E Diel, 1 Nëntor 2026

Në mbledhjen e së mërkurës, kryeministri Berisha informoi të pranishmit lidhur me takimin e zhvilluar me drejtuesit e Agjencisë së Kthimit dhe të Kompensimit të Pronave dhe Ministrisë së Dr

Në mbledhjen e së mërkurës, kryeministri Berisha informoi të pranishmit lidhur me takimin e zhvilluar me drejtuesit e Agjencisë së Kthimit dhe të Kompensimit të Pronave dhe Ministrisë së Drejtësisë.

Duke vënë theksin në misionin tejet të rëndësishëm të kësaj Agjencie, atë të përfundimit të reformës së pronësisë në Shqipëri, Kryeministri Berisha u shpreh se për përmbushjen e këtij misioni është i domosdoshëm përkushtimi i të gjitha ministrive dhe agjencive ekzekutive.

Kryeministri nënvizoi se qëllimi i kthimit të kësaj Agjencie në degë të ekzekutivit ishte pikërisht, që përgjegjësia për këtë reformë jetike të merrej nga ekzekutivi. Për këtë arsye, kryeministri Berisha kërkoi angazhimin maksimal të ministrive dhe agjencive të varura prej tyre, që të përmbushin me përparësi të plotë detyrimet ligjore ndaj Agjencisë së Kthimit dhe të Kompensimit të Pronave.

Kryeministri kërkoi gjithashtu përshpejtimin e përpilimit të hartave të pronësisë, si dhe përparësi absolute në përcaktimin sa më shpejt të jetë e mundur të territoreve të kompensimit fizik të pronarëve.

Më tej, Kryeministri u shpreh:

"Sot zhvillova një takim me drejtuesit e Agjencisë së Kthimit dhe të Kompensimit të pronave dhe Ministrisë së Drejtësisë. Dua tu njoh dhe ju me disa nga përfundimet e këtij takimi. Së pari kjo agjenci ka të domosdoshme përkushtimin e të gjitha agjencive të tjera të vendit, e të gjitha ministrive, në mënyrë që të mund të përmbushë misionin e saj, mision ky që synon përfundimin e reformës së pronësisë në Shqipëri, reforma më themelore apo reforma e të gjitha reformave.

Të gjitha ministritë kanë detyrime madhore, pa përmbushjen e të cilave agjencia nuk mund të ecë përpara në misionin e saj. Kjo agjenci u shndërrua në degë të ekzekutivit me qëllimin e parë dhe më kryesor që përgjegjësia për këtë proces jetik, për këtë reformë jetike të merrej nga ekzekutivi. U shndërrua në një degë të ekzekutivit apo në një agjenci në varësi të ekzekutivit, pikërisht që pushteti të përdoret për mirëfunksionimin e kësaj agjencie, si dhe për funksionimin e saj më të shpejtë. Deri tani të nderuar ministra, drejtoritë që varen nga ju janë shumë të detyruar ndaj agjencisë.
Agjencia do të shqyrtojë punën e saj për të nxjerrë konkluzionet. Gjithashtu edhe ministria e drejtësisë do të shqyrtojë punën e saj për të nxjerrë përfundimet, në këtë aspekt. Por nuk mund të mos shqyrtojë punën e bërë në këtë drejtim, Ministria e Punëve Publike, në një kohë kur Enti i Banesave, nuk përmbush detyrimin ligjor që ka ndaj Agjencisë, kur Ministria e Bujqësisë nuk përmbush detyrimin ligjor që ka ndaj agjencisë, kur ministria e Ekonomisë nuk përmbush detyrimin ligjor që ka ndaj agjencisë, kur ministria e financave nuk përmbush detyrimin ligjor që ka ndaj saj.
Nuk mund të lëvizim të strehuarit në banesat e pronarëve, nëse qeveria në përputhje me ligjin që ka miratuar nuk nënshkruan kontratën me bankën. Ky është një detyrim ligjor dhe kjo duhet të finalizohet sa më shpejt. Të përzgjidhet banka dhe të finalizohet procesi. Asnjë reformë nuk është më parësore, më thelbësore se reforma e pronësisë, me dy komponentët e saj, legalizimin dhe kthimin dhe kompensimin e pronave.

Puna e madhe parapërgatitore që u bë me dosjet e objekteve shtetërore të ngritura mbi pronë private dhe që janë për tu rikthyer, kërkon metodikën e administrimit të tyre, kërkon bashkëpunimin mes tyre të ministrive të ndryshme. Kështu, ministria e bujqësisë ka një vend qendror, ministria ekonomisë ka gjithashtu një vend qendror, me drejtorinë e privatizimin dhe me drejtoritë e tjera, por jo më pak një vend të rëndësishëm zë edhe ministria e financave. Pra është shumë e rëndësishme që të shpejtohet ritmet maksimalisht të të gjitha detyrimeve qe kemi ndaj kësaj agjencie.

Një nga arsyet kryesore i përfshirjes së saj në ekzekutiv, ka qenë për ta nxjerrë këtë agjenci nga ritmet tejet të ngadalta. Askush nuk mund ti bëhet pengesë asaj në përmbushjen e detyrimit ligjor.Çështja e pronësisë është një nga çështjet më themelore, për çdo vend, për çdo shoqëri, për tregun e lirë, për të drejtën, për shtetin ligjor, për moralin, ndaj dhe duhet të shqyrtoni secili prej jush detyrimin ligjor që ka ndaj agjencisë.

Agjencia nuk erdhi në ekzekutiv, për tu penguar në labirintet e burokracisë së ministrive. Agjencia erdhi në ekzekutiv për të patur mbështetjen e fuqishme të të gjitha ministrive dhe agjencive ekzekutive për të kryer detyrën. Duhet të ndërmerret me shpejtësi kthesa. Ligji për kthimin dhe kompensimin e pronave është një ligj bazë. Është pothuajse, po aq i rëndësishëm, sa është dhe kushtetuta. Është një detyrim madhor. Ende pas 15 vitesh njerëzit nuk marrin dot pronat e tyre. Ne e zhveshëm ligjin nga lufta e klasave, ridimensionuam të gjithë procesin, iu afruam më shumë të drejtës me veprimin që bëmë, por zbatimi, shpejtimi i procesit të përfundimit të hartimit të territoreve duhet të jetë një përparësi absolute. Ne do të bëjmë gjithçka që është në dorën tonë si qeveri, me përparësi të madhe. Përse ta marrin kompensimin vetëm pronarët e Tiranës dhe të Kavajës dhe të mos ta marrin kompensimin të gjithë pronarët e Shqipërisë?

Le të shpejtohet maksimalisht përfundimi i hartimit të hartave të pronësisë. Të përcaktohen me shpejtësi territoret e kompensimit fizik. Të përzgjedhim dhe të nënshkruajmë kontratën me bankën për kreditë e strehimit. Kemi caktuar 5 milionë këtë vit, por në proces e sipër ky fond duhet të vijë gjithnjë në rritje, për kompensimin monetar.

Ndaj dhe kërkoj në mënyrë të prerë që secila nga ministritë dhe agjencitë e varura prej tyre të përmbushi me përparësi të plotë detyrimet ligjore ndaj Agjencisë së Kthimit dhe të kompensimit të pronave.

Zëvendëskryeministri do ta ndjekë në të gjitha aspektet këtë proces, por ky proces duhet të ndiqet po me kaq përparësi nga të gjithë titullarët e ministrive dhe agjencive të varura prej tyre.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›