E Diel, 1 Nëntor 2026

Sot në mesditë, Kryeministri Berisha priti Zëvendësministrin e Jashtëm të Italisë, zotin Famiano Crucianelli. Kryeministri Berisha i shprehu Zëvendësministrit italian mirënjoh

Sot në mesditë, Kryeministri Berisha priti Zëvendësministrin e Jashtëm të Italisë, zotin Famiano Crucianelli.

Kryeministri Berisha i shprehu Zëvendësministrit italian mirënjohjen për mbështetjen dhe ndihmën e dhënë nga Italia në reformat e ndërmarra dhe ne proceset e integrimit të vendit në Bashkimin Europian dhe NATO. Kryeministri falënderoi qeverinë italiane për nxitjen e investimeve italiane në Shqipëri, investime të cilat kanë njohur rritje të dukshme. Kryeministri theksoi angazhimin e qeverisë shqiptare për krijimin e klimës më të favorshme për investitorët.

Zoti Crucianelli vlerësoi marrëdhëniet shumë të mira mes dy vendeve, në aspektin politik, institucional, ekonomik e tregëtar, ndërsa shprehu vullnetin e qeverise italiane për forcim të bashkëpunimit në të gjitha fushat. Ai siguroi vazhdimin e mbështetjes dhe inkurajimin e sipërmarrësve italianë për të investuar në Shqipëri.

Zoti Crucianelli vlerësoi dhe shprehu mbështetjen e plotë të qeverisë italiane për luftën kundër krimit të organizuar, duke u angazhuar për bashkëpunim të plotë në këtë luftë, e cila i shërben interesave të Shqipërisë, por edhe Italisë.

Më tej, Zëvendësministri i Jashtëm italian siguroi se qeveria italiane do të vazhdojë të mbështesë proceset e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian dhe në NATO. Zëvendësministri Crucianelli theksoi se Shqipëria dhe Italia po ndërtojnë një bashkëpunim shumë të mirë për pjesëmarrjen e tyre në misionin në shërbim të paqes në Liban.

Kryeministri Berisha dhe Zëvendësministri i Jashtëm i Italisë diskutuan për bashkëpunimin për Korridorin 8, si projekt madhor për Ballkanin, duke ndarë të njëtin mendim se me hyrjen e Bullgarisë në Bashkimin Europian, rëndësia e këtij projekti merr përmasa të reja.

Gjatë takimit, Kryeministri Berisha e siguroi zotin Crucianelli edhe njëherë për vendosmërinë e plotë të qeverisë shqiptare për të zhvilluar zgjedhje të lira dhe të ndershme. Gjithashtu, Kryeministri e siguroi z. Crucianelli se qeveria shqiptare është tërësisht e vendosur për të vazhduar dhe thelluar reformat në vend për konsolidimin e shtetit ligjor si dhe luftën me zero tolerancë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Kryeministri Berisha dhe zoti Crucianelli u ndalën edhe në zhvillimet në rajon, veçanërisht në çështjen e Kosovës. Ata shprehën mbështetjen e plotë për misionin e Presidentit Ahtisari dhe përshëndetën angazhimin e Bashkimit Europian për të patur prezencën e tij në Kosovë, pas vendosjes së Statusit.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›