritje në vit, është një nga rritjet më të mëdha. Kjo sepse rritet besimi tek Shqipëria.
Unë dua t'u garantoj se në rast se në sistemin rrugor investohen gjatë këtij mandati mbi 1.2 miliard, këtë vit nis projekti madh i rrugëve rurale. Ne jemi zotuar se do të ndërtojmë rrugë dytësore në qytete për ta nxjerrë Shqipërinë nga balta. Qytetet tona do të asfaltohen sikundër edhe rrugët rurale. Ai është marrë me bulevardin, ndërsa asfaltim dhe gjelbërim do të jetë projekti ynë i madh për qytetarët.
Dua t'ju informoj se TEC i Vlorës fillon së shpejti nga ndërtimi dhe rreth 4 të tjerë pritet të fillojnë gjatë 3-4 muajve që vijnë. Ne dhe vetëm ne mund të zgjidhim krizën energjitike. Ata që shndërruan KESH-in në piramidë, që konsoliduan praktikën e ndëshkimit kolektiv, shqiptarët nuk do t'ia harrojnë kurrë. Ne përcaktuam përparësi absolute furnizimin me energji të qytetarëve shqiptarë 24 orë, ndodhi një thatësirë e jashtëzakonshme, por ne do të investojmë, nxisim dhe përcaktojmë si objektiv "Shqipëria, vend eksportues", si rruga e vetme për të përballuar thatësirën.
Një nismë nga e cila nuk do të heqim dorë është edhe "Shqipëria në moshën e internetit". Të gjithë abonentët e Telekomit do të kenë mundësi për të marrë internet me band të gjërë. Në rast se prindërit nuk janë familjarë me te, fëmijët e tyre do të ambjentohen përnjëherë.
Pra, ne shkojmë tek qytetarët si forcë politike e premtimeve të mbajtura dhe e reformave të thella. Si forcë politike, në qeverisjen e së cilës 500 mijë familje shqiptare kanë përfituar nga rrogat, pensionet, ulja e taksave dhe masat e tjera të kësaj qeverie në favor të qytetarëve.
Këto rezultate janë pasqyruar edhe në një studim, që sado që nuk ishte i shtrirë në të gjithë Shqipërinë, e nxjerr forcën tonë politike forcë fituese, në 80 përqind është fituese PD-ja. Nga Saranda deri në Tiranë, PD-ja del forca e parë fituese me një distancë që shkon nga 4 në 20 përqind mbi partinë tjetër më të madhe të vendit. Mirëpo këto rezultate nuk duhet të na bëjnë euforikë, pasi do të ishte fatale nëse ne mendojmë se, meqënëse kemi këto rezultate, jemi të garantuar, meqënëse ka këto opinione, jemi të garantuar. Këto rezultate dhe këto premtime na bëjnë të mundur të ulemi krah qytetarëve dhe t'i shpjegojmë atyre alternativën tonë si alternativën më të shkëlqyer. Qëllimi ynë i përbashkët është që të vazhdojmë në këtë rrugë. Ndaj ta lëmë mënjanë euforinë dhe t'i vishemi punës konkrete për çdo votë. Të ulemi përballë qytetarit dhe t'i themi që ne kemi të drejtën për të dalë ballë hapur dhe të komunikojmë me ju, për t'i thënë se asgjë nuk na pengon për të qarë hallet dhe problemet e tuaja. Asgjë nuk na pengon për t'u angazhuar me të gjithë potencialin e energjisë për zgjidhjen e tyre në nivel lagjeje, blloku, familjeje. Familja është vlera sublime e shoqërisë së qytetëruar. Familja është dhe detyrimi ynë madhor. Ndaj edhe ne shkojmë tek qytetarët për të mësuar të gjitha problemet që kanë dhe për t'u zotuar për zgjidhjen e tyre.
Zoti Olldashi dhe në tërësi shtabi elektoral i udhëhequr nga zoti Topi po funksionon si një simfoni, me një harmoni të plotë. Ndërsa ka nervozizëm dhe disfatizëm në krahun tjetër, por ato nuk janë problemet tona. Po paguan fëmijë, po angazhon punonjësit e bashkisë të grisin posterat, por ditët e fundit të tij janë. Tirana e ka marrë vendimin e vet. Ne duhet të bëjmë të gjitha përpjekjet që të jemi në lartësinë e vlerave të këtij qyteti.Çdo qytetar është fyer më shumë se kushdo tjetër nga kryetari i bashkisë në zgjedhjet e 2003, i cili grabiti kutitë e votimit me vrasës në seri për të manipuluar rezultatin dhe përjashtoi mbi 50 mijë qytetarë nga e drejta e votimit. Por më mirë të ruajmë kodin e fushatës."